Rakiq: Nuk do të heqim dorë nga dokumentet dhe targat tona

Lajme

Rakiq: Nuk do të heqim dorë nga dokumentet dhe targat tona

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 12:06
Goran Rakiq

Ardhja e kryeministres Ana Bërnabiq “është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit tanë në këto hapësira në këto kohë sfiduese”, ka deklaruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një intervistë dhënë gazetës pro-qeveritare serbe “Novosti”.

Vizita e kryeministres serbe dërgon një mesazh të qartë se mbi të gjitha jemi të vendosur për paqe, stabilitet, dialog, se populli ynë nuk është vetëm dhe se gjithmonë do të ketë shtetin e tij afër vetes, pa të cilin nuk ka serb në Kosovë. Investimi shtetëror dhe kujdesi i vazhdueshëm për njerëzit tanë përmes zyrës për Kosovë është me rëndësi jetike dhe në këtë kuptim kjo vizitë dhe investimet e paralajmëruara na bëjnë të gjithëve të lumtur”, pretendon Rakiq.

Ai ka deklaruar se “dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rrugë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në këto hapësira”,.

“Lista Serbe, populli ynë dhe lidershipi ynë shtetëror me presidentin Vuçiq në krye, do të mundohen të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen në këto hapësira. Ne ia kemi përcjellë qartë presidentit tonë Vuçiq se populli ynë ka besim vetëm tek ai dhe tek ekipi ynë negociator, se ne besojmë se marrëveshja për dokumentet personale është një hap në drejtimin e duhur dhe se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje për çështjen e targave në të njëjtin parim”, ka thënë Rakiq.

Në pyetje se cila do të jetë përgjigja e Listës Serbe nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti fillon të zbatojë vendimet “e njëanshme” për targa, Rakiq përgjigjet se “duam kompromis, jo lëvizje të njëanshme dhe kërcënime për konfiskim të automjeteve”.

“Nuk dua të spekuloj, por ju kujtoj konkluzionet e miratuara nga komunat tona në seancën e përbashkët në Zveçan, njerëzit tanë nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga dokumentet dhe tabelat e tyre dhe nuk do ta bëjnë këtë as nën kërcënim nga Prishtina”, pretendon kryetari i Listës Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat