Kishte pak shpresë për jetë, rrëfimi i 29 vjeçares nga Prishtina që e mposhti Leukeminë

Lajme

Kishte pak shpresë për jetë, rrëfimi i 29 vjeçares nga Prishtina që e mposhti Leukeminë

Më: 3 janar 2022 Në ora: 09:02
Foto ilustrim

Sapo ishte kthyer nga pushimet verore.

Filluan t’i shfaqeshin simptomat e para.

Megjithatë mjekët nuk mund t’ia gjenin diagnozën.

Më vonë asaj iu shfaqën edhe disa shenja vjollce në trup.

Pas shumë vizitave e kuptoi se ishte prekur me Leukemi Akute Limfoblastike.

L.G-emër i njohur për redaksinë, tani 29 vjeçe nga Prishtina, ka rrëfyer betejën e saj me një sëmundje aspak të lehtë.

“Në momentin që e kuptova që isha e sëmurë me Leukemi Akute Limfoblastike, isha vetëm 23 vjeçe, ishte 26 Gushti i vitit 2016. Gjithçka ndodhi pasi u ktheva nga pushimet verore, kisha lodhje, temperaturë, ethe dhe kisha filluar të humbisja peshë, më pas filluan të më shfaqeshin disa shenja vjollce në tërë trupin… aty fillova të kuptoja se diçka nuk po funksiononte me shëndetin tim, edhe pse kisha bërë vizita në Qendra Mjekësore Familjare mirëpo asnjë nga ta nuk ishte në gjendje të më tregonin se çfarë kisha”, tha ajo.

Pasi mori lajmin, atëkohë 23 vjeçe vazhdoi rrugën për shërim në Stamboll ku bëri 2 kimioterapi, por të cilat rezultuan pa sukses.

“Pas dy muaj kontrolle dhe analiza më në fund në një laborator në Prishtinë me njoftuan se duhet patjetër të vazhdoja vizitat në QKUK. Me datë 12 shtator të vitit 2016 kam përfunduar intervenimin e parë në Stamboll, ku kam marrë 2 kimioterapi me nga 21 ditë, por pa sukses deri në transplant”, shtoi ajo.

Ajo flet edhe për vështirësitë financiare që pati gjatë kësaj periudhe.

Por, thotë se fatmirësisht asaj i doli në ndihmë shteti dhe njerëzit vullnetarë.

 “Shteti më ka ndihmuar vetëm me 30.000 euro, mirëpo ndihmën më të madhe e ka bërë këngëtari, Labinot Tahiri mori rastin tim në dorë duke mbledhur të holla nga mbarë bota po ashtu së bashku me Ambasadorin e Shqipërisë mbajtën një mbrëmje humanitare për mbledhjen e të hollave në Prishtinë”, u shpreh ajo.

L.G tha se kohën sa ishte e sëmurë e kalonte duke shkruar.

“Gjatë kohës sa isha e sëmurë jam marr me shkrime tërë kohen ta kaloja kohën sepse nuk isha në gjendje për aktivitete fizike nga dhimbjet e shumta që kam pasur” tha ajo.

Ajo kishte motiv familjen dhe thotë se ia doli falë përkrahjes së tyre.

Me emocione flet për këtë periudhë.

“I’a dola të mbijetoj për hirë të familjes të mos shoh dhimbje në sytë e tyre”, këto ishin disa nga fjalët e saj mbas betejës me Leukeminë Akute.

29 vjeçarja tha se është rilindur kur kuptoi se kishte kaluar sëmundjen vdekjeprurëse.

“Si mund të ndihet një person i cili merr lajmin se ka vetëm 4% jetë? Ishte ndjenja më e mirë të kuptosh se ia dola të shpëtoja nga një sëmundje vdekjeprurëse, ia dola të mbijetoj për hirë të familjes të mos shoh dhimbje në sytë e tyre, unë isha rilindur pa e kuptuar se çfarë kisha kaluar”, u shpreh ajo.

L.G ka dhënë një mesazh Inkurajues dhe mbështetës për të gjithë njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje.

Ajo tha se duhet të kemi vullnet që të kalohet kjo sfidë e rëndë.

“Mesazhi im për të gjithë njerëzit është të kenë kujdes se si ushqehen, ku ushqehen të bëjnë analiza çdo 6 muaj ta përcjellin gjendjen e tyre. Një ditë mund të sëmuremi, por sa do të gjejmë shërim nuk mund ta gjejmë asnjëherë, ndërsa për ata që janë duke u trajtuar ende në spitale si brenda apo jashtë vendit ju them të luftojnë sepse po patën vullnet dhe besim në Zot do t’ia dalin pa pikë dyshimi”, tha ajo.

Ajo ka një thirrje për të gjithë krerët e shtetit të Kosovës.

Thotë se duhet të bëjnë çmos që të ndërtojnë një spital për trajtimin e këtyre sëmundjeve.

“Mesazhi tjetër shkon për krerët e shtetit tonë ku ju bëjë thirrje të ndërtojnë një spital për trajtimin e Sëmundjeve Kancerogjene në mënyrë që ato të holla që duhet t’i shpenzojmë jashtë vendit të përdoren për këtë spital, ata janë duke e humbur rininë e këtij vendi mirëpo fakt se pa u prekur sedra e tyre me sëmundje nuk mund të na kuptojnë”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat