Zhilivoda e Vushtrrisë po braktiset, fshati ka probleme infrastrukturore

Kosova

Zhilivoda e Vushtrrisë po braktiset, fshati ka probleme infrastrukturore

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 20:12
Zhilivoda ka mbetur njëri ndër fshatrat e harruar të Vushtrrisë

Pa rrugë të asfaltuara, pa rrjet të ujësjellësit e të kanalizimit, Zhilivoda ka mbetur njëri ndër fshatrat e harruar të Vushtrrisë.

Banori Haxhimet Krasniqi thotë se mungesa e infrastrukturës ka bërë që shumë banorë të shpërngulen.

“Krejt shkaku i kësaj, banorët janë duke lëshuar shtëpitë dhe braktisur fshatin. Komuna prej tri vitesh nuk ka bërë asnjë investim në këtë fshat, dhe as që po mendojnë në atë drejtim. I kanë ngrënë paratë dhe ka mbetur në gjysmë rrethimi i shkollës”, thotë për RTV Dukagjinin Haxhimet Krasniqi.

Të njëjtën gjë e pohon edhe banori Hashim Krasniqi.

“Nga paslufta na kanë premtuar rrugën dhe kanalizimin, por ajo ka mbetur si është. Unë e di që Komuna e Vushtrrisë e ka pas në projekt rrugën dhe kanalizimin dhe ndërtimin e një kulle në këtë vend, asnjëra s’kanë ardhë”, thotë banori tjetër Hashim Krasniqi.

E në  fshatin me probleme infrastrukturore, nga pranvera e vitit të  ardhshëm do të zgjidhet çështja e kanalizimit.

Kështu u përgjigj në  mënyre elektronike Drejtori i Shërbimeve Publike në  Komunën e Vushtrrisë, Sedat Rashica.

“Në bazë të vendimit 182/17 , date 29.06.2017, ku lejohet ndërtimi i kanalizimeve ne disa lokalitete te Komunës në fshatin Zhilivodë parashihet të ndërtohet vijë e kanalizimit ne gjatësi 1400 m. Me këtë vendim projekti “Ndërtimi i Kanalizimeve” i vitit 2017 shndërrohet ne projekt trevjeçar për vitet 2017-2019”, thuhet në përgjigje.

E sa i përket rregullimit të rrjetit të ujësjellësit dhe infrastrukturës rrugore,  nuk janë paraparë projekte për vitin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat