“Si nuk skuqeni pak, ku dalloni nga kapësit e kaluar? Abdixhiku kritikon ashpër qeverinë Kurti

Lajme

“Si nuk skuqeni pak, ku dalloni nga kapësit e kaluar? Abdixhiku kritikon ashpër qeverinë Kurti

Nga: M.L. Më: 2 gusht 2021 Në ora: 17:40
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të thatë raportin e punës 100 ditëshe të qeverisë Kurti.

Sipas tij, qeveria aktuale është praktikante dhe populiste.

“Ky akt si fakt i të qenurit në qeveri mjafton që Kosova të lulëzoj vetvetiu, kështu këta e shohin veten, një ndërrim karrige dhe Kosova lulëzon”, ka ironizuar Abdixhiku.

“Si nuk skuqen pak, kryeministri është inxhinier dhe i ka rreth vetës disa profesor dhe i krahason të hyrat e tanishme në doganë me të hyrat gjatë pandemisë”, u shpreh kreu i LDK-së.

“Janë mbyllur në kabinetet e tyre me përplot familjarë. Ministrat u referohen 20 viteve të shkuara, ndodhë një punësim i familjarëve këta i përmendin 20 vjet. Kjo qeveri ka pasur një kauzë të madhe për ndryshimin e gjendjes”, ka thënë Abdixhiku mes tjerash.

Sipas tij, menaxhimi i pandemisë nuk mund t`i referohet 20 viteve të shkuara.

“Vaksina ka por vaksina nuk japin, po futen në valën e tretë të pandemisë dhe nuk ka vaksinim në vend”.

Abdixhiku ka akuzuar qeverinë për kapje të ndërmarrjeve e institucioneve publike.

"Kur punëson familjarë çfarë dalloni nga kapësit e kaluar?. Kur nënshkruani kontratë korruptive, dhe e anuloni nga interesi publik e jo nga ndërgjegjja, ku dalloni ju?

“Ju po ua merrni qytetarëve të vetmen gjë që ua kanë marr qytetarëve vazhdimit, të ardhmen dhe kjo është fatkeqësi”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Fjalimi i plotë i Abdixhikut:

ot, në ditën e 134-të të kësaj Qeverie, po dëgjojmë raportimin për 100 ditëshin e parë. Ky 34 ditësh i vonuar, përveç se na vjen si pasqyrim i ritmit të ngadaltë të një Qeverie që – për pjesën më të madhe të kohës – duket se s’ka as idenë se çfarë bën, është edhe shenjë e një neglizhence të panevojshme ndaj Kuvendit të Republikës e të zgjedhurve të popullit – pavarësisht se kush sa pushtet ka. Një traditë raportuese, të drejtë e korrekte, një Qeveri që pretendon të vendosë standarde ndryshe, duhej ta kishte bërë si minimum i demokracisë institucionale në vend.

Pavarësisht të gjithave, sot para vetes kemi një raport 100 ditësh, që, sikurse Plani Qeverisës i prezantuar po ashtu me vonesë, është i thatë, dëshpërues, por është i vërtetë. I vërtetë sepse është pasqyrim i saktë i kësaj Qeverie praktikante dhe populliste.

Një ndër argumentet më të theksuara të kësaj Qeverie në këtë raport 100 ditësh, është ajo e performancës së përgjithshme; politike, shoqërore, sociale e ekonomike. Narracioni është kështu: Kosova po merr hov e po lulëzon gjithandej, për shkak të disa faktorëve të tjerë, por kryesori, thelbësori, më i rëndësishmi, sipas tyre e raportit 100 ditësh, është vet fakti që këta janë në Qeveri. Dhe se ky akt, si fakt i të qenurit në Qeveri, vetvetiu, i pa shoqëruar me ndonjë masë tjetër, ka sjellë ndryshim pozitiv shoqëror e ekonomik.

Mrekullia e zhvillimi, nuk po ndodhin pra, për shkak të ndonjë mase rrënjësore, sepse masa të tilla nuk ka, por, për shkak të një akti sipërfaqësor; këta janë në Qeveri. Gjithçka tjetër zgjidhet vetvetiu.

Kështu e shohin veten.

Dhe për ta dëshmuar këtë, le të themi në ekonomi, si sukses lulëzues i referohen rritjes së të hyrave doganore këtë vit, përkatësisht pesë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me pesë muajt e vitit paraprak.

Pra, merreni me mend, e krahasojnë ekonominë e hapur të Kosovës sot, me mbylljen totale gjatë pandemisë - krizës më të madhe globale në 100 vjet. Thonë, ky është suksesi jonë. Sot, krahasuar me mbyllje të plotë, kemi më shumë zhvillim.

Si nuk s’kuqeni pak?

Kryeministër, jeni inxhinier me profesion. Keni 4-5 ekonomistë ligjërues rreth vetes, dhe i krahasoni të hyrat e doganave sot, me të hyrat e doganave kur i kishim mbyllë kufijtë tërësisht. TËRËSISHT. Mbyllje totale. Pa mallra, pa njerëz; Normalisht, pa të hyra. Normalisht se tani, e gjithëherë, e përherë, krahasuar me mbylljen, ka e do të ketë të hyra më shumë.

Ka vetëm një deklaratë që rivalizon këtë perlë populiste; është ajo e uljes së papunësisë gjatë kohës së pandemisë. Aty-këtu janë këto të dyja.

Por, ka një tregim tjetër që neve e popullit po na shpërfaqet këtu. Sepse duhet të jesh vërtetë në gjendje dëshpëruese, kur për suksesin më të madh tëndin merr për bazë një krahasim të tillë. Është mbulim i pazotësisë me numra e jo përmbajtje.

Kemi marrë 144 vendime thonë. Thuajse se 144-shi në vete është përmbajtje. Ka mundur të 144-at t’i bëjë bashkë e ta ketë një vendim; siç ka mundur t’i ndajë në 1444 sosh; por si në 1, si një 144 e si në 1444 – bëhet fjalë për të njëjtën përmbajtje.

Pra, numrat vetvetiu nuk e shtojnë përmbajtjen. Përmbajtja përbëhet nga aktet; e aktet merren nga ky kabinet ministrash që s’i sheh kush. 134 ditë nuk i sheh askush. Dyshoj që edhe emrat ua dinë. Sepse s’janë tek qytetarët; s’janë tek populli. As në kohë krizash, as në kohë mundësish, as në kohë detyrimesh kushtetuese për ta.

Janë mbyllur në kabinetet e tyre, tash të rrethuar përplot me familjarë.

Ata pak ministra që dalin një herë a dy, na prodhojnë skandale brenda - gaz i botës jashtë. Dhe për çdo skandal të tyre, kanë një recetë; përgjigje universale – u referohen 20 vjetëve të shkuara. Aty shpërlahen të gjithë. Ndodhë një punësim familjar – i përmendin 20 vjet; ndodhë një tender, i përmendin 20 vjet; ka mungesë insulinash në spitale – i përmendin 20 vjet; ka neglizhencë menaxhimi të tragjedisë, i përmendin 20 vjet. 20 vjetët, sot, përmenden përmendësh edhe nga ata që kanë qenë pjesë e 20 vjetëve të shkuara, madje! Edhe ata na mbajnë tani ligjëratë!

Kjo Qeveri, me të drejtë, ka pasur një kauzë të madhe: Ndryshimin e gjendjes së tanishme, meqë gjendja e tanishme NUK MJAFTON.

Keni përvetësuar një kauzë, që duhej të jetë e të gjithëve. Është edhe e imja, poashtu. Ky vend duhet të ecë shumë më mirë se sa që ka ecur deri më tani. Por, për të ecur më mirë se sa që ka ecur deri më tani, kosovarët s’mund të mbahen peng të 20 vjetëve të kaluara, siç po i mbani, ju! 20 vjetët e shkuara, qytetarët tanë s’mund t’i rijetojnë më. Por, 20 vjetët e ardhshme, PO! E përderisa i mbani i të shkuarës, s’keni se si t’ua ndërtoni të ardhmen. Ju doni ta mbani të shkuarën në skenë për të mbuluar pazotësinë tuaj. Vetëm kështu dukeni të zotët.

E ka një gjë që nuk ia referojnë dot të shkuarës - menaxhimin e pandemisë. Fillimisht, imunizimin kolektiv e motin e ngrohtë dhe stinën e verës ia referuan vetes si sukses. Thonë, i kemi 2 milionë vaksina, dhe i kanë – por të vaksinuar mbesin vetëm 8.1% të popullsisë. Jemi në vendin e fundit, të fundit, sa i përket vaksinimit në Evropë e më gjerë. Vaksina ka, por s’ka vaksinim. Sepse s’ka menaxhim. Kë do ta fajësoni tani? Në raport na thonë se i kemi vetëm 9 raste në ditë, e në tri ditët e fundit i kemi plot 300 të infektuar të rinj. Me 90% e popullsisë e pa vaksinuar, po futemi në valën e tretë. Dhe këtë e quani model suksesi.

E vërteta e 100 e sa ditëve qeverisëse është se ju keni ndryshuar rrënjësisht. Rrënjësisht dhe shpejtë. Pra, po, ka ndodhur ndryshimi në Kosovë. Keni ndryshuar ju.

Për vetëm 134 ditë, keni kapur me familjarë:

Bordin e Telekomit të Kosovës

Bordin e Postës së Kosovës

Bordin e Ibër-Lepencit

Këshillin Shtetëror të Cilësisë

Odën e Farmacistëve

Bordin Qendror për Shkollim Specialistik

Universitetin “Isa Boletini”

Universitetin “Haxhi Zeka”

Teatrin Kombëtar të Kosovës

Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”

Tani, çështja është, kur punësoni motrën, vëllain, nipin e dajën – çfarë dalloni nga kapësit e deritanishëm? Cili është ndryshimi? Kur një anëtar i juaji, vendoset Drejtor i një Ndërmarrjeje Publike, gruan e vendosë në Departament të Financave, Kunatën në arkiv e Nipin në Prokurim – ku dalloni ju? Ka 15 vjet që flisni – me të drejtë – se nepotizmi dhe korrupsioni po i ngufasin ndërmarrjet publike! U deshën 100 ditë për të ndryshuar radikalisht në këto qëndrime, që tanimë, janë veprime.

Kur jepni 28 tenderë një burimorë nga 33 sosh; kur nënshkruani një kontratë korruptive - 5 euro për veturë, vetëm për ta anuluar më pas si rezultat i presionit publik, jo i një vetëdijeje të brendshme – ku dalloni ju?

Për më pak se 100 ditë, ndryshuat qënrim edhe për reciprocitet. Aq shumë, sa që edhe kauzën simbolike të bllokave nga Serbia e kapërcyet me lehtësi. Ia hoqët një tarifë, ironikisht, produktit të vetëm që e mbanit si simbolikë. Bllokun nga Serbia!

Ndryshuat edhe në dialog. Pa kushte, pa platformë, pa raportim. E injoroni këtë Kuvend, e kështu dhe popullin, me mostransparencë. Sepse po mendoni se nga aty ku jeni sot, s’do të zbrisni asnjëherë!

Dialogun po e përdorni, natyrisht, për elektrizim të masave këtu. Krenoheni çfarë i keni thënë Serbisë. E vërteta është se çfarë i thuhet Serbisë, s’është më punë e madhe këndej. Në këtë vend, Serbisë i kanë bërë edhe rezistencë shoqërore edhe luftë të armatosur patriotët më të mëdhenj. Pra, t’i thuash Serbisë, në një tavolinë kafeje në Bruksel, se çfarë vërtetë është ajo, s’është ndonjë mjeshtri. Bën mirë që ua thoni këtë, dhe duhet t’ua thoni gjithëherë; asaj e gjithkujt, që ka harruar të shkaurën tonë të afërt. Por, ky, s’është më lajm këndej, tash e mbi 100 vjet.

Lajm është çfarë i thoni komunitetit ndërkombëtar që po e mbanë Kosovën të mbyllur. Çfarë po bëni ju që këtë shtet ta nisini përfundimisht në rrugën e lëvizjes së lirë, në rrugën e NATO-s, BE-së e OKB-së?! Çfarë po bën Qeveria juaj në këtë drejtim? A po izoloheni, a po bëni miq?

Natyrisht që unë s’pres që komforti i krijuar në zgjedhjet e fundit të shuhet shpejtë. E vërteta është që ju keni një pushtet, të plotë dhe të freskët. Do të duhet kohë, siç është dashur për rastet më parë, që qytetarët që ju kanë dhënë besimin, edhe t’ua marrin atë! Por, do t’ua marrin. Sepse po i trajtoni me arrogancë e shpërfillje. Të dhënë mbas privilegjeve e delirit të pushtetit, njerëzit e vendit tonë i keni lënë në harresë.

Kohë duhet, natyrisht!

Ne në opozitë - kohë kemi mjaft. Kohë, ndërsa, Kosova nuk ka. Me ritmin e deritanishëm, me thatësinë e tashme, me krizat e ardhshme, ju po ua merrni qytetarëve të vetmen gjë që ju është marrë deri më tani vazhidmisht – të ardhmen e tyre; dhe kjo në vete është fatkeqësi!

Ju faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat