Protestojnë specializantët e stomatologjisë, Ismaili u premton punësim

Lajme

Protestojnë specializantët e stomatologjisë, Ismaili u premton punësim

Më: 2 maj 2019 Në ora: 11:41
Foto ilustrim

Specializantët e stomatologjisë të cilët protestuan edhe njëherë para Ministrisë së Shëndetësisë, kanë marrë sot premtim nga ministri i Shëndetësisë se do të punësohen në institucione publike.

Kështu bëri të ditur përfaqësuesja e specializantëve të stomatologjisë, Mirjeta Berisha, në një prononcim për media pas takimit që patën me ministrin Uran Ismaili.

Berisha tha se protesta e sotme është bërë pasi nuk ishin në dijeni të vonesave të Ministrisë së Shëndetësisë për të zgjidhur çështjen e tyre, ndërsa kjo është qartësuar pas takimit me ministrin.

Udhëzimi administrativ, sipas saj, nuk ka lejuar që specialistë të stomatologjisë të futen në QKMF ose në institucione publike shëndetësore, por kjo do të ndryshohet në bashkëpunim të stomatologëve specializantë me ministrin Ismaili.

Berisha: Premtimet e ministrit janë se shumë shpejt do të merret vendimi për ne

“Pavarësisht, që ka pasur shumë zëra kundërshtues brenda bordit të komisionit për udhëzim administrativ, të cilët kanë kundërshtuar që ne të mos futemi aty, premtimet e ministrit janë se shumë shpejt do të merret ky vendim, do të vendoset dhe do të shqyrtohet pjesa e udhëzimit administrativ, për shkak se kanë qenë disa arsye për shkak të vonesës, sepse janë disa specializime tjera që do të futen në këtë udhëzim, se do të futen aty përnjëherë. Ne sot e kuptuam se aty ka qenë arsyeja pse janë bërë këto vonesa”, tha Berisha.

Ajo tha se është një numër i madh i specialistëve të stomatologjisë që nuk janë sistemuar në sistemin publik shëndetësor, e që presin të punësohen.

Berisha: Mbi 150 specializantë të stomatologjisë janë të papunë

“Ka qenë diku përafërsisht 115, tash veç është rritur ky numër, 150 – 170 janë specialistw stomatologjisë që janë të papunë”, tha ajo.

Ndryshe, ky grup i specializantëve të stomatologjisë po proteston tash e disa herë para Ministrisë së Shëndetësisë, me kërkesën e vetme të tyre që të mos diskriminohen në aspektin e të drejtës së punës në institucione publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat