Lufta e grupeve dhe përgjakja e rrugëve të Prishtinës

Kronikë e zezë

Lufta e grupeve dhe përgjakja e rrugëve të Prishtinës

Më: 17 maj 2019 Në ora: 21:16
Ilustrim

Në mbrëmjen e 12 majit, në Prishtinë kishte ndodhur një rast i rëndë në një familje.

Siç raportoi Policia, një fëmijë 12-vjeçar kishte marrë revolen “TT” të gjyshit të tij dhe nga pakujdesia e kishte plagosur vëllain e tij 9 vjeç.

Viktima kishte pësuar lëndime të lehta në dorë, andaj edhe kishte marrë tretman mjekësor dhe ishteliruar për në shtëpi.

Më 15 maj, një person i moshës së mitur ishte plagosur me thikë në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në rrugën “Muharrem Fejza”.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj.

“Rasti ka ndodhur në rr. “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku dyshohet se një person i gjinisë mashkullore, 16-vjeçar, ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë)”, ka thënë zëdhënësja

Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitë policore janë duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Incidenti i tretë për këtë jave ndodhi mbrëmë rreth orës 22:45, në afërsi të Mensës së Studentëve në Prishtinë, ku sipas informacioneve të para në vendin e ngjarjes, dy viktimat vëllezër njëri i lindur në vitin 1996 dhe tjetri në vitin 1994 ishin përleshur me tre persona të cilët sipas tyre, ishin të panjohur. 

Viktimat kishin thënë për policinë se gjatë përleshjes, njëri nga personat kishte nxjerrë pistoletën dhe e kishte qëlluar në këmbë 24 vjeçarin N.S.

Ndërsa, sot gjatë ditës Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga kjo plagosje e mbrëmshme që ndodhi afër Mensës së Studentëve.

“Viktima mashkull K-Shqiptar ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje verbale me tre persona të panjohur të njëjtit e kanë sulmuar fizikisht, ku njëri nga ta ka shtënë me armë zjarrit në drejtim të viktimës dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Viktima ka pësuar lëndime trupore në këmbë dhe është dërguar në QKUK”, thuhet në raportin e Policisë.

Rasti i katërt i plagosjes ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në lagjen “Dardania” në kryeqytet.

Policia e Kosovës më vonë ka njoftuar se si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri, një person kishte mbetur i plagosur, ndërkohë që katër të tjerë janë arrestuar, si dhe ishin konfiskuar tri armë zjarri.

KALLXO.com ka mësuar se bëhet fjalë për menaxherin e On Records, Met Elshani.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore për ekzaminim të vendngjarjes, të cilat kanë hasur në viktimën ( i plagosur nga arma e zjarrit) : M.E, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar katër persona të dyshuar, si dhe ka sekuestruar tri armë zjarri (revole)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat