Shpirti i emancipuar poetik i Zonjës Drita Nikoliqi Binaj

Kultura

Shpirti i emancipuar poetik i Zonjës Drita Nikoliqi Binaj

Nga: Baki Ymeri Më: 10 janar 2021 Në ora: 06:29
Kopertina e librit

Drita e mbjell besën në shpirt dhe me çdo fjalë lirie thurr vargjet e saj. Vargje shumë të ndjera janë vargjet për Shkodrën, vendlindjen e Nënës së saj. Me të mundëm shekujt dhe djajtë dhe bëmë tokë të shenjtë Shqipërinë. Dashuria mbetet si një pamje magjepse për shpirtin e njeriut. Dashuria në shpirtin e një femre digjet përjetësisht edhe kur ai bëhet fati i tjetër kujt. Shpirti i një poeteje ka të ndryme këngët e dashurisë së të gjithë të dashuruarve të botës.

Dr. Stavri Trako

Poetesha Drita Nikoliqi Binaj, në vëllimin poetik “Si ta pagëzoj Heshtjen”, na sjell me finesë, nëpërmjet gjetjeve artistike, përvijimin e shpirtit të femrës së emancipuar shqiptare. Me modelin Dantesk, ajo të merr për dore për të eksploruar në shpirtin poetik të femrës, nëse do që ta provosh ëndrrën e dashurisë, ta kuptosh zemrën e një vashe të dashuruar, të ndjesh dridhmat e zemrave të dashuruara, të ndjesh dhembjet e dëshirave të papërfunduara, të digjesh nën diellin e plagosur të jetës së zjarrtë të një gruaje. (A do ta gjej). Dashurinë e ruan loti e syrit dhe mëshira e zemrës që shëndrron në një gurrë që shpërthen dëshirat kur jep dashurinë. Shpirti poetik i krijueses ka të ndryme në secilën poezi një këngë të të dashuruarve.

Dashuria është sprova më e lumtur që kalon njeriu. Është një sjellje emancipuese që zbukuron si gonxhja e parë kopshtin e thatë të zemrës së vetmuar. Merr jetë nga drita e syve që arrin ta shëndrisin zjarrin e dashurisë në çdo deje. Dashuria në shpirtin e një femre digjet pejetësisht edhe kur ai bëhet fati i tjetër kujt. Edhe kur atë e gjen thellë në skutat e shpirtit të vetmuar dhe të përhumbur, e kupton se ku e gjen forcën t’i mbijetojë dhimbjes së humbjes. Atë e ruan loti i syrit dhe mëshira e zemrës që kthehet në një jehonë të guvës së shpirtit të saj që mund të shpërthejë prej dëshirash të mekura, po ta detyrojnë të flasë. Shpirti i një poeteje ka të ndryme këngët e dashurisë së të gjithë të dashuruarve (Është natë). Miku më i mirë është më shumë se kënga dhe fjalët e bukura: “Është raja e shtimun në gji/ Njeriu më besnik i jetës” (Për ty).

Dashuria si ndjenjë është sprova më e lumtur që përjeton njeriu. Është një sjellje emancipuese që zbukuron si gonxhja e parë në kopshtin e thatë të zemrës së vetmuar. Ajo fillon të marrë jetë nga drita e syve që shëndrrisin me zjarrin e dashurisë që depërton në çdo dejë të qenjes së dashuruar. Dashuria është një flakë që digjet përjetsisht edhe kur ai/ajo bëhet fati i tjetërkujt (Të dua). Dashuria kthehet në bulëza loti dhe ofshamë shpirti, dhe ajo ka për dëshmitare ”Hënën e të Dashuruarve“. Por dhembshurisht, dashuria e parë shkretohet si një folezë e vjedhur (pa dhimbje në zemër dhe me gëzim të fikur në sy). Puthja që derdhet nga saksia e dëshirave në lulëzim. Qeshja që është fashitur nga flaka e zjarrit të syve të pangopur. (Isha si qielli i thatë).

Poetja lundron në universin e saj poetik, andaj nuk e koncepton si fatalitet shuarjen e Dashurisë së Parë, që nuk e sheh si fashitje të një vullkani të lodhur, dhe gjithësesi nuk do që mallin e sajë ta shuajë me lotë. Dashuria mbetet në kujtesë si një dhuratë e bekuar lumturie, andaj ajo është gati t,i falë sytë dhe kronin e lotëve të ëmbël, që të mos vyshken kurrë lulet e dashurisë nga brengat e shpirti (Jo nuk dua). Emri i të dashurit është si një skript në gurë që i përshfaq qënien e tij, si një gjurmë e shëndritshme e ndërgjegjes së dashururisë së parë, që here-herë shëndërrohet në një gozhojë çmëndie dhe rrufeshë dëshprimi. Aty, çdokush provon humnerën e dhimbjes së qerthulluar prej errësirës, ulërrimës dhe frikës. Dhe përkufizimi filozofik, sipas poetes, është: Dashuria e pare. Më së shumti e lë njeriun me zemër të zhgënjyer, ngase nuk arrin të gëzojë pranverën e ëndërruar. (Gëzhoja e mendjes)

Për poeten Drita Nikoliqi Binaj, dashuria e parë shëndrrohet në këngë që ajo e quan shpresa e fundit, që nëpërmjet paradoksit Pikëllimi i fundit/ Gëzimi im i parë/ Fishkëllimë e trenit të haresës/ Në kohërat zhurmitëse. (E ç’të të them). Dashuria është një këngë e bukur mashtruese, po asnjëherë e përfunduar. (Këngë e papërfunduar). Ajo kthehet në ankth prej dëshirës së parealizuar. Çdo natë tretet e trishtuar nën shqetësimin e lumturisë. Edhepse është ikja, ajo nuk e turbullon shikimin e kristaltë dhe shkrëpëtitës të dashurisë. (Sonte). E dashuruara do të besojë në mrekullitë e çdo loti të shterur, sepse kërkon shkëlqimin e humbur në sytë blu. (Ëndërr e netëve Tua). Zemra e një femre është kristal, andaj poetesha beson se nuk ka tjetër përveç dashurisë së parë, se kaplohet nga stuhi e shpresës që i jep qetësi dhembjes që jep hare, por që në lojën e së vërtetës përfundon si mashtrim. Se është një ndjenjë që të shoqëron gjithë jetën, si peshë e së vërtetës, por, pothuajse askush nuk arriti ta përjetojë këtë magji. (Në mjegull jeta).

Me çiltërsi, Drita na kujton mendimin fatal për të vrarë veten me thikat e mallkimit, kur kaplohet çdo zemër e plagosur. Një gjendje alucinative me përjetime të turbullta të vallëzimit të siluetave të dëshirave. (Diçka më ishte e turbullt). Dhe lexuesi, së bashku me poeten, ecën në mijëra shkallë pikëllimi për të mbëritur te dëshirat e coptuara të fillimit të dhembjeve, për të mos pranuar fatalitetin. Për të na sjellë në realitet, poetja na kujton se poezia e saj është vetëm një rapsodi e dhimbjes, e luajtur me telat e këputura të çiftelisë së fatit. (Do të na këndojnë). Ajo nuk bën përjashtim nga kjo gjasë fati kur thotë me fjalë të tjera, se ke qënë banori vargjeve të mia, se emri është fshehur në zemër dhe se ai nuk është kalimtar që kërkon strehim në shpirtin e një ëndërrueseje. (Nuk më kujtohet).

Këtu ka ditur me mjeshtëri të njësohet me shpirtin e lexuesit të saj. Te poeti është në zemër si lumi pa shtratin e vet, në këngët, në lotët që djegin dhe përvëlojnëqë e kthehen çdo ditë si kobndjellës, apo si dhembje që shkakton plagë në një hije që e përciellë fantazmën e dëshirave të heshtura. (Lotë që djegin) Nuk është e vështirë të kuptosh se poetja ka marrëpërsipër të të eksplorojë çdo qelizë të mendimit, pra, atje ku ka lindur poezia. Duke hequr një paralele me misionin e Artemisës, kur zemra e plagosur niset për të gjuajtur fatin e vet me armën e shpresës. Por ajo e di mirfilli se me drithërimat e shpirtit nuk goditen gënjeshtrat e syve të Narcisit, dhe as me plumbat e mallit të djegur. (Më kot). Dhimbja ia copëton shpirtin në mijëra copa si një mozaik i shkatërruar. Në sy, rrufetë dhe në fytyrë kaltërsia e qiellit. Armët e poetëve, nxjerë nga librat e vjetër, qafore fjalësh, histori të shkrumbuara, në damarë as gjak dhe as ujë. S’ka si të jetë ndryshe. Mbërin në cakun e fundëm të Ferrit. Këtë e provon shpirti i plagosur. Por jeta vazhdon. Një puizë pranvere në vranësinë e fytyrës, fillon të ringjallet shpirti.

Fatin duhet ta kërkosh. Ai është atje te turma e njerëzve, në teatër, në rrugë, atje ku jeta vazhdon

Nga kujtimet e djegura motesh, kërkon të kthejë dritën e shpirtit, agun e diellit dhe cicërimat e zogjve: poezia çliron së pari buzët e ngrira, i kujton gjithkujt se koha është treguar dinake dhe se nuk ka ditur as të niset, e as të mbesë. Ka një mësim në jetë. Duhet të drejtojë duart që ta kapërcejë këtë brengë që vetëm kujtime di të ngjallë. (Si t’ia bëj). Magjia e poetes është “Kënga”, andaj dhe Drita të fton, që në natën e bukur të këndojë. Në ahengun e qetë dhe mashtrues, kjo është jeta dhurata më e bukur. Dhembjen e sheh në sy dhe botën dëshiron ta shuajë pa lotë. Këngën dhe në dhembje dhe në gërç e do. (Këngën e dua). Duke i qëndruar besnike stilit të saj, Drita Nikoliqi Binaj nxjerr nga nënvetëdija fantazmën e dëshirave që heshturazi shpërthejnë me këngë vajtimi, duke dashur të ndërgjegjësojë lexuesin e saj se askend nuk e mallëngjejnë ato këngë për të ringjallur shpirtrat që ndihen të vetmuar, të heshtur dhe të përvuajtur. (Nënvetëdije e dëshiruar). E ngrirë prej lumturisë së humbur, poetja kërkon të ngjallë vrrullin e ri për jetën me këngët e jetës që shpirtit të plagosur i japin ngrohtësi, buzëqeshje, që mund të bëjnë një hap kah ti, edhepse kohën e ka armike që ia le ditët përpara të varosura dhe agun e ri të robëruar. (Kohën kam armike). Rrugëtimi për te jeta e ardhme, poetesha kosovare e kalon nga nënvetëdija e saj, tek vetëdija e lexuesit.

Është si një zë i huaj që u pëshpërit syve të tu blu dhe shkëndijon gëzimin aq shumë të mashtruar. (Nuk jemi më). Zgjimin e mendimit e bën tek lumturia e mashtruar që nuk zgjati deri në amshim. Poetja të bën të vetëdishëm që koha që kaloi nuk u kthye për askend. Me shpresë se dikush do të trokasë në derë, por jo dhe ai. (Edhe më tutje e vetmuar). Fatin duhet ta kërkosh thotë poetja. Ai është atje te turma e njerëzve, në teatër, në rrugë, atje ku jeta vazhdon. Pa pretendime, vetëm të vijë nga lindja, nga perëndimi, me shiun, borën dhe erën, në dritën e diellit, në hënë, errësirë, vetëm eja! Në planin filozofik duhet që fatin e jetës mos me e përbuzë, dhe të gjesh bukurinë e jetës kudo ku jetohet. Sipas poetes çdo gjë ka rrjedhën e vet, në këtë jetë vetmia çuditet kur e gjen ngrohtësinë e dëshirave në kraharorin e atij që pret. Poetja të kujton se jeta buzëqesh në sytë e agimeve dhe hyn si dritë rrufeje që sjell rreze dhe shpresa të mëdha. (Dritë rrufeje).

Ajo beson se pranvera zgjon zemrën nga gjumi kthen kaltërsinë, me bindje se do t’u largohesh edhe rrugëve që dikur kishin vrapuar nga lumturia. Koha mbyll plagët dhe fashit mendimet. Kërkohet dikush tjetër për të përtërirë ndjenjën dhe për të përzënë hijen e vuajtjes. (Në vuajtje jam shndërruar). Nëpërmjet paradoksit, poetja pohon filozofikisht gjendjen shpirtërore nën hijen e vuajtjes, ku vendoset njeriu: qeshje e marrëzishme, hamendje dhe lotë në ditë gëzimi, por për më tepër as zotit nuk i friksohesh kur fatin e moteve e mbartim si bonjak rrugëve. (Ç’të them sonte). Me lojën e metaforave me metoniminë, poetja arrin të përcjellë përplasjen e nënvetëdijes me vetëdijen, kur plaga e zemrës nuk është shëruar ende. Më çiltërsi ajo pohon: E vërteta nuk ndërrohet me gënjeshtra, harresa nuk është në gjendje të shporrë kujtimin. (Vetëm heshtje). Ndrymjen shpirtërore të kujtimit e përqas si një mbyllje në atomin e frymëmarjes së dëshpërimit, sepse shpirti i ka kthyer në rob fjalët e thëna në orët e vona. Por fjalët e robëruara nuk e kanë mprehtësinë e tehut që lotin e ndajnë më dysh. Dashuria e robëruar brenda shpirtit ia verbon çdokujt të ardhmen. (Orët e vona). Metonimia arrin në fjalën e artë: Shpirti vritet nga dashuri të akullta që e shtynë në shtigjet e errëta të vuajtjes. Fajëson sytë që shëndrohen në mashtrues të lumturisë të cilën nuk e ndëron me lumturini e e rreme të rasteve flirtuese, ku heshtja lodron në kokën e lodhur. (Dhembje më solle dhuratë)

Poetja shmang klishetë dhe hermetizmin hapur, kur pohon se nuk është ngushëllim dënesja prapa dyerve të huaja, puthjet dhe epshet prapa shpinës së Zotit dhe virgjëria e dorëzuar, për të gjitha shoqëritë e rrezikshme. Prandaj, njerëzishëm ndërgjegja kërkon një minutë heshtje për të vërtetën e butë që e etur u shua. (Një minutë heshtje). Metonimia migjeniane, jeta e reckosur dhe sytë të përgjumur prej urisë janë vrasësit modern të ndërgjegjeve mjerane që i mundon ndjenja e besnikërisë dhe e tradhëtisë. (Jetë e leckosur). Pas zgavërimir shpirtëror që provon qënia e pafajshme femërore, tek e cila pervijohet dilema e jetës familjare, kur e hutuar para tjetër kujt u zgjua. Dhe në këtë lojë tragjike, -thotë ajo, kemi Zotin dëshmitar në çdo skaj të jetës të të përcjellë, ngaqë njeriu është i detyruar nga jeta. (Ku humbëm). Jeta, thotë autorja, është kapërcim në kohëra duke iu fshehur botës, por jo dhe vetëvetes. Të bën qesharak kur e kërkon dhe e kupton se vetëm kur bie. (Eh, jeta). I çdo lloji qoftë Mundimtari: gjithëmonë është i pangopur në vuajtjet që të sjellë. Përbuzës, ndjellakeqës, lakmitar që të përgjon të rahurat e zemrës, gjakatar, mizor i mendimeve të fashitura që të shndërrojnë në një qen besnik që laviret plotë dashuri, por vetëdija e shndërron në egërsirë. (O Mundimtar). E si për ta larguar makthin, poetja të kujton “Ëndrrën” që është si shoku apo shoqja e jetës me anën e të cilës njeriu përqafon shikimin e qiellit, dhe që në mesnatë sheh diellin të shkëlqejë. (Ëndërroj).

Jeta nuk ka kuptim pa ëndrra, sepse shpirti i poetit fal vetëm dashuri

Flirti përvijohet si një ecje në mjegullinë ku ikja është e pafjalë, pa shtrëngim dore, pa puthje. Një ndjenjë e bukur që rri e ndryme te dënesja, edhe kur hidhesh në një epsh të ri, por që nuk do rikthim. Përgjithmonë është një ndjenjë që të nanurit shpirtin. (Dhembje më solle dhuratë). Pohimi i ëndrrave sjell qetësinë e shpirtit dhe çdo hap i bërë kthen vetbesimin dhe të bën të lumtur. (Bëje një hap). Jeta, sipas poetes, është plot me udhëkryqe që me madhështinë, njomësinë dhe urtësinë e saj, të bën të kyçesh në vetëvete. Poetja vlerëson çiltërsinë dhe kërkon ta mbrojë nga tradhëtitë e kohës dhe të jetës. (Si ta emërtojë çiltërsinë). E paralelizon me pulëbardhat që i bëjnë shoqëri detit. Ngre dolli për poetin që në vargun e tij, urren dhe dashuron gjithësesi, sepse ai u ka thurrë himne ëndrrave të kësaj bote dinake. Por, margaritarin e dashurisë nuk e gjen dot. (Pulëbardha). Ofshama si gjuha e shpirtit, frymëtohet natyrshëm për çdo bukuri buzëmbrëmjesh si për të kallzuar se s’ka ndrymje për ndjenjën, se ato janë kushtrime të lirisë. Kuantiteti i ëndrrave, kur sendëzohen në vargje, kthehet në ofshama ndërlidhëse të shpirtit me yjet dhe rrezet e hënës. (Ofshamë Malli).

Ofshama është e qënësishme në çdo varg të këtij vëllimi poetic. Me to poetja i jep jetë metaforës, mbretëreshës së vetmisë. Mrekullisht krijuesja e këtij vëllimi poetik nëpërmjet metaforës ndërton ofshamën e dhimbjes, të halleve, dhe me të vërtetën e tyre të sendëzuar si përrallë në memorjen e njerëzve. Madhështisht vjen në varg miku i poetes, F. Agani që e mësoi ta dojë çdo fjalë të këngëve të saja dhe për çdo lot të mos bëhet rebele. (Vdekja të më marr). Po harroi një fjalë do të humb një ëndërr, për ndryshe shpirti kthehet në cunam dhe krijuesi në djall, për të cilin ngrihet një lapidar që meriton të lahet me lot mallkimi, se kaq rëndë godet e thellë vret krijimi, sa që për poetet të tillë as varr nuk u falë. I thërret O mëkatar, që vargjet i tret dhe ëndrrat t’i merr! Jeta nuk ka kuptim pa vargun e ngrohtë. Vargu duhet të shpreh shpirtin e poetit, se pa të nuk mund të kuptohet në thellësi jeta. (A shkruhet ma vargu). Kuptimet metaforike janë rizbuluese të jetës në shpirtin e poetes. Ato i japin kuptimin e duhur fjalës, andaj nuk ka bajloz që i mund. Fjala poetike është si gurë kilometrik që poeti vendos në universin e tij poetik. Fjala i shërben poetit si kali kalorsit në rrugëtimin e tij poetik. Meraku i poetes është te papërgjegjshmëria e ndonjë skribomani që padashur mund të shkruajë ndonjë fjalë pa mend.

Fundimin e fjalës ajo e gjen te poetët rebelë, të krisur, të dehur, që mund ta mbushin botën plot me helm me ato fjalë të pamatura që lëndojnë se shpirti i poetit fal veç dashuri (Fundi i fjalës ). Si për çdo poet, atdheu dhe miqësia zënë më shumë vargje në poezitë e saj. Shpirti dhe zemra e poetit i japin dritë çdo errësire të fjalës. Poetja vlerëson si të arrira ato vargje që kur I thurr, me to mund të bësh kurrorë, të rrjedhin si shi për të çelur luleborë. (Më beso). Poetja natyrshëm të nxit të flasësh kur vështron hënën, kur sheh vellon e bardhë të lidhjes së jetës. Nga gëzimi të fillosh të qash duke të bërë të besosh që këto vegime janë dhuratë e zotit. Poetja të bën të besosh te ëndërrat njerëzore. (Ëndërr e një nate vere). Poetja nuk të kërkon lotin, por do të të pajtojë me realitetin e jetës. Ajo të grish ta duash jetën. Poezia e saj nuk të kërkon vuajtjen e zemrës. Misioni i poetit nuk është të vajtojë por t’i këndojë jetës. (Mos qaj).

Jeta është si një lum që rrjedh drejtë së panjohurës. Ajo ka gëzime, pikëllime, vështirësi, lumturi. Ajo ka udhëkryqe plotë, por që natyrisht zgjidhjet nuk i ka se si t’i duash ti. Një moto duhet të kesh: duhet ta jetosh jetën. Ke apo apo s’ke dëshirë, duhet ta përballosh, se jeta s’ka mëshirë. E ardhmja është e mirëseardhur, sepse jetën e drejton bota. (Jeta) Dilema ështe se s’dimë si ta përjetojmë jetën, se brenda jemi ndryshe dhe jashtë luajmë tjetër lojë. Njeriu veç gabime bën. Jeta ka rrjedhën e vet e ajo s’mund të ndalet, sepse njeriu edhepse mund të ikë prej armiqve, por vetmia është vrasësja e tij. (Unë). Njeriu për poeten është sinonimi i jetës, është ajo dashuri e zjarrtë që thellë në shpirt na gjallon. Është tiktaku i jetës dhe të dridhmet e trupit. Është ëngjëlli që të mbron dhe mendimi që të le zgjuar deri vonë. (Je ti).

Dashuria mbetet si një pamje magjepse për shpirtin e njeriut

Për këngën e parë poeti shkrihet në jetë, se kënga rreh si zemër për një emër. Kënga e parë është hapi i parë drejt universit letrar, prandaj ajo ngjan si një lule dhe si një dashuri. Kënga e parë është caku i parë kur ai zë e fjaloset me jetën, por jeta nuk ta fal të vërtetën atë duhet ta zbulosh. (Kënga e parë). Poezia, si me magji, sheh ëndrrën e sylotit edhe në largësi detrash, vargu është kujtim. Poezia e mban botën të buzëqeshur dhe nuk të lejon të ndjesh vetminë. (Cilën fjalë njoha). Dashuria nuk është preh e dashurisë. Ao të thotë lamtumirë kur e lëndon apo kur e gënjen me fjalë të ëmbla. Kur nuk i përgjigjesh me ndjenjë se koha nuk i shëron plagët, duke kuptuar se gjysma e dashurisë qe një gabim, prandaj përballë gënjeshtrës vetëdija zgjedh lojën e fatit. (Shko). Dashuria është e pagjumë, dikush patjetër rri zgjuar, e tjetri e sheh atë në ëndërr, e mos qoftë kjo është një shpresë e ëmbël. Poetja të nxit të përjetosh për dashurinë, sepse ajo të jep vullnet e besë. Vetëm kështu gjumi vjen mes lotëve të ëmbël. (Para mesnatës).

Shpirti poetik i Dritës është përballur me përbuzjen edhe të gjakut të vet, por prapë ajo jep buzëqeshje të pikëlluara e të pakufishme, sepse të dy, shpirti dhe gjaku, janë të lidhura me Atdheun dhe të kaluarën e tyre. (Atdheu). Poeti kthehet në Ante, vetëm kur nuk i shkëput lidhjet nga atdheu i tij. Edhe e detyruar në ikje, poetin e shtrëngojnë me ftohtësi dhe me çmenduri, me urrejtje dhe e shqetësojnë me marrëzi. Por dashurinë e gjakut të vet, poetja e pret deri në amshim. (Gjaku i gjakut tim). Për poeten Drita Nikoliqi Binaj arti nuk ka si të jetë mëllef që luan gurë dhe kufijtë, as qortim i helmet, as si fshisë e mërgimtarit, se poeti ndjek shkëlqimin e margaritarit. (Më kupto). Prej Atdheut, poetja kërkon zgjatjen e duarve të ngrohta dhe zjarrin e zemrës. Ai duhet të më thirrë, thotë ajo, që të ndez flakën e fundit. Edhe në rrugën për amshim, të kthehet e ta ndalojë, kërko ta mbaj në shtrëngim se është flaka e fundit e zemrës, dëshira e fundit, të mos iki pa lamtumirë. (Ktheu më ndalo). Poetja larg atdheut ka të shenjtë të ëmblën buzëqeshje, por me dhembje në zemër vetshpallet hero, se shumë here e vranë e prapë u ngjallë, është e varfër se pa mendu jep shumë e pakufizim, andaj nuk e meriton mashtrimin dhe ngatëresën nga gjaku I saj që e përçan me vetmi shpirtin tim. (Mallkim gjakut tim). Poetja ka provuar edhe dështimin, nga iluzioni për të vërtetën, por prej shkrumbit u ngrit të fluturonte si shqipe e me shikim të gjatë e prapa më nuk shikoi.

Edhepse poezia si art professional i ofron vetminë, ajo tenton majat se krijimi lind nga ankthi si dita prej natës së errët duke kapërcyer veten. (Kapërcen veten). Poetja ka përballur vrullshëm sfidat e jetës ,në fluturimin për mbijetesë. Ajo i rrëfehet gjakut të vet që ta kuptojë që ia kanë vjedhur jetën, i morën dashuritë që kishte, i ndaluan dashuritë, i lanë pengun për të mos u ngopur me të dashurit, me fisin. Sfidat e jetës i ka kaluar vetëm me vetveten, por lumturisht është në jetën evërtetë. (Unë). Në udhëkryqet e jetës ”Urtinë” ia kanë shitur, me etje të ulta ka hasur kafshë grabitqare, përfitues, mashtrues të pangopur që u munduan t’i marrin gjithçka deri në betimin tim. Dhe shtigjet ia mallkuan, i hidhësuan mjaltin e saj, i fyen virtytet. Në helmet e tyre me bollëk iu mbyt edhe ajo që ishte më e shenjtë. E prapë u fal mëshirë. (Ua fala mëshirën). Peng e ka që nuk arriti ta provojë penën në gjini të tjera për të pasqyruar dramën egzistencialiste të njeriut të Ballkanit, që prej ligësive u shëndruan në uragan fuqie.

Për krijuesen, jeta letrare është tingulli më i bukur që të jep ngazëllim. Rrënuesit deshin t ia thyrnin pasqyrën e shpirtit të poetes por ajo u mbrrojt me vullnetin e saj. (Tregimi im). Shpirti i poetes, ka provuar orët e dëshpërimit pas ëndrrave të parealizuara, por asnjëherë nuk kërkoi lëmosha për dashurin, as pë urrejtjen, për vuajtjet as për lumturinë. I mblodhi ato në shpirt si ilaç dhe si helm, si kuje dhe si gaz, si dashuri dhe si dëshpërim që së bashku i ngujoi në shpirti e saj. (Shpirti im). Në shpirtin e poetes jeta i ka lënë shijen si bryma mbi lule, si vdesin iluzionet e bukura, se zemra nuk vajton më për ëndërrat e ëndërruara, por këndon vetëm këngën e qyqes. (Vdes ngadalë). Si krijue ajo ka qënë gjithëmonë e paepur, se ka ndjekur zërin e dëshirave të saja, është përpjekur të krijojë vlera si thesar. Për të gjithësesi brenda saj ka qënë e pafikur flaka e dashurisë për vyrtytet dhe asnjëher flaka e mëllefit. (U nisa). Poetja, kur niset drejt udhës së ëndrrës, merr dhembjen me vete, duke iu larguar sa të mundet ferrit e tmerrur te mos ndjekin vetminë e saj. (Dhembjen mora).

Në këtë vëllim poetik takon dhe personazhet migjeniane. Penës së poetes nuk i shpëton skami nën qiellin e errët me sfidat e dhembjes dhe me jetën e reckosur që fati vetëm i tradhëtoi, ata të ikurit nga kjo jetë me zemër të përvëluar. (Do iki). Poetja proteston kur kërkon nga ne që ta shikojmë jetën nën nën dritë, atje ku njeriu nuk sheh shkëlqimin e nuk njeh lumturinë e atij që e merr. Se ka ëndëruar marrjen e kënaqësisë vjedhurisht. (Unë jam dritë). Në vetmi, shpirti është si i zënë rob se në ndërgjegjen e pastër koha bën të vetën. (Ah vetmi). Poezia shpesh tenton të kthehet në proverb. Urtinë nuk e duan gojët e liga dhe të pangopurit. Zëri i bukurisë flet ngadalë dhe poeti është i interesuar për thërmiat e gëzimit. E djeshmja historike, kundërmon nga fundërinat, prandaj poetja kërkon heshtjen e bekuar pranë gurrës së ujit të çiltër. (Eja dhe ti). Drejtësia për poeten është magjia vet, vargu i saj rezaton optimizëm kur thotë, prapë të gëzohesh edhe kur shkëlqimi bie, se tek një femër nuk vdesin kurrë ëndrrat e rinisë. I vlerëson si çast hyjnor shikimet e dashurisë se të rrethojnë me ndjenja fisnike andaj ndihet si mbretëria dhe trashigimtarja e saj. (Urtia Ime).

Në drurin e ardhmërisë, çerdhe lumturie më lartë ndërtohen , se aty për fundërinat nuk ka konak. Ajo është stuhi dhe erë e fuqishme për të gjitha ulësitë se shpirti është katarakt që gurgullon. (Shpirti im katarakt). Jeta është përpoeten plotë mistere e pa fije lumturie, e mallkuar e me shumë dështime. Lotët dikur shterrin, sheh fytyra të qeshura dhe shkakun e gjen që ato s’kanë fat. E sheh si mallkim të shpirtit se mund të ketë vrarë dashurinë, andaj njeriu mbetet shkretë. Plagët nuk u shëruan kurrë, vetëm të kaluarën ta harrojmë, duke i lënë pa zbuluar. Por s’ka se sitë fshehësh lotët e përvëluar, zemrën e shkrumuar, mallin e pashuar. (Mllef). Aty von ka dhe nota fataliteti kur kërkon vdekjen për t’u larguar nga kjo botë e rrejshme, duke kërkuar botën e amshueme për t’u bërë shpirt i pavdekshëm. (Vdekjen kërkoj). Dashuria e vjetët ngjallet përsëri si zjarri që brenda djeg se zemra spranon të marrë këshilla dhe spranon mëshirë (Pse-të).

Por prapë poetja kërkon që streh për dashurinë duke i bërë apologji mendjes së atij që dikur e kishte lënduar kur marrëzisht me të ishte dashuruar. Vetëm një zemër e dashuruar mund ta thotë se sa shumë di të të dashurojë. Ajo shkon deri në akuzë kur thotë: Ti kënaqesh me vuajtjen time sepse ti je egoist. (A ke menduar). Dashuri mbetet si një pamje magjepse për shpirtin e njeriut, plot prrush e dhembshuri, por ajo nuk duhet të mbesë si një pishë e ndezur. Lind për të të zgjuar etjen, por të lë si shtazë të ngatëtuar nën një grackë qiellore. (Dëshirova). E prapë shpirti i trazuar i poetes dëshiron virtytin që qëndron lartë dhe besimin që i jep emër. Dikur kish pasione që e shëndronte në stuhi që fishkëllonte si e tërbuar duke hapur dhe të pamundurën, madje dhe dyert e vdekjes në arkivolin plotë ligësi me fantazmat ëngjëllore të jetës. Të mëson jeta si të dashurosh, por nuk ta thotë ndarjen si ta përballosh. (Virtyti im). Në epilogun e vëllimit respektiv, poetja këndon Himnin e bashkimit kombëtar, duke përshfaqur çastet më të përflakura të historisë kombëtare që i shoqëron me lahutën e malësisë dhe me plisin mbi balluket e ballit. Ajo është besimplotë te atdheu i dashuar. Drita e mbjell besën në shpirt dhe me çdo fjalë lirie thurr vargjet e saj. Vargje shumë të ndjera janë vargjet për Shkodrën, vendlindjen e Nënës së saj. Me të mundëm shekujt dhe djajtë dhe bëmë tokë të shenjtë Shqipërinë.

Për ty atdhe , Për ty Kosovë për dashurinë tënde lulevyshkur mbeti çdo nënë pa djalë është vargu lapidar që mbyll vëllimi. Kuptohet se fjalori poetik dhe pasuria shpirtërore e poetes Drita Nikoliqi Binaj ia lehtëson punën një studjuesi të letërsisë, kur merr përsipër të shkruajë për vlerat e një krijimi artistik. Kam bindjen se vëllimi poetik “Si ta pagëzoj heshtjen” i Drita Nikoliqi Binaj, do të mirëpritet nga lexuesit e saj dhe se është një kontribut kulturor për letërsinë kombëtare. (Kontakti: stavri_trako @yahooo.com, Tel. 00355 67 20 33 180)

Poezi nga Drita Nikoliqi Binaj

ËNDRRËN BËJ REALITET

Nëse s’mund të bëhesh buzëqeshja e dikujt

Mos u bër bezdisja e askujt...

Kur mendon se je në majën e malit

Mund të jesh në rrugën e pjerrët të djallit!

Jeta është si lumi që rrjedhë

Të qet mbi valë ose me vete të merr

Të përplas në të gjitha brigjet e fatit

Pastaj në detin e pa fund të hedhë...

Dhimbjen mund ta kthesh në forcë

Të fitosh Krenari, Dinjitet e Personalitet.

Ec e mos u ndal! Ëndrrën bëje Realitet!

BRODHA

Brodha tempuj, Olimpe e Akropuj...

Mbeta epokave me shpirtin hyjnor

Kalërova rëndë oqeane e kontinente

Duke fluturuar majave të malit

Për t’ju folur atyre s’pashë bariera

As semaforë ndalese as parlamente.

Lotët do ti gdhendi në gëzime

Që të rebelohem në pavdekësi

Virgjëria njerëzore nuk njeh kufi

Dashuria është plot me begati...

Nuk dua t'i njohë teoremat e Pitagores

As rregullat fizike të Njutonit

As ligjet juridike të Platonit

Por të hyj Sumereve

E të fluturoj tej Orionit.

LOTËT E PAJTIMIT

Dhimbja dhe krenaria e jetës sime
Më duhej të pritja në tjetër kohë
T’i hap krahët, të fluturoj
Të zgjoj zemrën nga gjumi
E në heshtje me ty të kuvendoj.

Mbi gurët e thepisur
Lotët e gëzimit të pajtimit
Mos t’i fshehim.
Për ferrat që na i ngulën në këmbë
E fajtor të pafajshëm na bënë...


FLUGË E PAPRITUR

Shpirti im i përvuajtur
Me dhimbjet që desh më vranë
Me zhgënjimet që si prisja
Nga ata që i mbaja pranë.

Shpirtin e kam lakuriq
Në acar të dimrit t'kaluar
Të ngrirë e të vetmuar.

Shpirti në mirësinë e vet
Është venitur e është tretë
Se kur shpirti është i vrarë
Sytë as veshët s'janë dëshmitarë.

Bajta gjat barrë në shpirt
Duke ditur e mos ditur
Për dhimbje e shtrëngatë
Që më flugën papritur...

LIDHËM BESË

Në qetësi theva heshtjen.
Me lot lava mallin
Që më digjte për Ty.

Me butësi të shtrëngova
Emocioni, trishtimi
Besimi u ngatërruan
Së bashku me heshtjen
Në dashuri u shndërruan.

Ardhmëria në shpresë
Unë e ti lidhëm besë...

TË KAM LARG O ÇAMËRI!

Të kam larg moj Çamëri
E dot s’i ngrej gurët e varreve
Të kam larg moj Çamëri
E dot s’e mbjell borzilokun

Në vatrat tua bujare.
Të kam larg moj Çamëri
E dot s’i zgjoj blegërimat e staneve
dhe as nuk mund t’i mbledh

E vetme portokallet...
Ah, të kam larg moj Çamëri
E malli më djeg si furrë.
Por kur, kuuur
Do të të shoh nuse
Që të zgjosh djepe

Male, dete dhe gurë?

DREQ DEMOKRACIA

Në dreq shkoft’ kjo demokraci

Na përçau e na ndau

Luftë e dreqit kjo ideologji

Disa në njërën anë

Disa kapërcyen hendekun

E të tjerëve u ndihmoi zgjuarsia.

Forcat e të gjithve nuk janë njësoj

Për të dalë në anën e „demokratëve”

Disa kanë shumë miq

U ndihmon pedana disave më shumë

E disave më pak...

Në dreq vaftë kjo demokraci

Që po minon të tashmen

E të ardhmen tonë...

Në dreq ju dashnorët e Evropës

Që veç fasule i jepni kokës!

Vaftë në dreq kjo demokraci

Që krijon të shëmtuarën histori

Ndërmjet bijve dhe bijave të Kombit

Duke mbjellë ndasi, përçarje e armiqësi.

Krijoi një popull që jeton në kufi

Të mjerimit e të varfërisë

Drejtuar nga hajdutët e demokracisë.

A nuk është ky varr i hapur

Fundi ynë në duart tona

A nuk e beson ti se ky popull

Ka nevojë për ushqim

Mirëqenje e arsimim

Për zgjidhje të ndershme

Për të vërtetën demokraci

Që sjell mirëqenie e lumturi.

ARTI I FUQISË

Nga ky art i fuqisë plot egoizëm

Agonia, varfëria dhe perspektiva

Po reciklohen prej formës në formë

Duke ndryshuar ngjyrën partiake

Si kameleoni në arenë...

Kameleonët me "artin e fuqisë"

Vazhdojnë t’i grabisin vëmendjen njerëzisë

Grabitje për të justifikuar e treguar

Faktorët e mos suksesit për t’u ndërtuar

Kameleonët marrin edhe ngjyrë të re

Shpëtimtar të vetëdekoruar

Me "alamet universitete"

Luftojnë fuqishëm korupcionin

Për t’marrë pasuri për vetvete

E çojnë Kosovën kah Evropa

Me plot hendeqe e gropa...

Ah ky popull i verbuar

I shtrydhur e manipuluar

Kërkon ilaçin e syve që të djeg në fillim

Por të bënë të shohësh më mirë

Duke të sjellur shërim...

Dila Gecaj

ZEMËRZANA E KOSOVËS

Shumë e dashura Drita

E këndshme si trendafilja

E shtrenjtë si Shqiponja

Bukuroshe e trojeve tona.

Të gjith të duam moj zanë e malit

T'i puthsha moj motër sytë e ballit

Drita moj mbretëresha e Kosovës

Motra e dashur e Ibrahim Rugovës

Pasardhëse e Adem Jasharit

E pavdekshme sikurse Teuta

Shota, Nora dhe Tringa e Smajlit.

Me ty mburret mbarë kombi

Të dashtë dhe të ruajtë Zoti!

Shpresoj që të t'takoj një ditë

Të t'përqafoj fort, e dashura Dritë!

Gëzuar qoftë për ty kjo ditë e shenjtë

Dashuria qoftë me ty, e t'përcjelltë për jetë

Jetën e paç të mbushur me plot mirësi

Me suksese, gëzime dhe lumturi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat