Furrat e bukës “nën llupën” e Autoritetit të Konkurrencës për rritje të çmimeve

Lajme

Furrat e bukës “nën llupën” e Autoritetit të Konkurrencës për rritje të çmimeve

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 17:35
Ilustrim

Nga 50 deri në 60 cent sillet çmimi i bukës në Kosovë, varësisht nga furra që e prodhon dhe qyteti.

E, deri në fillim të këtij viti, çmimi ka qenë 35 cent.

Në atë kohë ka pësuar rritje vende-vende deri në 50 cent.

Por, ditëve të fundit, në disa furra të Gjilanit është raportuar se çmimi i një buke që peshon mbi 500 gram, është rritur nga 50 në 60 cent.

Ndërsa, ndryshe prej Gjilanit, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë nuk ka pasur lëvizje të çmimit të bukës së voni.

Lidhur me këtë rritje të çmimit të bukës në Gjilan nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), kanë thënë se kanë filluar monitorimin dhe në bazë të gjetjeve do të zhvillojnë procedurat sipas dispozitave të ligjit në fuqi.

Por, jo vetëm në Gjilan, një monitorim i tillë është duke u bërë edhe në qytetet tjera të Kosovës.

“Autoriteti gjatë kësaj jave është duke bërë monitorimin/shqyrtimin paraprak në teren (në qytetin e Gjilanit por edhe në qytetet tjera), lidhur me shqetësimet për rritjen e çmimeve te bukës. Pas vlerësimit të situatës, dhe të gjeturave atëherë Autoriteti zhvillon procedurë sipas dispozitave të ligjit për Mbrojtjen e  konkurrencës”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Të pyetur se a ka biznese që janë gjobitur për rritje të çmimeve dhe sa është numri i tyre, nga ky institucion nuk kanë dhënë përgjigje.

Por, vetëm kanë treguar se AKK në vazhdimësi është duke bërë shqyrtimin paraprak të tregjeve të konsumit.

“Autoriteti në vazhdimësi është duke bërë shqyrtimin paraprak të tregjeve të konsumit. Të gjitha format që konsideron shtrembërim apo kufizim i Konkurrencës në tregjet përkatëse, nga operatorët ekonomik që operojnë në këto tregje, do të jenë objekt i shqyrtimit nga Komisioni për mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet më tutje në përgjigjen e AKK-së.

Në Kuvendin e Kosovës, më 30 qershor, është mbajtur një debat për situatën e krijuar nga rritja e çmimeve.

Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa, duke reduktuar akcizën dhe normën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) në derivate të naftës dhe produkte të domosdoshme për tre muaj – me mundësi vazhdimi, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

TVSH-ja është një tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime, ndërsa akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, si ato energjetike, duhani apo alkooli.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se nëse reduktohet TVSH-ja, zvogëlohen të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës, që mbushin arkën e shtetit.

Më 22 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar një udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës, i cili ka hyrë në fuqi më 27 qershor. “Tavani i çmimit” të tyre, tash për tash, përcaktohet çdo 24 orë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12,5 për qind në muajin maj 2022  krahasuar me muajin maj 2021.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (27,0%), mishi (18,1%), qumështi, djathi dhe vezët (22,5%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (54,3%), perimet (8,8%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (17,0%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat