Për Ramazan po bie topi në Ulqin

Lajme

Për Ramazan po bie topi në Ulqin

Më: 17 prill 2021 Në ora: 15:34
Ulqin

Ramazani në Ulqin këtë vit po bëhet në një atmosferë ndryshe. Jo vetëm nga situata pandemike, por për lajmërimin e kohës së iftarit me top. Në të folmen e Ulqinit, ende sot përdoret thënia “ka ra topi” në kuptimin e “është koha për iftar”. Edhe pse të gjithë e përdorin këtë thënie, topi në Ulqin nuk është ndier së paku për 60 vjet deri në Ramazanin e këtij viti, kur në iftarin e parë të këtij Ramazani, nga Kalaja shpërtheu topi të cilin me mjeshtri e përgatiti dhe ndezi Beqir Leskovci nga Ulqini i veshur me veshje kombëtare. Pas krismës së topit të Kalasë, dritat e xhamive në Ulqin u ndezën dhe nga Xhamia e Detarëve dhe ajo e Pashës filluan ezanet. 

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Ulqinit Ali ef. Bardhi na thotë që kjo nuk është një risi dhe na tregon në dokumentin e 13 gushtit të 1879 në të cilin bëhet njoftimi nga Vilajeti i Shkodrës se në Kazanë e Ulqinit në muajin e Ramazanit koha e iftarit dhe imsakut do të bëhet me qitjen e topit. 

Pra, ky dokument dhe kjo traditë është nga koha e Lidhjes së Prizrenit. 

Këtë vit, mu sikur në gushtin e vitit 1879, Ulqinit janë dhuruar dy topa. Njëri është instaluar në Kalanë e Ulqinit kurse tjetri në pikën më të lartë të Anës së Malit në balkonin e fshatit Millë. Gjatë ceremonisë së qitjes së parë në Millë topin e ndezi Bashkim Alaj i veshur me veshje kombëtare. Menjëherë pas qitjes së topit, ezanet e xhamive të Anës së Malit mbushën këtë rajon kodrinor dhe agjëruesit në shtëpitë e veta filluan me iftar.  

Edhe qytetarët tregojnë ngazëllim për rimëkëmbjen e kësaj tradite. Në të dy ceremonitë morrën pjesë shumë qytetarë, ndër ta edhe Sami Flamuri.  Të moshuarit potencojnë që tani nuk kanë nevojë për t’ia shpjeguar të rinjve domethënien e thënies “ka ra topi”. “Dikur kur ishim fëmijë delshim me prit dritat e xhamive ose me ndigju topin. Kur kriste, bërtisnim nëpër lagje “ka ra topi, shprishni, ka ra topi” -- thotë Agimi që së bashku me shumë të tjerë të moshuar dhe të rinj kishin dalë përpara Xhamisë së Detarëve për të parë topin. Në anën tjetër, në shekullin e teknologjisë të rinjtë qitjen nuk e shohin si lajmëtar të iftarit, por si një shenj gëzimi që agjërimi ditor mbaroi. “Ne shqiptarët gëzimet i kemi me krisma” -- shton Agimi.   

Për ta realizuar këtë projekt janë përkujdesur Fondacioni “Dëshmia” dhe Dr. Ilir Çapuni këshilltar në Kuvendin e Ulqinit të cilët kanë mbledhur fondet e duhura dhe kanë siguruar blerjen e dy topave nga një farkëtar nga Bosna. Kanë ndihmuar bashkëqytetarët tanë në Ulqin, Amerikë dhe Australi, por edhe një mik i sinqertë i Ulqinit nga Kosova -- shton drejtuesi i Fondactionit “Dëshmia” Astrit Nikaj. Montimin dhe instalimin e topave e bëri marangozi nga Ulqini Vebi Hardolli. I emocionuar që ky projekt u realizua me sukses, Çapuni na tha që me këtë i kemi dhënë kuptimin e plotë thënies “ka ra topi” e cila nuk ka mbetur e lidhur vetëm për një traditë të harruar, por për një traditë konkrete dhe domethënëse e lindur gjatë Lidhjes së Prizrenit. 

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat