Kosova nuk mund t’i anashkalojë ndryshimet klimatike

Kosova

Kosova nuk mund t’i anashkalojë ndryshimet klimatike

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 12:27
Foto nga tryeza

Balkan Green Foundation (BGF), në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, përgjatë “Javës së Diplomacisë Klimatike 2018”, ka organizuar tryezën e rrumbullakët me temën “A është Kosova e gatshme për të trajtuar ndryshimet klimatike?”

Drejtori ekzekutiv i Ballkan Green Foundation, Visar Azemi ka thënë se Kosova renditet e dyta në rajonin e Ballkanit Perëndimor për lirimin e gazrave të dioksidit të karbonit, duke shtuar se toka po përballet me një situatë të vështirë të ndryshimeve klimatike, kurse Kosova nuk mund ta anashkalojë këtë fakt.

Azemi: Kemi hartuar strategji për ndryshimet klimatike, mirëpo gjithçka ka mbetur në sirtar

“Ne jemi duke u përballë me një realitet të ri të cilin pak a shumë kemi filluar me marr më seriozisht, e cila ka të bëjë me ndryshimet klimatike, të cilat po na përcjellin çdo ditë e më shumë, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Në Kosovë kemi hartuar strategji, jemi marrë me pjesën e legjislacionit, mirëpo si duket gjithçka ka mbetur në sirtar dhe nuk ka pasur ndonjë zbatim, ose fillim të zbatimit të tyre. Ngrohja globale do të jetë shumë e rëndësishme me kalimin e kohës, dhe ne si Kosovë nuk mund ta anashkalojmë atë. Sipas ekspertëve në rast se trendi i eksploatimit të lëndëve fosile do të vazhdojë me këtë ritëm, atëherë planeti ynë do të ndodhet pranë një rreziku të madh, dhe mund të bëhet i pabanueshëm deri më fund të këtij shekulli. Me këtë ritëm të ndryshimit artificial të klimës, do të krijohet edhe një lloj imigrimi të ri, sipas ekspertëve, ku njerëzit do të largohen nga vendet e tyre s i pasojë e ngritjes së temperaturave dhe nivelit të deteve e përmbytjeve masive”, tha Azemi.

Ivana  Mijatoviq Cernos nga DG KLIMA, nga Komisioni Evropian, ka treguar se po përpiqen të negociojnë për planin e programit të Parisit, duke shpjeguar tutje edhe si përfshihet Kosova në këtë mes.

Mijatoviq: Pjesët e legjislacionit në fuqi kanë implikime edhe për Kosovën

“Do të flas pakëz  më shumë për reagimin e BE-së, që janëpra politikat që kemi, si dhe veçanërisht për legjislacionin, sepse për këtë kemi punuar vërtetë shumë gjatë viteve të fundit, dhe pothuajse të gjitha pjesët e legjislacionit tashmë janë në fuqi dhe që ka implikime për Kosovën si kandidat për anëtarësim, si dhe pritshmëritë nga vendet në anëtarësim, sërish pakëz më ndryshe është kjo, sepse për juve, meqenëse nuk jeni palë, pra obligimet tuaja nuk janë në kuadër të konventës, por obligimet tuaja janë në kuadër të Acquis të BE-së……”, tha Mijatoviq.

Ajo ka shtuar se duhet të ulet emetimi, dhe se kanë caktuar politika të reja klimatike, ku është caktuar zvogëlimi  i emetimit për 40 për qind për vitet e ardhshme.

Nga Ministria e Integrimeve Evropian fjalën e mori Ilir Muçaj ka thënë se sfida e Kosovës qëndron në pamundësinë e të qenit pjesë e mekanizmave ndërkombëtar.

Muçaj: Kosova ka obligime që ta përafrojë legjislacionin me standardet e BE-së

“Kosova sigurisht që ka marrë obligime përsipër, duke përfshirë edhe ndryshimet klimatike që nënkuptojnë zvogëlimin apo uljen e emetimit të gazrave serë, në këtë drejtim Kosova ka obligime që ta përafrojë legjislacionin me standardet e BE-së, veçanërisht ne duhet të marrim  në konsideratë politika që rrjedhin nga fusha e energjisë, transportit, bujqësisë, si dhe të kemi parasysh që të bëjmë politika të cilat janë kreative në fushën e arsimit. Në kontekst të zbatimit të marrëveshjes së MSA-së, Kosova ka hartuar programin kombëtar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që është MSA-ja, ose programit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është dokumenti kryesor strategjik i qeverisë së Kosovës i cili në një formë ose tjetër planifikon masa afat-shkurta dhe në të njejtën kohë prioritete afat-mesme se si do të zbatohen obligimet e marra përsipër nga kjo marrëveshje”, u shpreh ai ndër tjerash.

Tryeza adresoi politikat e Kosovës në raport me ndryshimin e klimës, planet e veprimit dhe masat e marra deri tani. Në kuadër të shënimit të “Javës së Diplomacisë Klimatike 2018 në Kosovë”, KOSID do të organizojë edhe shfaqjen e dokumentarit “Point of no return,” në tri komuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat