Kur maçoku nuk është në shtëpi, minjtë bëjnë dasmë!

Kultura

Kur maçoku nuk është në shtëpi, minjtë bëjnë dasmë!

Nga: Hejza Art Më: 11 tetor 2022 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

HEJZA jo një herë ka theksuar se lakmia pas të huajës në lëmin e kulturës, ka bërë që artistët shqiptarë edhe më tej të mos njihen mes veti. Në këtë hendek kanë ndikuar një sërë faktorësh, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe: injorimi, mohimi, gënjeshtra, egoizmi, dezinformomi, mosinteresimi e sidomos interesi (i natyrave të ndryshme).

Përderisa midis Shqipërisë e Kosovës ka një dinamizëm në prezantimin e vlerave kulturore dhe një “njohje” sado kudo e dukshme, midis Shqipërisë dhe pjesës shqiptare të Maqedonisë së Veriut ka një ngecje të çuditshme.

Për hir të vërtetës, duhet theksuar se intenca shqiptare për fqinjësi të mirë, ka bërë që interesimi më i madh të shprehet për artistët maqedonas, ndaj dhe prezenca e tyre në ngjarjet kulturore të organizuara në Shqipëri është e dukshme.

Nga ana tjetër, në të shumtën e rasteve prezenca e “artistëve” shqiptarë në ngjarje të ndryshme, por edhe në botime të ndryshme, bëhet pothuaj sa për sy e faqe. Prezantohen apo edhe botohen ata që midis shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë anonim.

Janë botuar “shkrimtarë” të dokumentuar si spiunë që në organet e sigurimit jugosllav e maqedonas kanë raportuar vetëm për artistët shqiptarë dhe ngjarje të ndryshme kulturore, janë botuar shkrime (poezi, tregime) të atyre që e kanë përcjellë, bie fjala, veprimtarinë e Teki Dervishit e Jusuf Gërvallës, por edhe të shumë artistëve tjerë. Dhe kur jemi te Teki Dërvishi, nuk është e moralshme që në të njëjtën organ kulturor të prezantohet veprimtaria e tij, bashkë me spiunin që kishte për detyrë ta ndiqte atë në çdo lëvizje, por edhe t’i përkthente shkrimet e Dervishit për nevojat e sigurimit shtetëror sllavo-komunist, nga shqipja në gjuhën maqedonase. Çuditërisht, ata edhe sot e kësaj dite zënë vend nëpër portale e revista.

Natyrisht, kësaj gjendje i kontribuojnë edhe disa individë që shiten si artistë e që sorollaten nëpër Tiranë, duke u paraqitur si të vetmit shkrimtarë, artistë, piktorë e kështu me radhë nga Maqedonia e Veriut. Sorollaten dhe “i blejnë” miqtë me kafe e dreka nëpër restorante. Në fakt, ata nuk paraqesin asgjë në kulturën e shqiptarëve të Maqedonisë, por janë thjeshte tregtarë, sekserë, mashtrues që kanë qëllimi personale.

Pastaj, nuk është normale imponimi i shijeve personale si vlerë ose shfrytëzimi i disa lidhjeve, te cilat lidhje jo vetëm që janë të dyshimta, por edhe të rrezikshme, në veçanti për kulturën shqiptare.

Kulturës shqiptare nuk i bëjnë nder ata që shiten e blihen për dreka e darka, as ata që bëjnë çmos që artistët maqedonas t’i çojnë në ngjarje të ndryshme kulturo-turistike, për të siguruar një “botim” në gjuhën maqedonase apo diçka të ngjashëm, as ata që shpërndajnë mjegull nëpër Tiranë, duke u vet-shitur dhe vet-prezantuar si “ajka” e kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Është fatkeqësi e madhe që njerëzit e kulturës në Shqipëri akoma nuk i kanë perceptuar vlerat e vërteta të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Mbase, duhet të jete e qartë se kur “maçoku” (e vërteta) nuk është në shtëpi, atëherë “minjtë” (gënjeshtarët) bëjnë dasmë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat