Në Ulqin po kthehet tradita e lashtë detare

Kultura

Në Ulqin po kthehet tradita e lashtë detare

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 23 shtator 2019 Në ora: 19:53
Ekspozitë e modeleve të anijeve dhe fotodokumentave të detarisë ulqinake

Është e natyrshme që në Ulqin  të mbahet gjallë tradita e lundrimeve. Kjo falë përpjekjeve të veteranëve të flotës tregtare dhe kontributit vullnetar  të grupit punues entuzisat  të fushave (profileve) të ndryshme “Anija ilire ulqinake” në përbërje : dr. Ilir Çapuni, dr. Anton Lulgjuraj, Gazmend Çitaku, Sami Flamuri, Muho Uruçi, Ammar Tivari dhe  Arsllan Hajdinaga. Falë këtyre adhuruesve dhe dashamirëve të detarisë së lashtë të Ulqinit të premten në mbrëmje, më 20 shtator 2019, në mjediset e restorantit “Plaza” në Ulqin u hap ekspozita “ Detaria e Ulqinit në shekuj”. Në këtë veprimtari kishte një pjesëmarrje të konsiderueshme personalitetesh të njohura  jo vetëm nga fusha e artit, kulturës dhe shkencës, por edhe ajo politike, si nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Genci Nimanbegu, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve  Faik Nika, kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, ish-deputet shqiptarë  kryetar të subjekteve politke shqiptare, detarë veteranë dhe të rinj, familjarë, dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme. Në këtë mbrëmje me praninë e tyre  nderuan mysafirët nga Herceg Novi, studiuesi Dragan Gaçeviq dhe Shefqet Kërcelli, sikurse dhe  miqtë e Ulqinit nga Tivari. 

Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqi, në fjalën përshëndetëse vlerësoi punën e organizatorëve për përcjelljen e traditës së detarisë dhe premtoi  se institucioni që ai e drejton gjithmonë do të mbështesë aktiivitete të këtilla.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Ulqinit dr. Ilir Çapuni, në emër të organizatorit fjalën e tij e nisi  me pohimin se  “ kur një fëmijë fle, trupi i tij i njom rritet.Por kur  një popullatë a një qytet fle, ai vdes dhe harresa ia mbulon historinë.Kur një popull kotet, indiferenca e injoranca ia shlyejnë gjurmët dhe mbetet i vogël”. Dr. Çapuni  në vazhdim  u shpreh se  në  panelet  e ekspozitës janë paraqitur me foto o dokumente të rëndësishme të historisë së detarisë së Ulqinit   si dhe njerëzve që i kanë dhënë jetë asaj, i cili gjendet  në arkivat  private familjare ulqinake, të cilat  me përkujdesje e i ka mbledhur studiuesi Gazmend Çitaku sikurse edhe arkivi fotodokumrntar i tij. “Para jush sonte janë modelet e anijeve të rëndësishme . Dy anijet më të mëdha me pronarë shqiptarë Poskiq dhe Mashalla Bilali. Luftëanija Zenta e cila është fundosur jo larg Ulqinit në betejën e parë të Luftës së Parë Botërore. Modelin e titanikut malazez Brindisi dhe atë të Liburnës ilire. Ky është projekti i parë dhe jemi duke punuar në një projekt tjetër madhor, në ndërtimin e modeleve të anijeve tipike ilire e ulqinake ndër shekuj”, tha Çapuni, duke shtuar se me këtë veprimtari   , edhe pse pa marinë dhe pa shumë anije, po kthejmë kulturën detare në Ulqin. 

Studiuesi Gaznend Çitaku, autor i dy monografive fotodokumentare të detarisë së Ulqinit, foli për lidhjen e ngushtë që kanë ulqinakët me detin dhe lundrimin gjatë shekujve. “ Ulqini është sinonim për detin. Muret e kësaj kështjellë ( kalaje) i rrahin pandërprerë valët e detit.  Nga deti ulqinakët kanë nxjerrë jetesën. Bukë e gjak. Shumë ulqinakë kanë rritë trupin  nëpër kuvertat e anijeve. Aty janë formuar dhe burrëruar. Ata më të fortit  dhe fatlumët ktheheshin në shtëpitë e veta, të tjerët thyenin zemrat e nënave, nuseve, fëmijëve. Ulqini ka shumë legjenda lidhur me detin . Ulqinakët i këndojnë detit. Edhe shumë valle, ceremoni e adete i kanë të lidhura me detin”, tha  ndër të tjera Çitaku.

Kjo ekspozitë synon t’i japë  një shkëndi tjetër  dëshirës së shprehur kohë më parë të organizatorit për krijimin e një muzeu të detarisë në Ulqin , siç e kanë të gjitha qytet e mëdha portuale.

Ekspozita është një shenjë nderimi dhe kujtese për të gjithë detarët , veçanërisht për ata që nuk jetojnë më. Poashtu edhe për të gjithë ata që punuan dhe sakrifikuan për krijimin, rritjen dhe modernizimin e flotës ulqinake  tregtare. Evidentimi i tyre dhe përcjellja e kësaj tradite te detarët e rinj, përbëjnë detyrimet kryesore, që grupi nismëtar “ Liburna ulqinake” i ka vënë vetes që në krijimin e tij.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat