Shqiptari flet për strehimin e hebrenjve nga babai i tij: I fshehu dhe i punësoi në dyqan

Lajme

Shqiptari flet për strehimin e hebrenjve nga babai i tij: I fshehu dhe i punësoi në dyqan

Më: 27 janar 2022 Në ora: 18:46
Luan Dizdari

Luan Dizdari është personazhi, familja e të cilit u doli në ndihmë hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, duke i strehuar ata.

Babai i Dizdarit, i cili punoi për një kohë në Tiranë si fotograf, e kishte strehuar aty një familje hebreje, madje edhe i kishte punësuar ata.

Ai tregoi se ata për një kohë të gjatë punuan në dyqanin e fotografive të babait të tij.

“Gavro dhe babai i Gavros kanë qenë hebrenj. Babai ata dhe familjen e tyre i strehoi në vendin ku ai po punonte në Tiranë. Babai i merr në dyqan, i fsheh aty, kanë punuar një kohë të gjatë aty te baba, i kanë ndihmu babës shumë. Baba i Gavros i ka punuar tri punë përnjëherë, pra kanë qenë shumë të zotët, punëtorë dhe ambiciozë”, tha ai.

Pas Tiranës, kjo familje ishte fshehur në Krujë, nga punëtori shqiptar i babait të Luan Dizdarit.

“Kanë qëndruar një kohë në Tiranë, e kur filloi kontrolli më i madh edhe atje, baba i ka thënë një punëtori aty se a mundesh me i strehu ti, ai i ka thënë se mund t’i dërgojë në Krujë te familja e tij dhe i ka shpëtuar, sepse babai ka thënë që derisa t’i sjellë në Kosovë, i gjejnë”, u shpreh ai.

Dizdari tregoi se familja e Gavros i kishin telefonuar gjatë luftës në Kosovë, për t’i pyetur për gjendjen e tyre dhe u kishte bërë ftesë që të shkojnë në Jerusalem.

“Ne, gjatë luftës, ishim në Turqi, as nana jeme nuk e ka ditë ku jemi, kur ka bo zilja e telefonit aty ku ne ishin si refugjatë, thotë se është zoti Gavro dhe ju jeni mysafirët e mi. I themi ne jemi 17 veta, thotë nuk ju pyeta sa jeni, por ju duhet të vini në Jerusalem, tek ne, sepse edhe ne e kemi obligim me ju shpëtu juve, ashtu sikurse edhe ju neve. Pra, janë njerëz që nuk e harrojnë kurrë të mirën. Por, ne nuk patëm mundësi me shku në Jerusalem, sepse nuk kishim mundësi me e lëshu Turqinë”, tha ai.

Tutje, Dizdari bëri të ditur se kanë marrë informatën se z. Gavro ka ndërruar jetë, por që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat