Detaje për dy vdekjet enigmatike që ndodhën brenda 24 orëve në Prizren - Bota Sot
Detaje për dy vdekjet enigmatike që ndodhën brenda 24 orëve në Prizren

Kronikë e zezë

Detaje për dy vdekjet enigmatike që ndodhën brenda 24 orëve në Prizren

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 17:38
Foto ilustrim

Një 33-vjeçar me inicialet M.S dhe një 45-vjeçare me inicialet Q.SH, mbrëmë kanë ndërruar jetë në Spitalin e Prizrenit, nën rrethana të dyshimta. Sipas zyrtarëve të Spitalit, të dy ishin dërguar në spital pavetëdije. Deklarojnë se pavarësisht se u janë ofruar të gjitha tretmanet mjekësore, nuk kanë arritur t’i shpëtojnë. Të dy rastet janë raportuar në Policinë e Kosovës, dhe po hetohen si “vdekje të dyshimta”.

Dy vdekje të dyshimta janë raportuar të kenë ndodhur mbrëmë në Spitalin e Përgjithshëm “Prim Dr Daut Mustafa”, në Prizren. Arsyet e vdekjes, janë ende duke u hulumtuar.

Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë Shefi i Njësisë së Mjekimit Intenziv Qendror, Mentor Rexhbecaj.

Sipas Rexhbecajt, të dy pacientët kishin arritur në spital pavetëdije.

33-vjeçari ishte pranuar në Mjekimin Intenziv Qendror rreth orës 07:00 të mëngjesit, e i cili kishte ndërruar jetë rreth orës 10:00, po atë ditë.

“Pacientit i janë ofruar të gjitha tretmanet e duhura diagnostike, terapeutike, medikamentoze dhe intervente (frymemarrja artificial – ventilimi mekanik), janë bërë analiza laboratorike, si dhe konsultimet e duhura të mjekëve të profileve të ndryshem, që janë ndërlidhur me gjendjen shendetesore të pacientit. Por, edhe përkundër të gjitha këtyre masave, pacienti ka përfundu me vdekje, në ora 9:50 të së njëjtës ditë”, ka deklaruar Rexhbecaj.

Në gjendje të rënduar shëndetësore thotë të jetë sjellë edhe 45 vjeçarja, e cila ka ndërruar jetë rreth orës 12:00, të së njëjtës ditë.

“Rasti i dytë, pacientja Q. Sh, e datëlindjes  1975, pranohet në MIQ në ora 09:00 në gjendje të rëndë shendetësore e pavetëdijshme. Janë marrë të gjitha masat diagnostike dhe terapeutike, intervente (frymemarrja artificial – ventilimi mekanik), konsultimet, si dhe analizat laboratorike. Por, edhe përkundër të gjitha këtyre masave, pacientja përfundon me vdekje në ora 12:12 të së njëjtës ditë”, thuhet në përgjigjet e tij.

Por, se cila ishte arsyeja që shkaktoi vdekjen e këtyre dy pacientëve ende nuk po dihet.

Në Spitalin e Prizrenit thonë se po e presin raportin e obduksionit për të ditur arsyet.

“Arsyet e vdekjes së pacientave të lartecekur janë ende duke u hulumtuar dhe deri në raportin e obdukcionit nuk mund të japim ndonjë arsye përfundimtare. Pasi që kanë ndodh te pacientët që janë moshe e re dhe keqësimi i gjendjes së tyre shëndetësore ka ndodhur në rrethana të pasqaruara mirë”, kanë deklaruar nga ky institucion shëndetësor për gazetën.

Rastet janë raportuar edhe në Policinë e Kosovës. Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se të dy rastet po hetohen si vdekje të dyshimta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat