Rrjedhshmëria e frymës dhe e traditës artistike

Kultura

Rrjedhshmëria e frymës dhe e traditës artistike

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 10:23
Melihate Qena

(Hapërimi drejt një jete të gallë)

Për regjisoren dhe aktoren e merituar, Melihate Qena

Nga: Remzi Limani

Nën dritën e fanarit të saj ndihesh i relaksuar, sikur i mbushur plot jetë, plot energji pozitive, sepse forca e saj prej njeriu që diti të ecën nëpër kohë të liga e rrugë zigzage, zbardhi shumëçka. Shpeshherë heshtja e saj vinte si klithmë e kohës së pakuptim, e kohës njerkë, e cila sikur edhe akrepat e kohës i kishte kurdisur për ecje më ndryshe për të shlyer çdo gjurmë e sukses të arritur të kombit, veçanërisht në fushën e artit dhe të kulturës sonë të përbuzur nëpër shekuj.

Regjisorja dhe artistja Melihate Qena, nuk ndaloi, por pathyeshëm vazhdoi rrugën e rezistencës intelektuale, vetëm e vetëm për ta luftuar të keqen dhe vështirësitë e saj përplot furtuna e dredhi ndër më të ndryshmet me tendencë asgjësimi të çdo gjëje të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore. Meli, siç e thërrasim ndryshe, vazhdoi hapërimin e saj drejt jetës së gjallë për krijimin e një arti që u mungonte fëmijëve tanë. Ajo nuk ndaloi as të merrte frymë, por guximshëm e sypatrembur lundroi mbi valët e jetës, pa u hamendur, në mënyrë që të arrinte aty ku është sot. E mbuzur pranë fëmijëve, duke ua falur atë që e ka në shpirtin e saj prej artisteje, ajo sikur jeton e ushqyer me buzëqeshjen e tyre, që e mbushin me energji krijuese, e mbajnë të fuqizuar mendjen e saj për të krijuar projekte të reja në fushën e regjisë dhe të aktrimit.

Melihate Qena lindi me gjenin e dhuruar për artin dramatik dhe kulturën e përgjithshme, që flet me gjuhën për ta kuptuar të tjerët. Prandaj, ajo posedon atë kulturë që frymon në të gjitha poret e jetës së njeriut, me arsimim të mirëfilltë, mirësjellje e talent krijues të një vizioni të qartë për punën kreative, artistike në funksion të kulturës së gjithmbarshme të shoqërisë sonë. Ajo rrjedh nga një familje artistësh me traditë të cilët, ndër të parët, vunë në skenë fjalën shqipe dhe filluan të komunikojnë me gjuhën teatrale para publikut në Kosovë, duke dhënë një kontribut tepër të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të re për sensibilizimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare të artit në përgjithësi. Melihate Qena ishte njëra ndër themelueset e para të Teatrit të Kukullave (sot “Dodona”) në Prishtinë, e cila edhe sot mishërohet në role të ndryshme dhe në përgatitjen regjisoriale të dramës shqipe dhe shfaqjeve të kukullave për fëmijë, shfaqje këto më të dashura për shkollarët tanë të vegjël.

Puna e saj në këto rrjedha është e ngjeshur dhe e gatuar me butësi, me një ëmbëlsi e dashuri tjetërfare, por edhe sjellje njerëzore. Ajo i veshë fëmijët me frymë e kulturë teatrale, shndritur si hëna në dritare, së bashku me kukullat dhe shkëlqimin në sytë e tyre me një gëzim e buzëqeshje engjëllore për lojën që vihet në lëvizje në trajta të ndryshme, të cilat gjatë lojës shndërrohen edhe në imazhe kafshësh të ndryshme të veshura me ngjyrat e ylberit e zërin e aktorëve ëmbëlak që prapa perdeve ua falin shpirtin e tyre kukullave për t’i detyruar të flasin me zërin e vërtetë. Fëmijët shumë kurioz thithin çdo fjalë që këndshëm bëlbëzojnë këto kukulla leckë a kartoni dhe nga materialet e tjera të mbushura përplot gjallëri të pasur me koka të ngritura prapa perdeve magjike që bashkë me hënën bien mbi kulmet e fjetura në sfondin e qiellit blu.

Melihate Qena ka mbaruar Akademinë e Arteve për Teatër, Film dhe Radiotelevizion në Beograd. Është kuadër, tërësisht e mishëruar dhe ngushtësisht e lidhur me profesionin e saj prej regjisoreje dhe aktoreje, ngase punon me frymë jete, me përkushtim e dashuri profesionale përmes gjuhës magjike të kukullave, komunikon me botën e fëmijëve, e cila duke ua falur shpirtin me tërë qenien e saj, përmes lojës së kukullave, përplot ngjyra e befasi të tjera, i fut në rrethin magjik që të lënë me gojë hapur dhe me tërë qenien njerëzore, të futin në botën e tyre të mrekullueshme.

Nga puna e saj krijuese, do të veçojmë disa projekte me rëndësi që dolën nga fusha regjisoriale e Melit.

Sipas poezive të Samuel J. M., Melehate Qena, bëri dramatizimin dhe regjinë e shfaqjes së kukullave për fëmijë, “Minuku Lozonjar”. Premiera e kësaj shfaqjeje u dha më 20 maj 1991, në ish-TPK. Kjo shfaqje pati sukses shumë të madh dhe arriti të reprizohej 158 herë, me një numër rekord të shikuesve prej 39,419 veta. Pastaj “Posta e porositur” nga autori Mark Krasniqi (1991), me 109 reprizime dhe me 23,245 shikues. Po ashtu, në regji të Melehate Qenës, vihen në skenë edhe këto shfaqje: “Picërraku” i Karel Novakut, “Kënga si dhuratë” nga Shaip Grabovci, “Përralla me lara” dhe “Qeni që nuk dinte të lehë” i Gjani Rodarit, “Një minak për nipin Mak” i Samuel J.M. Mandej, “Goni trazovaçi” i Adelina Mamaqit, “Llamba magjike e Alajdinit” nga Nina Gernet, “Top hopi” nga Jan Malik, “Po” nga Gani Xhafolli, “Kësulëkuqja” nga Vëllezërit Grim, “Goni në fushën e minave” nga Adelina Mamaqi, “Princesha dhe dragoi” nga Anton Çetta, “Sytë e gjyshes” nga Arif Demolli, “Tërë bota kosovë” i Hajro Ulqinakut, “Në dhomën katër me tre” i Agim Devës, “Konkursi” i Abdyl Bunjakut, “Xhuxhi taxhuxhi” nga Rifat Kukaj, si dhe shumë e shumë projekte të tjera. Dhe, për fund, duhet përmendur edhe Festivalin për Fëmijë dhe të Rinj, “Liria nuk do të dëshpërojë”, i cili u mbajt në Prishtinë më 1999. Një prej iniciatorëve të këtij festivali ishte teatri “Dodona”, me regji të znj. Melehate Qenës – Melit.

Falë punës së palodhshme dhe këmbëngulëse, Melihate Qena, edhe për shumë kohë në mesin tonë, do të mbetet një brerore që do të rrezatojë në vazhdimësi…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat