Analizë e “Newsweek”: A duhet të rivizatohen kufijtë e Ballkanit?

Lajme

Analizë e “Newsweek”: A duhet të rivizatohen kufijtë e Ballkanit?

Më: 24 prill 2021 Në ora: 10:23
Ilustrim

Ditëve të fundit, narrativi për shkëmbimin e territoreve, i propozuar me një ‘non-paper’ fantom, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

Një analizë e publikuar në portalin e njohur Newsweek, flet për shqetësimin që kjo ide ka shkaktuar, sidomos në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Çdo tregti e negociuar e territorit është një ide e keqe, veçanërisht në një rajon me një peizazh politik të fragmentuar dhe atmosferë mosbesimi dhe, si e tillë, do të shkaktonte një paqëndrueshmëri më të madhe në rajon dhe do të shfrytëzohen që të bëhet thirrje për shkëmbime të tjera territoriale.

Kjo do t’i shkonte në favor edhe Rusisë në raport me Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Kjo është analiza e plotë të publikuar në “Newsweek”:

Lajmi më i madh në Ballkan këto ditë është qarkullimi i një dokumenti të paqartë jozyrtar, i njohur në qarqet evropiane si ‘non-paper’, i hartuar dhe i dërguar me pretendim nga kryeministri slloven, Janez Jansha, te Charles Michel, President i Këshillit Evropian.

Dokumenti argumenton se pengesat kryesore për një integrim më të shpejtë në BE të vendeve të Ballkanit janë çështjet kombëtare të pazgjidhura, të cilat duhet të rregullohen duke krijuar një Serbi të Madhe, një Shqipëri të Madhe dhe një Kroaci të Madhe. Kjo, siç argumenton dokumenti, mund të arrihet duke e copëtuar Bosnjën dhe Hercegovinën dhe duke e bashkuar Republikën e saj Autonome Serbe me Serbinë, ndërkaq kantonet e saj të mbizotëruara nga kroatët me Kroacinë fqinje, si dhe duke e bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Prandaj, myslimanëve boshnjakë që përbëjnë një shumicë në Bosnjë dhe Hercegovinë do t’u jepej një shtet i vogël, i rrethuar nga forca jomiqësore dhe pa asnjë dalje në Detin Adriatik. Kuptohet, kjo shkaktoi shumë zemërim dhe shqetësim në Bosnjë dhe Hercegovinë, veçanërisht në mesin e popullatës së saj myslimane boshnjake.

Megjithëse dokumenti i rrjedhur u botua nga një ueb faqe e respektuar sllovene e raportimit hulumtues, Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, mohoi ta ketë shkruar atë dhe akuzoi “mediat e rreme” për dëmtimin e përpjekjeve të Sllovenisë për të integruar shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, për shkak se Jansha njihet si një populist me prirje të djathtë dhe një aleat i së djathtës ekstreme të Hungarisë, Viktor Orban dhe i Aleksandar Vuçiqit të Serbisë, vështirë se dikush dyshoi në vërtetësinë e dokumentit.

Kjo nuk është hera e parë që ideja e një rivizatimi të kufijve ballkanikë doli në skenë, gjoja për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike dhe etnike.

Pas luftërave jugosllave të viteve 1990 dhe ndërmjetësimit të SHBA-së, duke arritur kulmin me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, Bosnja dhe Hercegovina u nda në dy njësi me pavarësi të konsiderueshme: një “Federatë” boshnjake-kroate që përbënte 51 për qind dhe një “Republikë Serbe” që përbënte 49 për qind të vendit.

Secila prej tyre ka qeverinë e vet, legjislaturën dhe forcën e policisë, të bashkuara nga një qeveri qendrore mjaft e dobët dhe nga një presidencë trepalëshe me ndërrime, e përbërë në mënyrë të barabartë nga një boshnjak, një kroat dhe një serb. Mendimi perëndimor ishte që miliona dollarë të shpenzuara për pajtimin, demokracinë dhe ndërtimin e shtetit do të rezultonin përfundimisht në një Bosnjë dhe Hercegovinë funksionale, dhe se kjo do të ishte një histori suksesi e shtetndërtimit perëndimor. Sidoqoftë, nacionalistët serbë dhe kroatë, të etur për të arritur qëllimet e tyre të luftës për të shkëputur copat e vendit dhe për të krijuar shtetet e tyre të vogla, vazhduan pengimin e funksionimit të shtetit duke përdorur vetot e tyre të garantuara me Kushtetutë për të treguar mosfunksionimin e tij të pretenduar dhe duke krijuar kështu një tjetër argument për shpërbërjen e tij.

Megjithëse ideja e shkëmbimeve të territoreve dhe rivendosja e kufijve u hodh poshtë në të kaluarën nga udhëheqësit perëndimorë, nga politikanët dhe nga analistët si një hapje e Kutisë së Pandorës, si mosmarrëveshje etnike dhe territoriale ballkanike pa një zgjidhje, pikëpamjet kanë ndryshuar në vitet e fundit.

Për shkak të lobimit intensiv nga nacionalistët kroatë dhe serbë në Bruksel, së bashku me islamofobinë në rritje dhe populizmin e krahut të djathtë, një numër në rritje i liderëve të BE-së, tani, më shumë se kurrë, po mendojnë për rishikimin e kufijve të rajonit dhe ndarjen e myslimanëve nga ortodoksët dhe katolikët e tyre fqinjë. Edhe administrata e fundit e ish-presidentit Trump në një shkëputje nga politika e gjatë e dekadës së Amerikës ndaj Ballkanit, filloi ta mbrojë me kujdes idenë e “korrigjimit të kufirit”- një eufemizëm me tingëllimë shumë më të pëlqyeshme.

Megjithatë, ka një historik të këtij tregimi!

Në vitet 1990, myslimanët boshnjakë u portretizuan në mediat perëndimore si mbrojtës të një shteti laik shumetnik kundër hordhive plaçkitëse serbe dhe kroate që synonin të zhduknin fqinjët e tyre të bardhë sllavë myslimanë. Mbi të gjitha, serbët kryen gjenocidin e parë në Evropë pas Holokaustit, ndërsa kroatët u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit.

Një imazh i tillë i tyre qëndroi ashtu për vite me radhë, domethënë deri në sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA. Ishte atëherë kur gazetarët, akademikët dhe politikanët nacionalistë serbë dhe kroatë kuptuan se ata mund të lidheshin me pjesën tjetër të botës në luftën e tyre kundër “Radikalizmit islamik” dhe të zënë miq shumë të nevojshëm në Evropë dhe në SHBA dhe të pastrojnë imazhin e tyre të gjenocidkryerësve. Mënyra më e besueshme për ta bërë këtë ishte duke portretizuar fqinjët e tyre myslimanë boshnjakë si “Al-Kaeda e bardhë”. Shfaqja e një numri të vogël të myslimanëve të radikalizuar boshnjakë dhe kosovarë, të cilët u bashkuan me ISIS-n dhe Al-Kaedan në Irak dhe në Siri, në vitin 2014 dhe 2015, u mor si provë e pakundërshtueshme se të gjitha shtetet po radikalizoheshin.

Një herë i parë si një diskurs nacionalist paranojak i përdorur nga kriminelët e luftës ballkanike, përshkrimi i (thellësisht laikë dhe kryesisht jo-praktikues) i myslimanëve boshnjakë dhe kosovarë si “radikalë islamikë”, ka marrë hov dhe është bërë si lajm kryesor në Evropë. U përdor nga ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, nga kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, dhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të cilët i referoheshin Bosnjës si “një bombë me sahat”..

Edhe pse luftërat jugosllave të viteve 1990 ishin kryesisht mbi territorin, nacionalistët serbë dhe kroatë e panë të dobishme që t’i fshihnin aspiratat e tyre irredentiste ndaj territorit të Bosnjës dhe gjenocidin e tyre ndaj boshnjakëve myslimanë nën ndikimin e mosdëshirës për të ndarë një shtet me “myslimanët radikalë”.

Një narrativë e tillë, e shoqëruar me ardhjen në pushtet të populistëve të djathtë islamofobë në Evropë, u bë përbërësi i përsosur i ideve tashmë ekzistuese të shkëmbimeve të tokave dhe rivendosjes së kufijve. Sidoqoftë, çdo tregti e negociuar e territorit është një ide e keqe, veçanërisht në një rajon me një peizazh politik të fragmentuar dhe atmosferë mosbesimi.

Shkëmbimet e tilla territoriale ka të ngjarë të krijojnë një paqëndrueshmëri më të madhe në rajon dhe do të shfrytëzohen që të bëhet thirrje për shkëmbime të tjera territoriale.

Një shtet i pavarur serb dhe kroat do të kufizonte shumicën e popullsisë myslimane boshnjake të vendit në një ‘Bantustan’ pa dalje në det, kufijtë ndërkombëtarë të të cilit do të kontrolloheshin nga forcat jomiqësore. Boshnjakët qartazi e kundërshtojnë një veprim të tillë dhe insistojnë në një vend të unifikuar dhe shumetnik. Ky ka qenë një qëndrim politik i qëndrueshëm i udhëheqjes myslimane boshnjake që nga vitet 1990. Shumëkush ka deklaruar publikisht se çdo shkëputje nga shteti do të çojë në luftë të drejtpërdrejtë – një luftë që, pa dyshim, do të kishte një efekt të përhapjes në rajon, ku Serbia dhe Kroacia do të ndërhynin për të ndihmuar secesionistët serbë dhe kroatë, ndërsa vendet me shumicë myslimane, si Turqia dhe shtetet me shumicë arabe do të ndërhynin për të ndihmuar myslimanët boshnjakë, siç bënë në vitet 1990.

Ka pakica të konsiderueshme myslimane boshnjake që jetojnë në pjesët e populluara me serbë dhe kroatë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe anasjelltas. Çdo vizatim i ri kufitar do të shkaktonte një arratisje kaotike të popullsive të pakicave në vendet ku besimtarët e tyre kryesorë përbëjnë shumicën. Si situatë komplekse do të ishte e krahasueshme me copëtimin e Libanit përgjatë vijave fetare dhe sektare. Siç u pa në luftërat e viteve 1990, kjo nuk do të kalonte pa probleme: vrasjet, plaçkitjet dhe shkatërrimi i pronave do të përhapeshin me të madhe. Krijimi i shteteve të reja funksionale, hartimi i kushtetutave dhe i ligjeve të reja do të merrnin vite të tëra. Siguria e fituar me mund, që aktualisht merret si e mirëqenë, do të prishej dhe ekonomia tashmë kaotike do të përkeqësohej edhe më shumë.

Një ndryshim i kufijve do të paraqiste rreziqe të mëdha dhe do të vendoste një precedent ogurzi për udhëheqësit që mbajnë ambicie separatiste, nga Katalonia e Spanjës në Transnistria e Moldavisë. Ky ndryshim i mundshëm, gjithashtu do t’i jepte Rusisë një epërsi të lartë në rajon, duke pasur parasysh afinitetin e saj për Serbinë dhe përpjekjet e saj të fundit për të mbjellë mosmarrëveshje në të gjithë Ballkanin, pasi çdo minim i demokracisë dhe i stabilitetit përshtatet mirë në strategjinë më të gjerë të Moskës. Ridizajnimi i kufijve kombëtarë të Ballkanit do të përkonte gjithashtu me veprimet e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë dhe mbase do të përdorej si një justifikim për të kënaqur oreksin territorial gjithnjë në rritje të Moskës.

Vizatimi i kufijve kombëtarë për të zgjidhur mosmarrëveshjet etnike është një praktikë e epokës koloniale që ishte krijuar për të krijuar territore etnikisht të pastra, kryesisht nga Britania e Madhe në kolonitë e saj të Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Ajo u bën thirrje nacionalistëve etnikë dhe racistëve, e cila ndoshta është arsyeja pse nacionalistët serbë dhe kroatë kanë treguar interes të madh për një ide të tillë. Sidoqoftë, siç pamë në rastin e Pakistanit dhe të Indisë, në atë të Palestinës dhe të Izraelit, si dhe Turqisë e Greqisë një vizatim kufijsh, shkëmbimesh tokash dhe shkëmbimesh të popullsisë është një proces i përgjakshëm që kontribuon pak për të përmirësuar tensionet e thella politike dhe armiqësitë shoqërore midis fqinjëve.

Meqenëse kjo praktikë bëri pak për të ndaluar tensionet etnike në të kaluarën, nuk ka gjasa ta bëjë këtë në Ballkan sot.

Ndërsa rivendosja e kufijve mund të jetë një përparësi për disa në kryeqytetet perëndimore, ata në Ballkan nuk e shohin situatën politike si një çështje kaq të ngutshme. Sipas një sondazhi të Institutit Republikan Ndërkombëtar të vitit 2020, kur u pyetën se cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi i tyre, 39 për qind e boshnjakëve folën për papunësinë, e ndjekur nga kostot e larta të jetesës dhe korrupsioni, ndërsa vetëm 5 për qind folën për politikën. Në Kosovë, 65 për qind fajësojnë ekonominë, e pasuar nga korrupsioni dhe kostot e larta të jetesës, dhe në Maqedoninë e Veriut, 33 për qind fajësojnë ekonominë, 24 për qind fajësojnë kostot e larta të jetesës, ndërsa 13 për qind fajësojnë korrupsionin. Qartazi, rivendosja e kufijve nuk është shqetësimi kryesor për sa i përket kombeve të Ballkanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat