Mall dhe brengë - Bota Sot
Mall dhe brengë

Kultura

Mall dhe brengë

Nga: Vlash Prendi Më: 4 shtator 2019 Në ora: 10:16
Kopertina e librit

Letërsia jonë, sidomos ajo dokumentare është karakterizuar nga lidhja e saj e ngushtë me folklorin dhe traditën. Pasuria artistike dhe rrëfimtare e popullit tonë ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e krijuesve dhe njerëzve të kulturës për të shfrytëzuar me finesë arstistike subjekte të ndryshme dhe për t’i dhënë lexuesit krijime të bukura me vlera edukative. Sot subjektet e marra nga folklori, ose rrëfimet popullore kanë një ndikim të admirueshëm dhe të ndjeshëm në krijimtarinë artistike. Kështu ndosdh edhe me shkrimtarin Dedë Rramani i cili sapo ka dalë para lexuesit me librin e tij të tretë “Korbi i Aleksandrit” –Tiranë 2019.

Parë në kontekstin krijues, libri i ri i shkrimtarit Rramani, përbën një rritje cilësore në krijimtarinë e tij. Në të përmblidhen kujtime, emocione, tregime me subjekte interesante dhe shënime udhëtimi. Në të gjitha këta krijime, lexuesi bindet se ka të bëjë me një krijues tashmë të konsoliduar, plot ide dhe frymëzim në krijim. Nisur nga titulli “Korbi i Aleksandrit”, një titull sa joshës aq edhe intrigues, lexuesi njihet me një fakt të panjohur në thelb, por autori na e sjell pranë nesh si fenomen pozitiv, me vlera edukative duke shprehur në moment të caktuara dashurinë për vendlindjen e tij Selitën - Kurbnesh dhe njerëzit e urtë dhe bujarë të saj. Vec të tjerave populli i kësaj zone manifeston dhe zgjuarsinë, mencurinë dhe shkathtësinë e lindur. Korbi në terminologjinë popullore është quajtur si shpend - personazh negativ, sepse sapo dëgjohej kënga e trishtuar e tij, në bestytninë popullore ndjellte fatkeqësi.Madje në folklorin tonë, është përdorur gjithnjë si symbol i së keqes, por ja që në tregimin e Dedë Rramanit, korbi përshkruhet me ngjyrat më të bukura dhe merr këtu, një rol pozitiv dhe admirues.

Subjekti i tregimit zë fill nga një ngjarje reale me personazh kryesor nje djalosh nga Selita, Aleksandër Prenga i cili thuajse kishte rritur vetë këtë shpend me tipare negative, korbin. Familja e tij ishte e nderuar, blegtore e njohur në zonë për vlerat e saj njerëzore. Korbi ishte rritur me Aleksandrin dhe shpendi e ndiqte ngado tufën dhe bariun.Ndodhi që një ditë, tufa të mos kthehej e plotë në stan, korbi kishte pikasur njeriun që kishte dëmtuar tufën. Falë këtij shpendi, që në traditat tona simbolizon të keqen, u arrit zbulimi i keqbërësve. Ky tregim, sa original aq edhe emocional, dallohet për shfrytëzimin e mënyrës së rrëfimit artistik, përdorimit e fjalorit të gjallë që e shquajnë rrëfimin, por edhe notat epike dhe burrërore që manifestojnë trevat tona.

Një rrëfenjë mjaft interesante është edhe tregimi “Kroi i bushtrës”, ku shkrimtari Dedë Rramani përmes episodesh interesante dhe skenash nga jeta apo preokupimet e njerëzve në jetën e përditshme, rrëfyer këta me një ton të thjeshtë në vijimsinë e tyre kronologjike, vijnë para lexuesit tepër interesante. Kroi i bushtrës është toponim në rrethin e Mirditës. Thuhet se një nënë bashkë me fëmijën e saj të vogël po udhëtonin nëpër vapë. Fëmija kishte etje, por kur vajtën tek kroni, nëna piu e para ujë, në këtë kohë fëmija vdes nga etja. Që nga ajo kohë ka mbetur zakoni i vlefshëm që fëmija duhet të pijë para të rriturve ujë. Shkrimtari rrëfen bukur, thjesht dhe qartë, duke ngritur një problem, duke shtruar një cështje për zgjidhje duke parashtruar një moral, në situatën e sotme të edukimit dhe komunikimit shoqëror. Autori e shfrytëzoi rrëfimin artistik pa rënë në përsëritjen e motiveve të njohura të krijimtarisë gojore popullore. Fryma lirike mbizotëron në momentet e marrëdhënies nënë - fëmijë, por pas ngjarjes përshkruhen skena të dhimbshme me nota tragjike, dhënë kjo me takt artistik, fjalë të kursyera dhe shumë prekëse. I tillë, ndërtuar bukur dhe me shije artistike qëndron edhe tregimi “Elena”. Përmes këtij tregimi autori sjell para lexuesit dukuri negative të organizimit dhe edukimit të familjes shqiptare, ku Elena Bora, detyrohet të luftojë me guxim kundër veseve negative morale të të kunatit duke përballuar me vendosmëri dhe vetëdije instiktet negative të tij.Nuk është e lehtë për një vajzë të re në shoqërinë e sotme, të përballet me fenomene të tilla negative dhe padashje t’i shkatërrohet e ardhmja prandaj problemi aktual që ngre autori duhet të merret tepër seriozisht. Sigurisht, rrëfimi real i autorit kërkon të depërtojë më thellë në dukuritë dhe faktet e rëndësishme të jetës bashkëkohore, në botën e brendshme të përsonazhit kryesor dhe në përpjekjet për të pasqyruar sa më qartë veprimet jetësore të personazhit.

Shkrimtari Dedë Rramani me nje ndjeshmëri të rrallë,trajton probleme të mprehta shoqërore, godet dhe kritikon artistikisht kontradiktat e ndryshme shoqërore, luftën e klasave, veset negative të shoqërisë njerzore, ndonse ndonjëherë edhe me nota pesimiste. Sidoqoftë lënda që parashtron shkrimtari është zëdhënëse e idealeve shoqërore për të ndërtuar një shoqëri civile të mbrojtur nga drejtësia dhe barazia njerëzore. Këta çështje shtron autori edhe tek tregimi “Projektorë kohrash”, ku përmes vajzës së bukur, të internuarës Xheni ngre shumë probleme shoqërore. Mjeti artistiki i parapëlqyer në përshkrimin e personazhit të vajzës për të cilën ushqente dashuri fëminore - platonike edhe pse ajo ishte person “i deklasuar” është antiteza midis figurës së Xhenit dhe pushtetarëve që kishin internuar familjen e saj dhe i kishin mohuar të drejtën vajzës të jetonte e lirë. Fizionomia shpirtërore dhe pastërtia morale e vajzës janë dhënë në contrast me dhunuesit moralë të saj. Kjo ishte jeta e vështirë dhe plot vuajtje e banorëve të Kurbneshit të largët, Kurbneshit ku nxirrej flori, por mbillej varfëri dhe dhimbje.

Vëmendjen e autorit e tërheq edhe një temë mitologjike. Të moshuarit tregonin se në liqen jetonte Gërzheta e ujit, që në tregimet popullore përfytyrohet si një vajzë shumë e bukur, kurse në mitologji konceptohej gjysma vajzë dhe gjysma peshk. Jo pa qëllim, autori i vendos ngjarjet në Lurë, në vendin e rrallë të liqeneve, ku një djalosh i pashëm, shihte çdo ditë nje vajzë të bukur dhe kërkon ta marrë për grua. Meritë e autorit është se ai i vendos ngjarjet në kontekst real, duke na anashkaluar shumë elementë fantastikë të legjendës. Moment me rëndësi dhe mjaft emocional është ai i dasmës, madhështia e jetës dhe veprimtarisë shoqërore përshkruhet me nota optimizmi, por ndonjëherë ndodh që megjithse ke sakrifikuar aq shumë për të ndërtuar lumturinë, nga një pakujdesi e vogël të shembet gjithcka. Shihet qartë se me çfarë lirizmi të natyrshëm e rrëfen autori ngjarjen, në vendimet dhe preokupimet e të cilit shfaqet atmosfera e gëzuar dhe optimiste e jetës së fshatit, por që në fund ngjarjet marrin rrjedhë tjetër. Kujtimet, mbresat, personat e tij më të dashur zënë një vend të veçantë në krijimtarinë e autorit. Në këto shkrime zotërojnë kujtimet e ëmbla dhe nostalgjia për vitet e arta të fëmijërisë. Kujtimet për mësuesin e nderuar Mark Arapi, apo për të vëllain Nikollë Rramani e kthejnë autorin në vitet e shkuara. Synon Dedë Rramani të listojë cilësitë pozitive dhe burrërore të personazheve dhe kërkon të kultivojë tek njerëzit e ndershëm cilësitë e tyre. Ndikohet autori tek rrëfimi popullor, ndoshta tërthorazi, pasi ruan me kujdes terminologjinë, toponimet dhe motivet karakteristike të krahinës. Mjedisi dhe personazhet përshkruhen në mënyrë konkrete dhe të përpiktë, konciz dhe të gjallë. Për të përshkruar figurat e tyre të dashura, që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tij, autori përdor fjalë të thjeshta, me ngarkesë emocionale, me anë të të cilëve arrin të përshkruajë në mënyrë të goditur figurat dhe personazhet kryesor që lëvizin në këto tregime të bukura.

Lapsit të shkrimtarit Dedë Rramani nuk do t’i shpëtonte edhe pasqyrimi i mbresave dhe përshtypjeve nga një vizitë në Stamboll, së bashku me mikun e tij Zef Gjonin.Vizita në trojet e perandorisë bizantine qe mbreslënëse. Autori mrekullohej nga pamjet e vendeve nëpër të cilat kalonte duke shijuar kontrastet mes panoramave të buta dhe zhvillimore të Perandorisë Osmane dhe prapambetjes së vendit të tij në disa aspekte. Autorin nuk e mahniti vetëm pamja madhështore e Stambollit, por edhe ura epike mbi ngushticën e Bosforit, Xhamia Blu, Pazari i Madh apo hotel Mati.

Libri i Dedë Rramanit zë vend të veçantë në thesarin kulturor - letrar. Këtë veper e bëjnë interesant subjektet e zgjedhura dhe të ritreguara artistikisht, përdorimi i figurave letrare rrëfimi i thjeshtë dhe me emocion. Ky shkrimtar, tashmë i afirmuar, ka ngjallur shpresa tek lexuesi se në të ardhmen do të përfaqësohet denjësisht me vepra të reja duke synuar mbrojtjen e dinjitetit kombëtar shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...