Të akuzuarit që pretendohet se mashtruan 176 blerës të banesave kërkojnë hudhjen e aktakuzës - Bota Sot
Të akuzuarit që pretendohet se mashtruan 176 blerës të banesave kërkojnë hudhjen e aktakuzës

Kosova

Të akuzuarit që pretendohet se mashtruan 176 blerës të banesave kërkojnë hudhjen e aktakuzës

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 22:42
Pamje nga gjykimi

Gjashtë të akuzuarit, Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemail Arifi, Faton Orllani dhe Valon Orllani, të cilët pretendohet se duke shitur banesa të cilat 176 blerës nuk i kanë shfrytëzuar kurrë, kanë përfituar dy milionë euro, kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të hudhet aktakuza e ngritur ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Ndrec Dodaj, mbrojtës i të akuzuarës Estrida Bunjaku, avokati Murat Demolli, mbrojtës i Vigan Bunjakut, Behar Ejupi, mbrojtës i Burim Vokrrit, Naim Rudari, mbrojtës i Xhemail Arifit, Ramiz Krasniqi, mbrojtës i Valon Orllanit dhe Selman Bogiqi, mbrojtës i Faton Orllanit, në seancën e së premtes kanë thënë se qëndrojnë pranë kërkesave të dorëzuara me shkrim për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Me anë të këtyre kërkesave, ata kanë konsideruar se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat i bëjnë përgjegjës tani të akuzuarit.

Ndryshe, prokurorja Habibe Salihi, kërkoi nga gjykata që të refuzojë kërkesat e mbrojtjes duke e konfirmuar aktakuzën, me arsyetimin se ka prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetohet se të akuzuarit janë fajtor për veprimet e pretenduara.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaijli, ka thënë se do të vendos jashtë seancës konfirmimin ose hedhjen poshtë të aktakuzës, ndërsa si seance eventuale e shqyrtimit gjyqësor u vendos 21 dhjetori i këtij viti, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri, ngarkohen më veprat penale “krim i organizuar” dhe “mashtrim”, pasi që, sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjell në lajthim rreth 176 qytetarë duke ju paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria është duke pretenduar se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5000 euro e deri në shumën më të madhe prej 200.000 euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group”, dh në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim jo racional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve jo proporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “shmangie tatimi”, në vlerë prej 80.610, 50 euro, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pa vërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...