Nisin të mbyllen shkolla e paralele, shkak numri i vogël i nxënësve - Bota Sot
Nisin të mbyllen shkolla e paralele, shkak numri i vogël i nxënësve

Kosova

Nisin të mbyllen shkolla e paralele, shkak numri i vogël i nxënësve

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 17:50
Foto ilustrim

Një shkollë në Strazhë të Prizrenit ka vetëm 7 nxënës. Një shkollë e tërë është mbyllur në Lipjan. Një paralele e ndarë është mbyllur në Bobiq të Pejës. Një paralele është mbyllur edhe në një fshat të Skenderajt.

Sidoqoftë, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skënder Susuri, ka thënë se nuk kanë mbyllur asnjë shkollë, përkundër rënies së numrit të nxënësve.

Ai ka shtuar se situatë të rënduar sa i përket numrit të vogël të nxënësve kjo komunë ka në viset e thella rurale.

Sipas tij, në fshatin Struzhë funksionin një shkollë e cila ka vetëm 7 nxënës.

“Gjithsesi edhe në Komunën e Prizrenit ka zvogëlim të numrit të nxënësve krahasuar me vitet e mëparshme. Në situatë më të renduar janë viset e thella rurale, siç është rasti me fshatin Struzhë ku funksionon shkolla në gjuhën mësimore shqipe me gjithsej 7 nxënës. Kjo edhe nga fakti se pas luftës se vitit 1998/1999 për shkak të shkatërrimit të tërësishëm të këtij fshati, popullata nuk është kthyer, përkatësisht është shpërngulur në qytet“, ka thënë Susuri.

Në komunën e Lipjanit këtë vit është mbyllur një shkollë, kjo është bërë me vendim të inspektoratit, ka bërë të ditur Drejtori i Arsimit të kësaj komunë, Rasim Hasani.

Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, këtë vit në fshatin Babiq të komunës së Pejës mbyllur paralelja e ndarë e shkollës fillore “Pjetër Budi”.

Fatin e njëjte në këtë komunë, para dy vitesh e ka pasur edhe paralelja e ndarë e shkollës fillore “Migjeni” në fshatin Nepolë.

“Këtë vit është mbyllur Paralelja e ndarë e shkollës fillore të mesme të ulët  '' Pjetër Budi'' në Babiq. Ndërsa në vitin 2016 është mbyllur paralelja e ndarë e shkollës “Migjeni” në fshatin Nepolë”, ka thënë Melodi Gashi, Zyrtare e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Pejës.

Në komunën e Fushë Kosovës, ka rritje të numrit të nxënësve, e si pasojë e kësaj nuk është mbyllur asnjë shkollë.

Por, kjo gjendje nuk ka qenë kështu para pesë vitesh, kur edhe është mbyllur paralelja e shkollës në Bardh të Vogël. Mirëpo, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani, tregon se kjo gjendje nuk ishte e njëjtë edhe para pesë vitesh.

“Në Fushë Kosovë e kemi mbyllur një shkollë para 5 viteve – Paralelja e ndarë fizike në Bardh të Vogël.  Arsyeja e mbylljes ka qenë numri i vogël i nxënësve , prej kl. 1 deri në 9 -  pra ,  gjithsej 52 nxënës në 9 paralele ( prej 4 nxënës deri në 7 nxënës për paralele). Komuna ka vendosur që të bartë nxënësit deri në shkollën ”Bajram Curri “ Sllatine dhe anasjelltas, që është vetëm 3 km larg Bardhit të Vogël”, ka thënë Shabani.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit Qazim Maloku, ka treguar se në komunën e tij nuk kanë mbyllur asnjë shkollë në dy vitet e fundit, mirëpo, një e tillë është mbyllur në vitin 2015, si pasojë e numrit të vogël të nxënësve.

“Në komunën e Deçanit nuk ka asnjë shkollë që është mbyllur në dy  vitet e fundit. Në vitin 2015  është shkolla e fundit që është mbyllur, në mungesë të nxënësve dhe ky ishte  Gjimnazi "Sami Frashëri"në fshatin  Irzniq, gjimnaz   ky i hapur në vitin 1997”, ka thënë Maloku.

Drejtori i Arsimit në komunën e Skenderajt Bekim Latifi, ka thënë se në periudhën prej dy vitesh, si pasojë e numrit të vogël të nxënësve është mbyllur paralelja e ndarë në fshatin Izbicë e shkollës “Skender Skenderi”.

Përkundër faktit që në këtë komunë ka ende paralele me numër të vogël të nxënësve, ato nuk janë mbyllur, pasi ka nxënës që udhëtojnë në distanca të largëta.

“Në dy vitet e fundit është mbyllur paralelja e ndarë në Fshatin Izbicë shfmu,,Skender Skenderi" Vojnik për mungesë te nxënësve. Disa paralele te ndara janë me nr. te vogël te nxënësve mirëpo për shkak se nuk kemi dashtë qe këta nxënës te udhëtojnë në distanca te gjata nuk kemi marrë asnjë vendim për mbylljen e tyre”, është shprehur Latifi.

Nga Komuna e Rahovecit kanë thënë se përkundër numrit të vogël të nxënësve, nuk është mbyllur asnjë shkollë.

“Në komunën e Rahovecit në këtë vit, por edhe në dy vitet e fundit asnjë shkollë nuk është mbyllur.  Është shqetësues rënia e numrit të nxënësve, por kjo rënie për fat të mire nuk ka shkaktuar mbylljen e shkollave”, është shprehur Avni Morina, Drejtor i Arsimit në Rahovec.

Po ashtu, edhe në komunën e Vitisë thonë se ka rënë numri i nxënësve, mirëpo kjo nuk ka ndikuar që aty të mbyllen shkollat.

“Edhe pse si në shumë komuna edhe në Komunën e Vitisë është duke rënë numri i nxënësve, kemi shumë paralele me numër të vogël të nxënësve, nuk kemi mbyllur asnjë shkollë këto katër vitet e fundit”, ka thënë Drejtoresha e Arsimit në komunën e Vitisë, Fatbardha Emini.

Komuna e Ferizajt, Dragashit, Klinës dhe Suharekës po ashtu janë ndër komunat që nuk kanë mbylluar asnjë paralele të shkollave të tyre, në periudhën kohore prej dy apo më shumë vitesh. Këtë e kanë bërë të ditur drejtorët e arsimit të këtyre komunave.

Ndërsa, këtë shtator, në komunën e Kamenicës shkolla e fshatit Meshinë nuk hapi dyert për nxënësit e saj. Në këtë zonë kishin mbetur vetëm 3 nxënës, dhe kështu komuna e Kamenicës mori vendim që ata t’i bartë deri në shkollën e qytetit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...