​Rivarrosen mbetjet mortore të 7 personave të zhdukur, me thirrjet për drejtësi kujtohet dënimi i Tasiqit

Lajme

​Rivarrosen mbetjet mortore të 7 personave të zhdukur, me thirrjet për drejtësi kujtohet dënimi i Tasiqit

Më: 26 mars 2022 Në ora: 15:54
​Rivarrosen mbetjet mortore të 7 personave të zhdukur

Pas 23 vitesh nga masakra në Krushë të Vogël, janë rivarrosur sot mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999. Nuredin Shehu, Hysen Zylfiu, Ahmet Berisha, Nue Prenkaj, Sahit Shehu, Sami Shehu dhe Skyfer Batusha u rivarrosën në Kompleksin e varrezave të martirëve në fshatin Krushë e Vogël me thirrjet për të sjellë drejtësi për masakrën që i mori jetën gjithsej 112 shqiptarëve. Aty u fol edhe për serbin Dasko Tadiq i cili është në vuajtje të dënimit prej 11 vitesh si i akuzuar për këtë masakër.

Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh se historia e shtetit të Kosovës nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël dhe Krushën e Madhe.

Ai tha se, përveç para atyre që s'janë më, sot përkulemi edhe para forcës së të mbijetuarve të masakrës në Krushë të Vogël, për të ngritur jetë mbi zbrazëtinë dhe hirin që gjetën kur u kthyen pas tre muajsh në fshat.

Kurti: Historia e shtetit nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël dhe të Madhe

“Historia e shtetit tonë nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e Krushën e Madhe. Nuk mund të shkruhet pa adresimin e dhimbjeve e tmerrit të përjetuar. Dëmeve e vuajtjeve të shkaktuara. Historia jonë është e shkruar me mbi 400 masakra të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë. Kjo histori nuk mund të rishkruhet e as të harrohet. Asnjëherë të ndryshohet. I përjetshëm qoftë kujtimi për Nuredin Shehun, Hysen Zylfiun, Ahmet Berishën, Nue Prenkajn, Sahit Shehun, Sami Shehun e Skyfer Batushën”, deklaroi Kurti.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, tha se 23 vite më parë, në Krushë të Vogël u vulos liria e Kosovës ndërsa masakra dëshmoi karakterin gjakatar të aparatit shtetëror të Serbisë.

Hoti: Krusha e Vogël e kishte vulosur lirinë e Kosovës

“Sot 23-vjet, Krusha e Vogël e kishte vulosur lirinë e Kosovës, sot 23-vjet këtu u ndan njeriu me bishën, e mira me të ligën, bujaria me barbarinë. Toka u la me gjak dhe nënat mbetën shkretë, por jeta triumfojë sërish me krushjanët e feniksët e mitologjisë. Krimi serb në Krushë të vogël dëshmon për masën e vetme morbide të një populli gjakatar, masakrimi, djegia e zhdukja e burrave, pëlqeve dhe fëmijëve nga milicët e Tasiqit, vërteton karakterin gjakatar, jo vetëm të aparatit shtetëror të Serbisë. Sot 23-vjet më parë, Krushës i rikthehet dhembja dhe i përtërihen plagët ende të pashëruara me varrosjen e eshtrave të shtatë martirëve... Na merrte malli të dëgjojmë një zë burri se kishin mbet vetëm fëmije, nënë e nuse të reja në familje, rrëfente nëna Sabrie, nëna e Skifter Batushës, njëri prej martireve që varroset sot”, theksoi Hoti.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se me dhimbje kujtojmë sakrificat e popullit për liri por jemi krenarë për rezistencën dhe luftën e pastër që është bërë për të mbrojtur vendin.

Totaj: Dhimbje për masakrat dhe krenari për rezistencën

“Ne këtë muaj, ne kujtojmë sakrificat, vështirësitë, dhimbjet nëpër të cilat ka kaluar populli ynë, por në të njëjtën kohë ndjejmë krenari për rezistencën dhe luftën e pastër që është bërë për ta mbrojtur vendin tonë dhe për ta fituar lirinë. Vrasjet, masakrat, keqtrajtimet, dëbimet e granatimet që i janë bërë popullit civil të Kosovës në javën e fundit të marsit në vitin 1999, do të mbetet pjesa më e dhimbshme dhe më e paharrueshme në kujtimet tona”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e fshatit Krushë e Vogël, Shpresa Shehu, kujtoi vendimin për t’i ulur dënimin me burg serbit Dasko Tasiq, i akuzuar për krime lufte në fshatin e saj, që fillimisht u dënua me 22 vite burgim nga Gjykata Themelore e Prizrenit por më pas Apeli ia përgjysmoi në 11 vite. Ajo shtoi se asnjëherë nuk do të heshtin kur dikush kërkon të harrohet e kaluara historike në emër të pajtimit me pushtuesit.

Shehu: Jemi të zhgënjyer me vendimin e Apelit

“Ne familjarët jemi të zhgënjyer dhe të irrituar me vendimin e Gjykatës së Apelit për të vetmin kriminel t dënuar nga kjo ngjarje Darko Tasiç, të cilit ju përgjysmua dënimi, ky është dështim i drejtësisë. Në kërkojmë të vihet drejtësia në vend, sepse vetëm kështu zemrat dhe shpirtrat tanë, do të jenë të qetë. Në asnjë rast nuk do të heshtim kur dikush kërkon të harrohet e kaluara jonë historike në emër të pajtimit me pushtuesit. Asnjëherë nuk duhet të barazohet lufta jonë çlirimtare me krimet dhe barbaritë serbe”, tha ajo.

Në masakrën e Krushës së Vogël u vranë 12 shqiptarë, ku më i riu ishte 13-vjeç. Nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat