Përdorimi i drogave në shkollat e Kosovës, problem alarmant

Kosova

Përdorimi i drogave në shkollat e Kosovës, problem alarmant

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 13:42
Foto

Dukuria e përdorimit të substancave narkotike nga të rinjtë në shkolla, po konsiderohet problem i madh dhe kjo dukuri po haset pothuajse në secilin institucion arsimor.

Drejtori i qendrës “Labyrinth”, Safet Blakaj, gjatë debatit “Droga te të rinjtë dhe droga në shkolla”, organizuar nga qendra Labyrinth, ka thënë se problemi i drogave nëpër shkolla është alarmant. Njëherësh, ka njoftuar se për këtë dukuri do të organizojnë edhe debate publike drejtpërdrejt me nxënësit e shkollave.

Blakaj: Dukuria e përdorimit të drogave mund të haset kudo në institucionet arsimore

“Qëllimi jonë nuk është që të stigmatizohet asnjë shkollë, as ato publike e as private. Kur flitet për drogat, të rinjtë në të gjitha nivelet e arsimit dhe në të gjitha institucionet mund të haset ky fenomen, duke përfshirë edhe zonat rurale. Qëllimi jonë është që të vetëdijesohen të rinjtë për problemin e drogave. Natyrisht, se qyteti është më i atakuar sa i përket përdorimit të drogave, po mendoj që nuk ia lënë mangët as qendrat tjera në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Pjesë e debatit ishte edhe Abdullah Hasanaj, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, njëherësh edhe koordinator nacional për gjenerata të reja, i cili tha se përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë e Kosovës është në zgjerim e sipër. Ai njoftoi për disa masa që po përgatit qeveria për vitin 2019 lidhur me këtë dukuri.

Hasanaj: Për vitin 2019 kemi një plan operativ për parandalimin e drogës

“Kryeministri Haradinaj ka autorizuar ministrin e punëve të brendshme, zotin Ekrem Mustafa, që të bëjë një plan operativ për vitin 2019 që të rritet niveli i gatishmërisë dhe operativ i ministrisë së rendit dhe agjencive të saj për ta parandaluar shitjen dhe përdorimin e narkotikëve në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndryshe, qendra “Labyrinth” u themelua në vitin 2002 me qëllim të parandalimit të abuzimit të drogave dhe alkoolit, trajtimin e varësisë nga drogat dhe alkooli, si dhe zvogëlimin e dëmeve që lidhen me injektimin e drogave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat