Vuçiq: Gati se është e sigurt që nuk do të ketë takim në Paris - Bota Sot
Vuçiq: Gati se është e sigurt që nuk do të ketë takim në Paris

Lajme

Vuçiq: Gati se është e sigurt që nuk do të ketë takim në Paris

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 16:19
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “është shumë e mundur” e “gati e sigurt” se nuk do të ketë takim të Parisit.

Në këtë takim, më 1 dhe 2 korrik, pritet të mblidhen udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

“Ky është mendimi im, do të shohim nëse kam të drejtë. Ne gjithsesi do të shkojmë nëse jemi të ftuar”, tha Vuçiq në një takim në Parlamentin e Serbisë.

“Druaj se vlerësimi im është i saktë, por shpresoj të gaboj. Mungesa e një zgjidhjeje nuk duhet të jetë kapsulë për të krijuar ndonjë lloj konflikti”, shtoi Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Takimi i Parisit është cilësuar si shans për të shpëtuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Vuçiq ka thënë se dialogu nuk do të vazhdojë derisa Kosova nuk e heq taksën.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Edhe më herët, gjatë ditës së hënë, Vuçiq tha se nuk është i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet.

“Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se dikush dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën”, tha presidenti serb në një takim me zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...