“Virussia” – dokumentari që ka shkuar deri në Ukrainë

Lajme

“Virussia” – dokumentari që ka shkuar deri në Ukrainë

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 11:29
Autori dhe Producenti i VIRUSSIA: Mentor Shala dhe Munin Jashari

Projekti dokumentar “Virussia”, përveç Kosovës, tashmë ka bërë bujë edhe në shtetet e rajonit dhe më tej. Mumin Jashari, producent i këtij cikli të dokumentarëve, ka folur për KosovaPress, duke potencuar faktin se është nga projektet e rralla, ku njëzëri kanë folur shumica e pjesëmarrësve. Për këtë, ai konsideron se përcaktuese e këtij fenomeni është tema – influenca malinje ruse.

Intervista e plotë me producentin Mumin Jashari

KosovaPress: Projekti i serialit te dokumentarëve "Virussia", veç Kosovës, tashmë ka zënë vend edhe më larg. Cili është mesazhi i këtij projekti?

Jashari: Ekipi realizues i projektit VIRUSSIA ka bërë një punë të madhe brenda këtyre dy viteve të fundit. Meqë na rastisi të punojmë edhe në kohën e pandemisë, ky projekt mesazhin artistik e ka në titull: “virusi rus” . Unë jam producent dhe nuk jam marrë shumë me përmbajtjen, gjë të cilën besoj e ka bërë mjeshtërisht autori Mentor Shala. Por, si artist, projekti ka plotësuar të gjitha kushtet që e bëjnë të rrallë dhe me vlera. Gjatë punës, xhirimeve, në gjithë rajonin, e kam mësuar një gjë, që të gjithë të intervistuarit e kanë potencuar qartë se prania ruse në Ballkan është e dëmshme.

KosovaPress: Sa kohë iu është dashur ta përfundoni këtë projekt? Që nga projektimi ideor, xhirimet, mbledhja e materialeve, montimi dhe post-produksioni?

Jashari: Unë e thashë edhe më herët, se projekti ka filluar realizimin që para paraqitjes së virusit pandmik që e bllokoi botën. Pra, afër 2 vite kemi punuar deri në transmetimin e pjesës së parë. Pjesa e dytë do të shfaqet të hënën, menjëherë pas përfundimit të EURO 2020.

Helsinki, 2019: Antonio Missiroli nga NATO gjatë intervistës për projektin VIRUSSIA

KosovaPress: Në projekt flasin edhe personalitete jo shqiptare, madje edhe serbë. Ka pasur pengesa dhe vështirësi për t’i bindur serbët që të flasin?

Jashari: Ka qenë interesante se për këtë temë të rëndësishme nuk na ka refuzuar askush. Ne kemi intervistuar shumë personalitete, si shqiptarë, serbë, boshnjakë etj. Kemi xhiruar edhe në Bruksel dhe në Helsinki. E kam vërejtur se tema ka qenë e rëndësishme dhe kryesisht qëndrimet kanë qenë të njëjta. Secili nga pjesëmarrësit ka qenë i vetëdijshëm që është duke kontribuar në këtë çështje. Pa dashur të keqkuptohem, por na kanë pritur mirë edhe të intervistuarit në Beograd, si Vuk Draskovic e të tjerët. Disa nga serbët, kanë ardhur dhe xhirimet i kemi bërë në Prishtinë.

KosovaPress: Pjesa e parë ka folur për spiunazhin rus. E pjesët e tjera për çfarë temash flitet?

Jashari: Pjesa e dytë, e cila do të shfaqet të hënën, si në Kosovë, edhe në Bosnjë, flet për luftën hibride ruse. Kurse, dy episodet e tjera, pra e treta dhe e katërta, flasin për ndikimin diplomatik dhe atë përmes kishës ortodokse. Ju ftoj që t’i ndiqni, sepse janë shumë interesante.

Beograd, 2019: Vuk Draskovic, ish-ministër i jashtëm i Serbisë në foksu të kamerës së Mumin Jasharit

KosovaPress: A ka gjera ekskluzive në dokumentar apo janë vetëm përmbledhje?

Jashari: Një dokumentar nuk është ekskluziv pa gjëra ekskluzive brenda. Autori Mentor Shala ka punuar shumë në mbledhjen e materialeve, dhe siç e dini, ka bashkëpunuar shumë me institute të veçanta që merren me studimin e kësaj dukurie. Përveç intervistave, Mentori si autor dhe bashkëpunëtorët Menduh Hysa e Gynen Venhari, kanë siguruar edhe materiale të veçanta, të cilat publiku nuk ka pasur rastin t’i shohë apo t’i dijë.

KosovaPress: A ka reagime nga ana tjeter për dokumentarin?

Jashari: Personalisht, unë kam marrë përgëzime për projektin VIRUSSIA, por e di që ka pasur edhe disa reagime kundërshtuese nga ambasadori rus në Beograd. Ai e ka dhe një intervistë diku në Serbi, që thotë se ky dokumentar nuk flet për të vërtetat. Por, dokumentari mbështetet në dokumentime.

KosovaPress: Ku është shfaqur deri tani dhe a mendoni se do ta shfaqni edhe ne vendet te tjera?

Jashari: Përveç RTK-së, T7 dhe Televizionit O Kanal në Bosnjë dhe Hercegovinë, dokumentarin po e kërkojnë për transmetim edhe në vende të tjera, duke u nisur nga Shqipëria, Ukraina, Maqedonia Veriore etj. Janë bërë kërkesa edhe në EBU. Do ta shohim. Projekti vlen për ta shikuar dhe besojmë se shikuesi do ta presë mirë kudo që të shfaqet. Të gjitha informatat mund t’i merrni në faqen virusia.net si dhe në rrjetet sociale, Facebook dhe Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat