​Ibadete Bytyqi dhe Fjolla Kaçaniku nderohen nga MASHTI për punën shkencore

Lajme

​Ibadete Bytyqi dhe Fjolla Kaçaniku nderohen nga MASHTI për punën shkencore

Më: 7 shkurt 2022 Në ora: 12:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nderuar doktoreshën e shkencave mjekësore, Ibadete Bytyqin me titullin “Shkencëtar të vitit”, ndërsa Fjolla Kaçaniku, doktor në fushën e shkencave të edukimit, mori titullin “Shkencëtar i ri i vitit” për vitin 2021.

Në ceremoninë solemne të ndarjes së këtyre dy titujve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u shpreh se për fushën shkencore do të ofrojnë mbështetje të plotë përfshirë aspektin buxhetor por edhe legjislativ.

Ajo theksoi se tashmë në proces është edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për veprimtari kërkimore-shkencore i cili do të mundësojë punë më të mira në fushën e shkencës.

Nagavci: Mbështetja do të jetë edhe me buxhet

“Shkenca dhe hulumtimi shkencor zënë një vend të rëndësishëm edhe në programin tonë qeverisës dhe si ministri kemi iniciuar dhe e kemi përmbyllur me sukses së fundmi edhe konstituimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës. Me sukses arritëm që Kosovën ta kemi anëtare të asociuar në ‘Ëho Rise’ duke ofruar kështu mundësi të shumta për institucionet dhe hulumtuesit tanë. E mbështetja do të jetë e plotë jo vetëm në aspektin formal në krijim të legjislacionit dhe hapësirës por edhe me buxhet dhe kushtet e nevojshme për t’ju mundësuar krijuesve dhe hulumtuesve tanë që të kryejnë punën e tyre në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Natyrisht në proces e kemi edhe plotësimin e ndryshimit të ligjit për veprimtari kërkimore-shkencore që përpos që do të harmonizohet me kërkesat dhe aktivitetet aktuale të kohës, do të jetë në shërbim edhe të punë më të mirë për këtë fushë të rëndësishme për vendin tonë”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Shkencor të MASHTI-it, Shyqyri Kelmendi duke u uruar suksese të dy shkencëtareve, u shpreh se norma prej 0.7% e buxhetit të Kosovës që ndahet për hulumtime shkencore duhet të rritet.

Kelmendi: Norma prej 0.7% si mbështetje për hulumtimet shkencore e ulët

Kur flasim për shkencën kosovare çdo herë mbështetemi në atë që brenda 10 viteve të fundit nga pavarësia e këndej ne e kemi një ligj për shkencën dhe hulumtimet shkencore i cili e parasheh edhe normën e ndarjes nga buxheti i Kosovës për stimulimin dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore në përgjithësi dhe ajo normë që është 0.7% nga buxheti i Kosovës ne konsiderojmë se është normë e ulët dhe duhet të bëhen përpjekje që kjo normë të ngrihet me qëllim të stimulimit të fortë të hulumtimeve shkencore në Kosovë”, tha ai.

Ibadete Bytyqi është doktoreshë e Shkencave Mjekësore, kardiolog, anëtare e shumë Shoqatave Kardiologjike Ndërkombëtare, me gjithsej 8 mirënjohje në nivel kombëtar dhe internacional për arritje profesionale shkencore. Po ashtu, ka katër libra të botuar, tre udhërrëfyes vendorë dhe një ndërkombëtar dhe 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferenca shkencore ndërkombëtare është paraqitur me 72 abstrakte prej 42 si autore e parë.

Ajo falënderoi MASHTI-n që vlerësoi punën e saj dhe i mundësuan të përjetojë këtë titull në vendlindje.

Bytyqi: Nuk ka ndonjë gjë më peshuese sesa atëherë kur puna jote ka vlerë

Në këtë botë nuk di që ka ndonjë gjë më peshuese sesa atëherë kur puna jote ka vlerë, ajo e bënë aq të lehtë mundin dhe sakrificën e rrugëtimit tënd. Andaj sot përzemërsisht falënderoj MASHT që në shtetin tim, në vendin tim, më mundësuan të përjetojë një ndjenjë të tillë”, u shpreh ajo.

Fjolla Kaçaniku e cila u shpall “Shkencëtari i ri i vitit” mban titullin doktor në fushën e shkencave të edukimit, puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve në databazë që janë të indeksuara në Skopus, Kurtalin e dytë dhe Kuartalin e tretë.

Ajo u shpreh se hulumtimet e saj do t’i përkthejë në të dhëna që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Kaçaniku: Të dhënat shkencore do t’i aplikoj për përmirësimin e cilësisë në arsim

Në këtë moshë dhe në këtë kohë të njihet puna jonë si shkencëtare, sidomos në fushën e shkencave të edukimit, që ndoshta deri tash nuk është parë si fushë me vlerë në shoqërinë tonë, unë tani këtë çmim do ta marr dhe do të mundohem që jo vetëm aspekt shkencor por edhe të përkthimit të këtyre të dhënave shkencore t’i aplikoj në praktikë drejt përmirësimit të cilësisë në arsim”, u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat