Në rrugët e Kosovës, çdo të tretën ditë vdes nga një person

Kronikë e zezë

Në rrugët e Kosovës, çdo të tretën ditë vdes nga një person

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

82 persona kanë vdekur nga 1 janari e deri më 21 gusht të vitit 2018, në aksidentet në rrugët e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një raporti ku ka krahasuar numrin e aksidenteve të kësaj periudhe tetë muajshe, me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe pse numri i personave të vdekur në aksidente ka rënë për 3, të dhënat tregojnë se mesatarisht çdo tre ditë ka vdekur një person si pasojë e aksidenteve.

Në periudhën 1 janar 2018 – 31 gusht 2018 kanë qenë 63 aksidente fatale me 82 viktima, për dallim nga e njëjta periudhë vitin e shkuar kur ishin 76 aksidente e 85 viktima.

Rënie ka edhe te aksidentet me lëndime për 125. Sivjet janë regjistruar 4132 aksidente me 8312 të lënduar, për dallim nga viti i shkuar kur ishin 4257 aksidente me 8678 të lënduar.

Duke përfshirë edhe aksidentet me dëme, në total në periudhën tetë muajshe janë regjistruar 10507 aksidente, 1510 më pak se vitin e shkuar.

Në aspektin e parandalimit, vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit, policia thotë se ka ndërmarrë këto masa:

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Lëvizni të sigurt në trafik”. Përmes njësive të trafikut dhe stacioneve policore, janë shpërndarë fletëpalosje tek pjesëmarrësit në trafik. Gjithashtu projekti është promovuar edhe në rrejte sociale dhe media, përfshirë këtu edhe ligjëratat dhe diskutimet në institucione shkollore.

Është implementuar projekti për siguri në trafik “Për një vit më të sigurt në trafik”. Projekt i cili për qëllim ka pasur vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik duke përfshirë diasporën dhe shtetasit e huaj. Shpërndarja e fletëpalosjeve është bërë në të gjitha pikat kufitare dhe në tërë territorin e vendit.

Është vazhduar me kontaktet, diskutimet, trajnimet dhe ligjëratat e rregullta në institucione shkollore lidhur me sigurinë në trafik.

Po ashtu në kuadër të aktiviteteve parandaluese PK-ka ka angazhuar edhe patrullime policore me vetura civile si dhe njësi policore që operojnë me dron.

Policia e Kosovës vazhdon të kërkojë dhe njëherësh të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që t’iu përmbahen dispozitave ligjore, të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, me qëllim të shmangies së aksidenteve rrugore në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

“Policia e Kosovës, edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut do të vazhdojë të aplikojë ndërmarrjen e masave ligjore”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat