​Auditimi: MMPHI ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë 5.7 milionë euro vetëm për 2021

Lajme

​Auditimi: MMPHI ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë 5.7 milionë euro vetëm për 2021

Më: 31 tetor 2022 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilave MMPHI-ja kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave.

MMPHI ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë të përgjithshme prej 5.7 milionë euro vetëm në vitin 2021 duke e renditur si një nga ministritë që më së shumti ka përdor këtë lloj procedure.

Aktivitetet e prokurimit, në çdo autoritet kontraktues duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik.

Këto parime kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar si dhe ndihmon organizatën në arritjen e objektivave të saj.

Përmes këtij auditimi në MMPHI, synon që të vlerësojnë sa ishte i arsyeshëm dhe në përputhje me kornizën ligjore të prokurimit publik përdorimi i procedurës së negociuar nga ana e Ministrisë, a është dokumentuar si duhet përdorimi i kësaj procedure dhe a është arritur vlera për para në këto projekte.

Fushëveprimi i këtij auditimi janë kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë afër 4.9 milionë euro (14 kontrata).

Ky auditim synon të rrisë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në MMPHI dhe aty ku është e nevojshme të ofrojë rekomandime që fondet e shpenzuara publike arrijnë vlerën për para. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat