“Çartet” Vuçiq, ja veprimi i fundit i regjimit të presidentit serb

Lajme

“Çartet” Vuçiq, ja veprimi i fundit i regjimit të presidentit serb

Më: 27 qershor 2021 Në ora: 18:37
Aleksandar Vuçiq

Nga e mërkura, 30 qershor, Serbia do ta ketë një gazetë të re ditore – “Nova” dhe kurioziteti është që, për shkak të disa muajve të pengimit në tregun e brendshëm, ajo do të shtypet në Kroaci.

Në kushtet e tanishme të medias, ku Partia Progresive Serbe e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ka një ndikim dominant mbi shumicën e mediave të shkruara dhe elektronike, veçanërisht ato me frekuencë kombëtare, bordi editorial dhe pronarët e “Novas” u përpoqën ta gjenin një shtypshkronjë në Serbi, por dështuan, raporton mediumi kroat Index.hr.

“Nova” do të shkruhet dhe redaktohet nga gazetarët e portalit nova.rs, i cili është në pronësi të United Media Digital, me seli në Luksemburg, kompani që është anëtare e United Group.

United Group zotëron televizionet rajonale kabllore N1 dhe Nova, dhe blerja e fundit e kësaj kompanie është bërë së fundmi gazeta liberale-civile e Beogradit, Danas.

Partia në pushtet pretendon se United Group është korporatë që lufton kundër interesave të Serbisë

SNS dhe grupet qeverisëse të Vuçiqit e shohin United Group si korporatë mediatike që mbështet opozitën serbe dhe punon kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë, megjithëse parlamenti serb është nën kontrollin e Vuçiqit pothuajse 100% pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2020, me përjashtim të partitë e pakicës shqiptare dhe boshnjake.

Një ekuilibër i tillë i fuqisë mbizotëron në sferën e medias, ku koalicioni qeverisës kontrollon ose gëzon favorin e padyshimtë të shumicës së mediave të shkruara, veçanërisht të tabloidëve – Kurir, Informer, Alo, Srpski Telegraf, Objektiv, Vecernji Novosti dhe Politika konservatore, si dhe disa portale tjera, posaçërisht media elektronike me frekuencë kombëtare.

Koalicioni qeverisës serb në thelb kontrollon organin rregullator të mediave elektronike në Serbi (REM), ndërkohë që disa parti jo-parlamentare të opozitës dhe udhëheqësit e tyre janë nën sulm të vazhdueshëm nga mediat e afërta me Vuçiqin.

Sundimi i ligjit, shteti i të drejtave dhe lirive të njeriut, veçanërisht lirisë në media, është një nga vërejtjet e vazhdueshme të Brukselit zyrtar dhe organeve të Bashkimit Evropian në raportet mbi përparimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian.

“Ne nuk u tronditëm nga refuzimi i praktikisht të gjitha shtypshkronjave në Serbi, të cilat, në kundërshtim me logjikën ekonomike, shprehën mosinteresim të plotë për ta shtypur një gazertë të re, pavarësisht nga fakti se të gjitha ato kishin kapacitet”, u theksua në njoftimin që shpalli hapjen e gazetës së shtypur “Nova”.

Gazeta do të shtypet në Osijek të Kroacisë, do të botohet gjashtë herë në javë

Kryeredaktori i gazetës, Stojan Drçeliq dhe drejtori i portalit dhe gazetës, Veselin Simonoviq vlerësojnë se “frika nga reagimi i regjimit tejkaloi arsyet e tregut” nga ana e shtypshkronjave në Serbi.

“Ne luftuam kundër refuzimit dhe injorancës dhe e shtypim këtë gazetë në kushte të pashembullta në historinë e gazetarisë serbe. Sidoqoftë, ne këmbëngulëm”, thanë Drçeliq dhe Simonoviq.

Gazeta “Nova” do të shtypet në Osijek, nga ku do të shpërndahet në të gjithë Serbinë, dhe do ta ketë një çmim prej rreth 25 ventësh. Ajo do të botohet gjashtë herë në javë në 32 faqe.

“Ne do t’i përmbahemi standardeve më të larta gazetareske, do t’i analizojmë të gjitha faktet përkatëse dhe do t’i japim hapësirë ​​profesionit, shkencës dhe atyre pjesëmarrësve në jetën publike që promovojnë tolerancën, vlerat evropiane dhe që e shohin Serbinë në të ardhmen në demokraci të rregullt, të qëndrueshme. Faqet e gazetës do të jenë të hapura gjithmonë për mendime të ndryshme, por jo për primitivizëm dhe demagogji”.

“Ne të gjithë meritojmë një Serbi më të mirë së bashku”, ishte mesazhi nga menaxhmenti i gazetës së re, numri i parë i së cilës u njoftua se do të botohet për 30 qershor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat