Shënohet dita e mobilizimit të dhunshëm në Tërnoc, gjatë gjatë fushatës ajrore të NATOS-s në Serbi

Lajme

Shënohet dita e mobilizimit të dhunshëm në Tërnoc, gjatë gjatë fushatës ajrore të NATOS-s në Serbi

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 26 prill 2022 Në ora: 08:25
Foto nga vendi i ngjarjes

Të hënën e 25 prillit, në Bujanoc, në Restorantin “Dyzeldorf”, në mënyrë institucionale u shënua dita e mobilizimit të dhunshëm, gjatë fushatës ajrore të NATOS-s në Serbi dhe në pjesën lindore të Kosovës në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Në këtë përvjetor, në të cilin merrnin pjesë përveç Këshillit Organizativ, në krye me të parin e të mobilizuarëve vullnetarë Nexhmedin Saqipi me bashkëpunëtorë, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Bujanocit dr. Nagip Arifi dhe vëllai i dëshmorit të kombit Komandat Lleshit, Izet Qazimi.

Gjithashtu, në këtë përvjetor u evokuan dhe u rikujtuan ngjarjet e tmerrshme para 23 vitesh (23 e 24 prill të vitit 1999), kur në Tërnoc, Ushtria ish jugosllave bëri dëbimin me dhunë nga shtëpitë tërnocasit, duke u dërguar te vendi i quajtur “Zidi” mbi Tërnoc, pa dallim moshe e gjinie: fëmijë, pleq, gra e burra, të sëmurë e të paralizuar, si dhe duke i kërcënuar ata me provokimet më të rënda të shpërndarjes së ftesave për mobilizimi të dhunshëm gjatë fushatës ajrore të NATO-s.

Vlen të ceket sipas Nexhmedin Saqipi, në atë periudhë të vështirë kohore nga ushtria serbe ishin: mbyllja e shkollave shqipe, shkyçja nga rrjeti elektrik, zbrazja e ambulancave nga ilaçet, konfiskimi librave të gjendjes civile, si dhe ai më i tmerrshmi, paralajmërimi i ardhjes së forcave paramilitare të Arkanit në Tërnoc, rrethimi i fshatit nga të gjitha anët me armatim të rëndë nga forcat ushtarake të Serbisë si dhe Ultimatumi, që deri në orën 15:00, nga ana e fshatarëve, të dorëzohen armët që i posedojnë, të dorëzohen pjesëtarët e UÇK-së, të dorëzohen radio-lidhjet dhe lokatorët, të dorëzohet laboratori i drogës etj. Nëse nuk zbatoheshin këto urdhra, fshati do të bëhej shkrumb e hi. Mirëpo, midis kërkesave dhe kërcënimeve të forcave ushtarake, tërnocasit vendosën, që të mos e lëshojnë fshatin.

Por, tha në vazhdim z. Saqipi, se më provokative ishte ftesa e Mobilizimit të dhunshëm. Nuk ishte lehtë pranimi i ftesës për mobilizim, në ato momente lypsej guxim, sakrificë e maturi e besim, për t’u bërë “kurban i popullit” për ta shpëtuar popullatën nga eksodi i vërtetë. Ishte ditë e shtunë e 24 prillit, të vitit 1999, kur morëm lajmin se janë ftuar 150 të rinj vetëm nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, me ftesë për të mobilizuar në radhën e Ushtrisë Jugosllave, me moton: “Ta mbrojmë Atdheun!”. Kjo ftesë e mobilizimit erdhi, pikërisht, pasi Ushtria Jugosllave e pa se Tërnoci ishte i vendosur që të mos i lëshoj vatrat stërgjyshore për asnjë çmim. Me këtë qëndresë heroike tërnocasit, nuk u lëkundën nga vendi as pas provokimeve të tjera nga pushteti ushtarak, qoftë përmes kërcënimeve, bastisjeve, qoftë përmes nxjerrjes me dhunë nga shtëpitë dhe dërgimi mbi fshat te vendi i quajtur te “Zidi”, u shpreh z. Saqipi.

Në fund të këtij përvjetori u shtrua një iftar nga kryetari i Komunës së Bujanocit dr. Nagip Arifi, si dhe për pjesëmarrësit u shpërndanë Mirënjohje, nga Këshilli Organizativ, në krye me Nexhmedin Saqipin, njofton Jetapress.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat