Leksion nga historia e popullit shqiptar

Kultura

Leksion nga historia e popullit shqiptar

Nga: Esat  Mehmeti Më: 26 prill 2024 Në ora: 19:45
Esat  Mehmeti

Mbajtja e mbrëmjes autoriale me historianin, Romeo Gurakuqi,ishte e veçantë sepse kemi pasur të bëjmë me një leksion nga historia e popullit shqiptar që u mirëprit nga të pranishmit, ngaqë prezantime të tilla,të cilat na njohim me të kaluarën tonë në rrethana të reja shoqërore pa paragjykime e qasje ideologjike na mungojnë.

Eshtë bërë traditë qe nga subjekte të ndryshme  kohë pas kohe të organizohen përurime të librave, por rrallëherë të organizohen takime me autorë të ndryshëm. Por, kësaj here kemi pasur kënaqësi të përcellim dy mbrëmje autoriale, e para, më 6 mars të këtij viti, ku mysafir ishte gazetari dhe publicisti, Fahri Musliu, ndërsa të shtunën, më 20 prill po të këtij viti, mysafir ishte historiani, Romeo Gurakuqi (Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave, Tiranë). Organizator i takimit ishte KKSH-Komisioni për Kulturë, Media e Sport dhe Qendra e Kulturës në Ulqin.

Në këtë takim është trajtuar libri me i fundit i Romeo Gurakuqit “Shqipëria dhe tokat e lirueme 1939-1946”, që paraqet në botimin e dytë dhe të plotësuar, botuar në vitin 2023. Në libër trajtohen tri pjesë: koha e okupimit fashist italian (1939-1943), okupimi nazist gjerman (1943-1944) dhe e vendosjës së pushtetit të komunistëve (1944-1946).

Fillimisht historiani R.Gurakuqi, falënderoi organizatorët e takimit duke theksuar se “në Ulqin nuk jam për të parën herë, sepse këtu kam qenë edhe më herët në takime shkencore dhe private”. Më pas prezantoi disa të dhëna për librin i cili theksoi se ai është i një pune gjashtëvjeçare, ndërsa botimi i dytë është i plotësuar dhe i zgjeruar. Botimi veçohet me punë hulumtuese e kërkimore të arkivave të ndryshme si në Londër, Romë e gjetiu qe këtu prezantohen për të parën herë.

Më pas R.Gurakuqi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga Nail Draga, i cili ishte moderator i mbrëmjes, që ishin në koherencë me përmbajtjen e librit.

Demaskim i historisë ideologjike

Çështjet e trajtuara në këtë libër kanë të bëjnë kryesisht me Luftën e Dytë Botërore, që autori e trajton si një tërësi e përbashkët për popullin shqiptarë, e jo e ndarë sipas kufijve politik të Shqipërisë të vitit 1913. Ky botim dallohet nga të tjerët dhe autori është përpjekur të mos jetë identik sipas modelit të kohës së monizmit, sepse në rrethana të reja shoqërore e politike duhet të shkruhet e vërteta me argumenta e pa paragjykime, duke eliminuar qasjen ideologjike. Këtu kemi të bëjmë me një qasje tjetër, e cila edhe mund të mos pëlqehet nga studiues të ndryshëm, të cilët janë edukuar dhe përgatitur në kohën e monizmit. Pikërisht ky libër përpiqet të demaskojë të kaluarën ideologjike, duke o ofruar lexuesve shqiptarë  informacione  të cilët deri me tash iu kanë munguar.

Ngjarjet në LDB për shqiptarët kishin dy qasje, ngaqë okupimi fashist e me pas nacist, ndryshe është trajtuar në Shqipëri, si okupim klasik, por ndryshe për shqiptarët në ish- Jugosllavi e Greqi, sepse duke pasur parasysh diskriminimin e shqiptarëve në këto vende, okupimi është përjetuar si çlirim. Nga ana tjetër, edhe ribashkimi i viseve shqiptare me Shqipërinë, ishte në favor të bashkimit kombëtar, periudhë kohore e cila zgjati shumë pak, sepse me të përfunduar LDB-në, ata u mashtruan dhe  iu rikthyen vendeve të mëparshme. Ishte ky një mashtrim nga ana e politikës komuniste  nga ana e Jugosllavëve,e cila gjatë luftës kanë proklamuar vetëvendosjen e Kartës së Atlantikut.

Në këtë periudhë kohore, në Shqipëri,duke filluar nga 12 gushti 1941, u themelu “Ministria e Tokave të Lirueme” e cila administroi  me viset shqiptare qe iu bashkangjiten Shqipërisë.

Ndër veprimet themelore të kësaj Ministrie, duhet cekur hapjen e shkollave shqipe si në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi e Çamëri, që ministri i arsimit në atë kohë, Ernest Koliqi, dërgoi në këtë mision 200 mësues, qe  ishte në favor të arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Të gjithë ata qe jetuan në këtë kohë e kanë kujtuar me nostalgji duke e quajtur “Koha e Shqipnisë”, e cila nxiti ndjenjën kombëtare. Po ashtu kjo ministri themeloi “Institutin e Studimeve Shqiptare”, ku kanë marrë pjesë autoritete shkencore të kohës. Po ashtu duhet cekur edhe angazhimin në përpilimin e toponimisë shqipe, duke eliminuar atë sllave e cila ishte e pranishme në hapësirën shqiptare. Në këtë takim autori prezantoi partitë politike gjatë luftës dhe luftën për pushtet të komunistëve si dhe luftën qytetare, çështje e cila është trajtuar në mënyrë të veçantë nga ky studiues.

Ne këtë paraqitje po cekim  dedikimin e autorit të vendosur në fillim të librit: ”Ua kushtoj brezave shpresëhumbur, etërve tanë, intelektualë dhe partiotë, të cilëve iu mohua atdheu, iu privua liria, iu vodh jeta, heronjve të disidencës, që s´i lanë të jetojnë për t´na rrefyer dhe dëshmuar tragjedinë që përjetonte Shqipëria...“ , që dëshmon përkushtimin profesional për ngjarjet e ndodhura gjatë LDB-së në hapësirën shqiptare.

Nevojë për takime të tilla

Ndërsa, në përfundim të takimit duhet të them se të  gjithë të pranishmit ishin të një mendimi se për takime të tilla kemi nevojë, sepse ne nuk e njohim historinë tonë, e kemi mësuar atë ideologjike, duke mos e njohur realitetin. Andaj lirisht mund të themi se kjo mbrëmje ishte leksion i munguar nga historia e popullit tonë, me dëshirë qe takime të tilla të kemi sa me shpesh në të ardhmën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat