Rama, Vuçiq e Zaev sot e nesër në Shkup, diskutohet ndryshimi i emrit të Minishengenit

Lajme

Rama, Vuçiq e Zaev sot e nesër në Shkup, diskutohet ndryshimi i emrit të Minishengenit

Nga: F.B Më: 28 korrik 2021 Në ora: 09:54
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev

Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut Rama e Zaev do bisedojnë sot edhe nesër në Shkup rreth bashkëpunimit në iniciativën e emërtuar “Minishengeni”, po ashtu ata do të marrin pjesë në Forumin ekonomik që mbahet me 29 korrik në organizimin e odave ekonomike të Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, shkruan “Kosovo-online”, transmeton “Bota Sot”.

Vuçiq në javën që shkoi ka paralajmëruar se iniciativës “Minishengeni” do t’i ndryshohet emri dhe pritet nënshkrimi i tri marrëveshjeve dhe në kalimet kufitare do të krijohen “shiritat e shpejtë” për kalim të njerëzve të regjionit dhe shirit i veçantë për njerëz nga BE në hyrje në vendet evropiane.

“Kemi punuar në tri dokumente dhe besoj se ato do të nënshkruhen në Shkup, bëhet fjalë për dokumente lidhur me tregtinë, lejet e punës dhe mbështetjen e ndërsjellë në raste të zjarreve dhe fatkeqësive tjera, që është në interesin e popujve tanë”, ka deklaruar presidenti serb.

Forumi ekonomik që mbahet nesër në kuadër të iniciativës së Shengenit, nënkupton thellimin e integrimit ekonomik të regjionit, tash për tash me tri shtete Serbi- Shqipëri-Maqedoni. Qasja në iniciativë është e hapur edhe për ekonomitë tjera të Ballkanit.

Sipas Agjencisë zhvillimore, Vuçiq, Rama e Zaev do të prezantojnë vizionin politik dhe ekonomik të integrimit të regjionit.

Me këtë rast janë planifikuar të mbahen shumë takime dy e tripalëshe mes afaristëve të regjionit, gjatë kohës së mbajtjes së forumit.

Pritet që në Forumin ekonomik në Shkup të marrin pjesë rreth 400 kompani nga regjioni, shumica nga Serbia rreth 200, rreth 100 nga Maqedonia ndërsa tjerat nga Shqipëria, por do marrin pjesë edhe kompani nga vendet e ndryshme të rajonit edhe botës si nga Austria, Tajvani, Izraeli, Polonia, Bullgaria, Rumania, Franca e Greqia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat