​Profesori amerikan: Kongresi Klinik ndihmon avancimin e kujdesit për pacientët

Lajme

​Profesori amerikan: Kongresi Klinik ndihmon avancimin e kujdesit për pacientët

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 12:40
Bellal Joseph

Në sesionin e parë të Kongresit të Parë Klinik që po mbahet në Prishtinë nën organizim të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve të Kosovë, po ligjërojnë kirurgë të njohur botërorë.

Para shumë kirurgëve dhe specializantëve të kirurgjisë në Kosovë, sot ka treguar praktikat më të mira kirurgjike edhe profesori i Kirurgjisë nga Amerika, Bellal Joseph.

Joseph i cili është për herë të parë në Kosovë mbajtjen e këtij kongresi e ka konsideruar si moment historik për kirurgët, studentët dhe pacientët e Kosovës. Ai tha se përmes këso lloj aktivitetesh arrihet avancimi i kujdesit për pacientët.

Joseph: Kongresi është një hap monumental në historinë e kujdesit

Kjo është hera ime e parë në Kosovë, është një vend i mirë, gjithashtu dhe njerëzit, faleminderit për mikpritjen. Unë them që Kongresi është një hap monumental në historinë e kujdesit, jo vetëm për kirurgët, por edhe për pacientët, për vendin, dhe studentët ndërsa ecin përpara. Kjo do të jetë rruga e së ardhmes dhe mënyra se si njerëzit do të jenë në gjendje të mësojnë dhe përmirësojnë kujdesin për pacientët në Kosovë”, u shpreh profesori i Kirurgjisë.

Profesor i Kirurgjisë në Martin Gluck Endowed, Bellal Joseph në një intervistë për KosovaPress theksoi se mbajtja e këtij Kongresi Klinik jo vetëm që do të ndihmojë në avancimin e operimeve, por do të krijojë edhe linja komunikimi që do të ndihmojnë edhe studentët e Kosovës që studiojnë botën e kirurgjisë.

Joseph: Është një mundësi për të ndarë idetë

Kjo jo vetëm që do të avancojë operimet nga njerëzit që vijnë nga e gjithë bota këtu për të ligjëruar, por gjithashtu Kosova do të fillojë të bëjë gjëra dhe të mësojë botën se si i bëjnë gjërat këtu. Dhe mendoj se është thjesht një linjë komunikimi, është një mundësi për të ndarë idetë, për të mësuar të bëni pyetje të vështira. Dhe kështu, kjo do të bëjë një ndryshim, dhe jo vetëm tek kirurgët, por tek të gjithë studentët, dhe tek të gjithë njerëzit në Kosovë”, theksoi neurokirurgu amerikan.

Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Shef i Divizionit të Traumës, Kujdesit Kritik, Kirurgjisë së Djegies dhe asaj Emergjente, në Universitetin e Arizonës, duke folur për fushën e pandemisë në këtë periudhë të pandemisë COVID-19, që ka prekur gjithë botën u shpreh se tashmë është situata më e lehtë pasi edhe pacientët janë vaksinuar dhe dinë më shumë për virusin.

Joseph: Gjendja me COVID-19 është shumë më mirë sesa ishte në fillim

Është shumë më mirë sesa ishte në fillim, sepse tani dimë më shumë për Covid-in. Vaksinimet kanë ndihmuar, dhe pasi që pacientët janë të vaksinuar, kjo na ka ndihmuar, dhe tani ne kemi maska dhe më shumë njohuri, por ajo që thuhet nuk dihet tërësisht kurrë, dhe unë mendoj se ne jemi ende duke mësuar, por ne jemi shumë më të sigurt se sa kemi qenë ndonjëherë në kirurgji prej që ka filluar Covid-i, sepse tani dimë pak më shumë”, u shpreh ai.

Tutje Kongresi i Para Klinik po vazhdon punimet e tij ku kirurgë vendor dhe ndërkombëtar po ligjërojnë për metodat më të reja kirurgjike.

Në këtë Kongres po marrin pjesë rreth 850 profesionistë shëndetësorë nga drejtimi i kirurgjisë. Disa janë të pranishëm fizikisht e të tjerët janë kyçur përmes formave virtuale.

Kongresi i Parë Klinik do të zgjasë deri më 26 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat