Abdixhiku: Qeveria më dembele, ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit

Lajme

Abdixhiku: Qeveria më dembele, ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit

Nga: M.L. Më: 14 gusht 2021 Në ora: 12:12
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka hedhur një varg kritikash në drejtim të qeverisë, sa i përket cështjes së vaksinimit kundër CoVID-19.

Në një status në Facebook, Abdixhiku ka deklaruar se sot nuk ka se si t`iu bëjë thirrje qytetarëve për vaksinim, pasi sot nuk punojnë qendrat e vaksinimit.

“Plot 1128 raste të reja në ditë. Po aq, nga një mijë secilën ditë - tre mijë për tre ditë - numra rekord gjatë gjtihë pandemisë. Gjashtë kosovarë të vdekur në kaq pak kohë. Do t’iu thoja vaksinohuni, siç dhe ju themi çdo ditë e për ditë, por ku të vaksinoheni sot kur Qeveria më dembele në Evropë ka vendosur t’i mbyllë qendrat e vaksinimit në kulmin rekord të pandemisë. Ku t’i merrni vaksinat sot kur shteti është, me vetëdije, në pushim vikendi?”, ka theksuar Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, as tre turne punë nuk do të kryenin punë për vaksinim, pasi ka një shpërthim masiv të pandemisë.

“Qendrat janë të pamjaftueshme edhe po të hapeshin në plotni. As tre turne s’bëjnë punë në kulm të shpërthimit masiv. Në vend të një administrimi kolektiv, gjithënacional, që përfundon në pak ditë, Qeveria jonë zgjedhë pushim. Mbesim të fundit në Evropë në administrim; të parët për infektime për kokë banori në ditë. Një vend kaq i vogël, vazhdon t’i ketë 80% e popullsisë të pavaksinuar”, potencoi ai.

Për Abdixhikun, mbyllja e sërishme na vjen si e pashmangshme.

“Këta kanë dezertuar kujdesin për pandeminë. S’merren me të, sikurse me asgjë. Prandaj kujdesuni për vete! Vaksinohuni! - kurdo që vendosin këta të punojnë”, përfundoi kreu i LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat