Ndërron jetë historiani i njohur shqiptar Prof. Dr. Akademik Shukri Rrahimi

Kultura

Ndërron jetë historiani i njohur shqiptar Prof. Dr. Akademik Shukri Rrahimi

Nga: Sadri Rexhepi Më: 12 mars 2021 Në ora: 17:39
Prof. Dr. Akademik Shukri Rrahimi

Ka ndërruar jetë në moshën 96 vjeçare historini dhe Akademiku Prof. Dr. Shukri Rrahimi nga Shkupi. Ai u lind në Nasalcë të Bujanovcit më 1925. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërkaq të mesmen, Normalen në Nish. Si para Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të pasluftës punoi mësues në fshatra të ndryshme, kurse pas vendosjes së tij në Shkup punoi në një bibliotekë të qytetit.

Nga literatura e bollshme dhe dëshira për thellimin e dijes ai regjistrohet në Degën e Historië në Fakultetin Filozofik në Universitetit e Shkupit, ku i perfundoi studimet në vitin 1960, ndërsa, në vitin 1974 mbaroi Doktoranturën në Fakultetin Filozfik të Prishtinës, poashtu në histori. Akademik Prof. Dr. Shukri Rrahimi ishte ligjërues i historisë në Universitetin e Prishtinës deri në pension. Gjithashtu, ai ishte ligjërues edhe në Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Shkupit. Ai ka shkruar shumë vepra dhe shumë punime studimore në revistat e ndryshme që botoheshin në shtete të ndryshme të Ballkanit.

Ai gjithashtu me kumtesat e tij ka marrë pjesë në Konferencat Ndërkombëtare rreth çështjeve që janë mbajtur në qytete të ndryshme të rajonit dhe më gjerë, sikurse në Zagreb, Shkup, Beograd, Lubjanë, Sarajevë, Sofje, Bukuresht, Stamboll, Budapest, etj. Mirëpo, në hapësirat shqiptare ka mbetur i njohur me veprën voluminoze (librin) me titull ”Vilajeti i Kosovës”, i botuar në vitet e 60-ta. Ka marrë pjesë me kumtesa shkencore në shumë simpoziume të mbajtura në shtete të ndyshme të Ballkanit. Profesori i nderuar dhe shumë i respektuar nga të gjithë studentët që kanë dalë nga dora e tij, Akademik Shukri Rrahimi, ka qenë deputet në legjislaturën e parë të Parlamentit të Maqedonisë (1990-1994). Akademik Shukri Rrahimi është nderuar në vtin 2003 nga Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit “Hero i Kosovës”.

Profesor akademik Dr. Shukri Rrahimi, ka ndërruar jetë dje në Shkup në shtëpinë e tij paqësisht në mëngjesin e hershëm. Ai ka jetuar në shtëpi me familjen e tij, ndërsa pas vdekjes së gruas para pak vitesh jetonte me djalin Ilirin dhe nusen e tij të cilët i lavdëronte shumë për përkujdesjen e jashtëzakonshme që kishin ndaj tij. Edhe pse këta të dy bashkëshortë të mrekullueshëm para dy viteve paten një tragjedi të rëndë, u humbi djali rreth 30 vjeçar ‘pa shenjë e pa nishan’.

U preftë i qetë në parajsë shpirti i profesorit të nderuar akademik Shukri Rrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat