Arrestohet 33-vjeçari në Prishtinë që tentoi t’i qëllonte me armë policët - Bota Sot
Arrestohet 33-vjeçari në Prishtinë që tentoi t’i qëllonte me armë policët

Kronikë e zezë

Arrestohet 33-vjeçari në Prishtinë që tentoi t’i qëllonte me armë policët

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Policia e Kosovës në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë ka arrestuar një person për vrasje në tentativë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 01:00, policia ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje në progres  në rrugën “Rifat Burgjeviq” në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

Siç bëhet e ditur, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në gjendje flagrante ka hasur personin e dyshuar, i cili menjëherë ka filluar ikjen për t’iu shmangur arrestit policor.

Personi i dyshuar  përgjatë përpjekjeve të tij për të ikur nga policia, ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policor, por fatmirësisht nuk ka arritur të qëlloj ata.

“Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre, zyrtarët policor domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të  tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Përkundër shkrepjeve nuk raportohet për persona të plagosur nga arma e zjarrit përveç lëndimeve trupore që gjatë arrestimit të personit të dyshuar  kanë marrë dy zyrtarë policor.

Të njëjtit  kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

I dyshuari,  A. E,  mashkull, 33-vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas arrestimit me urdhër  të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për  48 orë.

Të njëjtit policia i ka sekuestruar edhe një revole, e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rastin në fjalë.

Ndërkohë që ndaj të dyshuarit po ndërmerren  të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti, njëkohësisht është zgjeruar rrethi i hetimit edhe për  disa raste të tjera për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti mund të jetë i implikuar.

Bëhet fjalë për një rast tentim vrasjeje, të ndodhur me datën 24.10.2018, rreth orës 02:00, ku i dyshuari ka shtënë në drejtim të një zyrtari policor, pasi që i njëjti është hasur në tentativë të kryerjes së veprës penal.

Gjithashtu edhe më datë 02.11.2018 rreth orës 20:00, në përpjekje për t’iu shmangur legjitimimit policor i njëjti ka shtënë në drejtim të zyrtarit policor, për të ikur më pas në drejtim të panjohur.

Strukturat Policore të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës në kuadër të veprimtarisë për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...