Aktakuzë ndaj Milaim Zekës, ngarkohet se incizoi fshehurazi të dëmtuarën

Lajme

Aktakuzë ndaj Milaim Zekës, ngarkohet se incizoi fshehurazi të dëmtuarën

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 16:05
Milaim Zeka

Prishtinë- Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Milaim Zeka shumë shpejt pritet të dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në aktakuzën e ngritur në mars të këtij viti, e ngarkon Zekën se pa autorizim e ka incizuar fshehurazi të dëmtuarën B.D në restorantin “Fshati” në Prishtinë, derisa kjo e fundit kishte kërkuar nga Zeka që mos ta përmend djalin e saj në shkrimet e tij apo kudo qoftë tjetër, e më pas i akuzuari atë incizim ia kishte kaluar personave të tretë.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 18 mars 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Milaim Zeka po akuzohet se më 18 maj 2017, në rrugën “B”, në restorantin “Fshati” në Prishtinë, pa autorizim ka incizuar tani të dëmtuarën B.D dhe se këtë incizim u’a ka shpërndarë personave të tretë.

Me këto veprime Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Milaim Zekën se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera te paautorizuara”, nga neni 205 par 2, lidhur me par 1 të KPRK-ës.

Për ngritjen e kësaj aktakuze Betimi për Drejtësi ka provuar të kontaktojë edhe me të akuzuarin Zeka, mirëpo i njëjti ka qenë i pa qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat