Analiza e Courrier des Balkans: Rama-Vuçiç, ushtarët e vetmuar të Ballkanit të Hapur

Lajme

Analiza e Courrier des Balkans: Rama-Vuçiç, ushtarët e vetmuar të Ballkanit të Hapur

Simon Rico Nga Simon Rico Më 23 maj 2022 Në ora: 23:05
Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Javën e kaluar kreu i shtetit malazez, Milo Gjukanoviq ishte në Kosovë për një vizitë zyrtare dy ditore. Atij iu dha mundësia për të ripërsëritur, sëbashku me mikpritësen e vet, presidenten Vjosa Osmani, kundërshtimin e thellë ndaj Ballkanit të hapur.

I nisur në vitin 2019, ky projekt që bazohet në modelin e grupit të Vishegradit (Poloni, Çeki, Hungari, Sllovaki/shen), synon të krijojë një zonë të lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit brenda Ballkanit Perëndimor.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Milo Gjukanoviç dhe Vjosa Osmani nuk i përzgjodhën fjalët duke deklaruar se forcimi i kësaj nisme rrezikonte të shtonte ndikimin rus në Evropën Juglindore. Te dy liderët treguan me gisht pozicionimin e trazuar të Serbisë, e cila refuzon të vendosë sanksione mbi Moskën, duke rezikuar kështu – besojnë ata – ngadalësimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Në vend që të përshpejtonte përparimin e vendeve tona drejt BE-së, ajo do t’i vendoste ata në një sallë pritjeje duke e stërzgjatur edhe më shumë procesin integrues”, theksoi Vjosa Osmani duke shtuar: “Prandaj, Kosova vazhdon të mbajë të njëjtin pozicion, përkatësisht atë që ne e konsiderojmë bashkëpunimin rajonal si thelbësor, por duke e zhvilluar në kuadër të iniciativave ekzistuese, anëtare e së cilës është edhe Kosova, dhe në veçanti në kuadër të procesit të Berlinit».

Në fillim të majit, kancelari gjerman Olaf Scholz kishte insistuar tashmë në nevojën e rinisjes së procesit të Berlinit gjatë vizitës së kryeministrit kosovar, Albin Kurti, në Berlin. Kjo gjë e vuri në një situatë shumë të pakëndshme presidentin serb, që ishte gjithashtu mysafir i Olaf Scholz atë ditë.

Sipas Milo Gjukanoviçt, Open Balkan u lançua në një “moment depresioni”, që shkaktohej nga largimi i paralajmëruar  i kancelares gjermane Angela Merkel dhe nga refuzimi i BE-së për të avancuar kandidaturat e vendeve të Ballkanit. Liderët serbë, shqiptarë dhe maqedonas “menduan se integrimi evropian ishte i pamundur, dhe se për shkak të daljes së Merkel nga skena integrimi evropian për Ballkanin Perëndimorët do të zbehej”.

Por kjo nuk është e vërtetë. Madje, presidenti malazez konsideroi se pushtimi rus i Ukrainës kishte ringjallur interesin strategjik të integrimit të Ballkanit në BE.

Gjatë një interviste të dhënë pak kohë më parë për kanalin kosovar Koha TV, Milo Gjukanoviç tha se “Ballkani i Hapur do ta ndihmonte Serbinë të ushtrojë pretendimet e saj nacionaliste ndaj fqinjëve, përkatësisht Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Ai denoncoi  besueshmërinë e ulët të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili ishte “ministër i propagandës nën regjimin gjenocidial të Sllobodan Millosheviqit”. Por ai harroi të specifikojë se edhe vetë ka qenë i afërt me ish burrin e fortë të Beogradit përpara se ti bashkëngjitej kampit properëndimor në fund të viteve 1990. Gjithashtu ai ka pasur marrëdhënie të privilegjuara me Millosheviçin, përpara se të kthente gradualisht fletën.

Për qëndrimin e Milo Gjukanoviçit dhe Vjosa Osmanit nuk ka munguar të reagojë kryeministri shqiptar. Edi Rama është bërë vitet e fundit aleati më i zellshëm i Aleksandër Vuçiçit në Ballkan. « Ata që kundërshtojnë Ballkanin e Hapur kanë të drejtë të mos shohin, dëgjojnë apo kuptojnë se kjo nismë promovon paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe përshpejton procesin e Berlinit”, tha ai. Përpara se të bëhej profetik: “Ballkani i hapur nuk do të ndalet, sepse e ardhmja nuk mundet të pengohet ».

Që nga fillimi i Open Balkan, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë qenë gjithmonë kundër. Ato kanë përdorur një argument të thjeshtë : kjo iniciativë e re konkuron me tregun e përbashkët rajonal të parashikuar në kuadrin e procesit të Berlinit dhe përbën rrezik për distancimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor nga perspektiva e tyre evropiane.

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazovic, megjithatë, u shpreh publikisht në favor të Open Balkans. Por nuk është e sigurtë nëse se ai guxon të krijojë përplasje për këtë çështje, ndërkohë që qeveria e tij minoritare varet nga mbështetja e partisë së presidentit Gjukanoviç.

Ai vetë theksoi se kjo ishte një «temë e ndjeshme» dhe se do të qe e nevojshme, që për të ratifikuar këtë zgjedhje, të vendoste një shumicë prej 2/3-sh në Parlament.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkaq ka ripërsëritur kundërshtimin e tij të prerë. “Serbia nuk është e hapur ndaj Kosovës, ata nuk i njohin dokumentet tona,” vuri në dukje ai. “Nëse Serbia dëshiron Ballkanin e hapur, ajo duhet të hapet ndaj Kosovës". Sipas tij, “Open Balkans lindi në tetor 2019, kur u bë e qartë se BE-ja nuk do të hapte negociatat [për anëtarësim] për Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut”, për shkak të jo-së nga Franca, Holanda dhe Danimarka. “Presidenti serb e shfrytëzoi pikëllimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në atë kohë. »

I vetëdijshëm se nisma e tij shtyhet me vështirësi përpara, presidenti serb ka kërkuar mbështetje nga ana e Shteteve të Bashkuara. Open Balkan është një histori suksesi për të ruajtur stabilitetin në Ballkan dhe “mënyra më e mirë” për të përgatitur rajonin për anëtarësim në BE, pohoi Aleksandar Vuçiq gjatë një takimi me delegacionin amerikan që po zhvillonte një turne në Ballkanin Perëndimor.

Burri i fortë nga Beogradi dëshironte të qetësonte Uashingtonin për refuzimin e sanksioneve ndaj Moskaës që po i shqetëson gjithnjë e më shumë kancelaritë perëndimore.

Kapja pas Open Balkans i lejon atij përdorimin e kartës së e garantuesit të stabilitetit rajonal dhe perspektivës të integrimit evropian.

Nuk dihet sa kanë mundur të bindin këto argumenta sidomos kur muajt e fundit i dërguari special amerikan, Gabriel Escobar ka insistuar në faktin se çdo nisëm mund të ketë sukses vetëm nëse bashkon të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shkruar nga korrespondenti i disa mediave franceze per Ballkanin, Simon Rico/ Courrier des Balkans, përktheu për Lapsi.al, T. Çela

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat