Pranon fajësinë, dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Lajme

Pranon fajësinë, dënohet me 400 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Më: 20 maj 2021 Në ora: 14:33
Pamje nga seanca

I akuzuari për armëmbajtje pa leje, Erd Marevci, është dënuar me 400 euro gjobë pasi ka pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Avni Syla, i akuzuari po ashtu është obliguar të paguaj 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, i akuzuari tha se e pranon fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

“Po, e ndjej vetën fajtor. Kërkoj falje, nuk do të ndodh më”, u shpreh Marevci.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Florent Latifaj, i kërkoi gjykatës që me rastin e matjes se dënimit ta merr për bazë se i mbrojturi i tij është student, ka pranuar fajin dhe që ndaj tij të shqiptoj një dënim sa me të lehtë.

Edhe prokurori Hamiti tha se pajtohet me pranimin e fajësisë dhe i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor, por, me rastin e shqiptimit të dënimit ta ketë parasysh pranimin e fajësisë dhe moshën e të akuzuarit.

Në këto rrethana, gjykatësi Syla mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 nëntor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Erd Marevci po akuzohet se më 5 shtator 2020, rreth orës 18:20, në Prishtinë, ishte ndaluar gjatë një kontrolli rutinë  nga njësia policore, ku tek i njëjti është gjetur në pronësi armë zjarri e tipit “Parabellum Smith & WESSON” prodhim Amerikan, dy karikatorë, 28 fishekë dhe 2 sprejë “OC NATO”, të cilat i posedonte në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë te tilla.

Për këtë, Marevci po akuzohet se  ka kryer veprën penale “Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar te armeve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat