Kokaina në kontejnerin me mish pule nga Brazili, gjykata lë në burg biznesmenin nga Kosova dhe agjentin doganor

Lajme

Kokaina në kontejnerin me mish pule nga Brazili, gjykata lë në burg biznesmenin nga Kosova dhe agjentin doganor

Më: 18 qershor 2022 Në ora: 11:09
Foto ilustrim

Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Ferizin, administratorin e kompanisë që kishte porositur pula nga Brazili dhe në kontejner u gjet 45 kg kokainë.

Korespondenti i Panorama bën me dije se gjykata ka vendosur 18 dite burg për agjentin doganor Egert Vargu.

Sasia prej 45 kg e kapur mbrëmjen e së mërkurës në portin detar e çon në 2 tonë sasinë e kokainës të sekuestruar në harkun e tre viteve të fundit në Pikën Kufitare të Durrësit, në kontejnerin me mish pule të porositur nga një kompani e përpunimit të mishit me seli në Kosovë, për llogari të një filiali në Maqedoninë e Veriut.

Droga mendohet se kishte dy porositës, kjo për shkak se edhe pakot (40)ishin të ndara, me imazhe të ndryshme, por që si personazh kryesor kishin protagonistin e filmit të animuar “Goku” dhe “Budën”.

Lënda narkotike ishte e fshehur në një kontejner me mish pule që kishte ardhur tranzit nga Brazili. Policia arrestoi dy persona: Arben Ferizi, banues në Prishtinë, me detyrë administrator i kompanisë dhe Egert Vargu, me detyrë agjent doganor në Portin e Durrësit. Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

DEKLARIMET PAS ARRESTIMIT

Që të dy të arrestuarit kanë mohuar të kenë pasur dijeni apo lidhje me trafikimin e lëndës narkotike. Para hetuesve, Vargu ka deklaruar se është agjent i pavarur doganor dhe se punon bashkë me gruan. Sipas tij, ai ka bërë veprimet doganore për kompaninë dhe s’ka asnjë njohje dhe as lidhje.

“Nuk është puna ime. Puna ime është të merrem me dokumentacionin”, mësohet të ketë thënë ai.

Egert Vargu, i arrestuar si agjent doganor i kompanisë ‘Apetit Group’, në kontejnerin e së cilës u gjet 45.5 kg kokainë, është anëtar i Këshillit Bashkiak në Tiranë në njësinë numër 8 me Partinë Socialiste. Vargu ka hyrë si anëtar i Këshillit Bashkiak pasi opozita ka braktisur këshillin, sepse ishte i 43-ti në listë.

Të njëjtën linjë ka ndjekur edhe administratori i kompanisë, i cili ka deklaruar: “Nuk kemi lidhje me drogën. Kompania ka porositur mish pule dhe të gjithë veprimet ne i bëjmë online. Porosisim online dhe nuk kemi nga ta dimë se çfarë ka në kontejner. Kompani ka vite që merret me prodhimin e salsiçeve dhe është shumë e suksesshme. Nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje, nuk kam dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat