1 muaj paraburgim për 21 vjeçarin që dyshohet se dhunoi një të mitur në Gjilan

Kronikë e zezë

1 muaj paraburgim për 21 vjeçarin që dyshohet se dhunoi një të mitur në Gjilan

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. J.

E gjitha kjo, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka shfrytëzuar një të mitur, duke e dërguar në motele të ndryshme dhe duke e detyruar të kryej marrëdhënie seksuale, duke bërë që e mitura të mbetet shtatzënë.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunimi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri duke e shfrytëzuar të miturën, e dërgon në motele të ndryshme, duke e detyruar të kryej marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura mbet shtatzënë, pastaj i pandehuri duke e shfrytëzuar brishtësinë e saj e dërgon në një ordinancë private të miturën dhe aty kryen abortin”, thuhet në njoftim nga kjo gjykatë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që duke marrë bazë edhe rrezikshmërinë e kësaj vepre, pasojat të cilat i janë shkaktuar të miturës, si dhe ambientit dhe kushtet në të cilat jeton i pandehuri, të gjitha këto japin arsye për të besuar se me gjetjen e tij në liri mund të përsërisë veprën penale”.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat