Pupovci: Ekskursionet nuk janë të ndaluara

Lajme

Pupovci: Ekskursionet nuk janë të ndaluara

Më: 6 maj 2022 Në ora: 14:21
foto ilustrim

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se në Kosovë nuk ka ndalesa për organizimin e ekskursioneve. Zëvendësministri i Arsimit ka thënë se vendimi i qeverisë i datës 30 prill për lehtësimin e masave anti-COVID mundëson edhe organizmin e shëtitjeve me autobusë me kapacitet të plotë.

Pupovci ka thënë se nuk e di arsyen e protestës në Podujevë por ka shtuar se një muaj më parë ministria u ka bërë të ditur drejtorive komunale lejimin e organizmit të ekskursioneve.

“Prej vendimit të qeverisë i cili është marrë në mars, ekskursionet lejohen. Te ato masat e COVID-it, është heq ndalesa për ekskursione dasma, fejesa, evente të tjera, ajo ndalesë është hequr, kjo është konfirmuar edhe me vendimin e fundit të qeverisë të datës 30 prill, edhe aty shkruan që ekskursionet lejohen, është çështje e shkollës nëse do t’i organizojë dhe ku do t’i organizojë, ndalesë për ekskursione në Kosovë nuk ka.

Nuk po e di pse është protestuar në Podujevë, cila ka qenë arsyeja e vërtetë pse shkolla nuk dëshiron të organizojë ekskursionin, ka ndonjë arsye tjetër ndoshta, por ekskursionet nuk janë të ndaluara dhe këtë ua kemi bërë të qartë drejtorëve komunalë të arsimit”, ka thënë Pupovci.

Ndryshe, nxënësit e tri shkollave të mesme në Podujevë kanë protestuar me kërkesën për lejimin e ekskursionit në Shqipëri.

Dy nxënës janë arrestuar nga Policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat