E vërteta e kasetës për masakrën e Izbicës

Lajme

E vërteta e kasetës për masakrën e Izbicës

Më: 25 mars 2021 Në ora: 09:20
Pamje nga masakra e Izbicës

Liri Lloshi ka dhënë versionin e tij të rrëfimit mbi të vërtetën e kasetës për masakrën e Izbicës.

Ai me detaje ka sqaruar se si janë bërë filmimet dhe kujt ia ka dorëzuar këtë kasetë.

Në shkrimin e tij, Loshi përmend edhe Xhavit Halitin.

Ju sjellim shkrimin e tij të plotë, pa ndërhyrje:

Është e vërtetë ajo që ka deklaruar Xhavit Haliti se kopjen e parë të kasetës së Izbicës ia kam dorëzuar atij, meqë kështu më kishte rekomanduar zëdhënësi i UÇK-së dhe atëherë miku im, Jakup Krasnqi. Deri atë ditë nuk e njihja Xhavit Halilin, as kurrë nuk kisha degjuar për të. Truproja e tij me tha se kisha nderin që po takohesha me njeriun kryesor të UÇK-së. Në atë moment u ndjeva i provokuar dhe ia ktheva se njerëzit kryesorë kishin mbetur atje prej nga kisha shkuar unë në Tiranë, pra në Drenicë. Xhaviti u pajtua, apo pretendoi se u pajtua me konstatimin tim dhe më tha se kaseta do të nisej për shtëpi të bardhë qysh të nesermen në mengjes nga aeroporti i Rinasit. Më vonë e kam kuptuar se zoti Haliti kishte kryer me kujdes detyrën e tij, sepse kur James Rubin pyetet nga gazetarët se nga e kish marrë kasetën, ai ishte përgjigjur se Keshilli Shqiptaro-Amerikan e kishte sjellë në Shtëpinë e Bardhë. Pra Lidhja e Xhavitit duket të ketë qenë Këshilli Shqiptaro-Amerikan dhe jo Shtëpia e Bardhë.
Sa i përket dilemës se kush e ka bërë kasetën, edhe kjo është një cështje shume e çartë. Videokastën si projekt e kam ideuar unë, kurse pas instruksioneve të mia incizimin e ka bërë Sefedin Thaçi me kamerën e tij. Pra, Sefedini ka pasur rolin e kamermanit dhe jo ndonjë rol tejtër. Shaban Dragaj, shef i Brigades 112 dhe Demush Dragaj, dhëndrri i Sefedinit janë kujdesur që ai të vinte me kamerë për të incizuar. Pastaj Sefedini, sipas udhëzimit tim, ka incizuar raportin tim për maskarën e Izbicës, të cilin e kam bërë me qëllim që nëse unë vritesha në luftë, kaseta dhe informacioni të mund të përdoreshin edhe pa praninë time. 
Pas kësaj kam gjetur tre të mbijetuarit e  masakrës dhe e kam lutur Sefedinin që të incizonte bisedën time me ta, ku ata do të dëshmonin në vendin e ngjarjes se si ka ndodhur masakra dhe se si ata kishin mbijetuar. Në video dukem unë disa herë duke pyetur deshmitarët. Pra, në ato rrethana specifike kemi arritur të bëjmë film dokumentar dhe jo vetëm incizimin e trupave të masakruar.
Pasi janë kryer të gjitha incizimet, kasetën e formatit të kamerës e kemi bartur në kasetën e formatit VHS, e cila nga ai moment ka qenë pronë imja. Pra, nuk i kam vjedhur as nuk i kam marrë askujt asgjë (siç flitet e pëshpëritet), por ky ka qenë projekt imi, ku kam angazhuar edhe njerëz tjerë për të më ndihmuar deri në përfundim me sukses të misionit. Normalisht se video-kaseta nuk do te mund të bëhej pa një kamerë e unë kamerë nuk kisha meqë ajo më ishte djegur vetëm tri ditë më parë në Leçinë nga forcat serbe, në shtëpinë ku unë kam banuar gjatë luftës.
Përfoljet se kastetën e kam shitur janë shpifje, janë genjeshtra, qofshin të qëllimshme, qofshin të paqëllimshme dhe ato kanë ndikuar në një imazh negativ timin në Drenicë, gjë që unë besoj se është reflektuar edhe në votën time për deputet atje. Por, le ta harrojë  kushdqoftë se kjo videokasetë do të bëhej pa mua dhe se pastaj do të arrinte aty ku ka arrirë pa punen time vetëmohuese që ka shkuar konform një plani paraprak, fort të hollë e fort të detajuar, por gjithsesi me rrezik të madh për jetën time gjatë rrugës dhe për jetën e gruas dhe tre fëmijëve të mi që ato ditë kanë qenë ende në Kosovë e madje në rrugë për t’u bashkuar me mua në Tiranë. 
Kamermani amator, Sefedin Thaçi ka shkuar heret në Tiranë me familje të tij, ndërkohë që unë kam mbetur në shtëpinë e tij për të banuar gajtë luftës, pra vetëm disa ditë pasi kaseta ka qenë e gatshme dhe ai e ka pasur mundësinë që ta merrte kasetën me vete dhe t’ia jipte kujdto që ai do të kish dëshiruar. Por, Sefedini nuk e ka bërë një gjë të tillë, sepse siç e ka pranuar edhe vetë në një debat në Facebook me mua, nuk ka guxuar. E unë jam ai që kam guxuar. 
Prandaj, janë të kota tendencat për ta relativizuar autorësinë time të kasetës së Izbicës, edhe pse nuk e mohoj ndihmen e askujt dhe i falenderoj të gjithë ata njerëz që më kanë ndihmuar. Posaçërisht i falënderoj dy ushtarët e UÇK-së, njeri nga Ozdrimi dhe tjetri nga Kerrnina që sipas një plani dhe një urdhëri ushtarak, më kanë ndihmuar për të dalë në Rozhajë. Dhe, falënderoj djalin e axhës tim Zenel Loshin që më ka ndihmuar ta bëja një dokument fals të identiteit tim në Rozhajë për ta kaluar rrugën deri në kufi, si dhe për kontributin e tij të veçantë duke e fshehur kasetën time në  valigje me plaçkat e tij. Po ashtu, falenderoj mikun tim Shefqet Gjocaj, atëherë gazetar i Kohës Ditore që më ka mbajtur dhe fshehur dy netë në banesën e tij në Rozhajë. Ndërsa për kontributin e tyre në identifikimin e saktë të kufomave në Izbicë dhe të gjitha përgatitjet rreth varrimit e që lidhen ngusht me incizimin e video-kasetës, falenderoj Shaqir Dragajn, Sylë Dervishin, Naim Rexhepin dhe Sadik e Afrim Xhemailin. Falenderoj po ashtu Gani Ramën në Shtëpinë e të cilit kemi bartur materialin nga kaseta e kameres në kasetën VHS, si dhe dy vëllëzërit Shala nga Buroja (pronarë të kompansië së autobusëve, meqë emri i tyre nuk më kujtohet) që më kanë ndihmuar në shtëpinë e Ganiut ku ata kanë banuar duke ma gjetur video rekorderin, televizorin dhe gjeneratorin elektrik, meqë furnizimi me rrymë ka qenë i ndërprerë.
P.S. për këtë video-kasetë do të shkruaj më gjatë një herë tjetër, edhe pse në vitin 2000 kam pasur një Fejton në gazetën Zëri dhe kam shkruar disa herë në Facebook, prej nga janë publikuar edhe nëpër portale të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat