Varrimi që u shndërrua në një ngjarje historike

Lajme

Varrimi që u shndërrua në një ngjarje historike

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 20:42
Varrimi i mësuesit Halit Geci

Me emocione është kujtuar dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, më 28 nëntor 1997, nga ish pjesëtarët e saj. Varrimi i mësuesit të parë që u vra në oborrin e shkollës së Llaushës së Skenderajt, ishte momenti kur 3 pjesëtarë të UCK-së, bënë betimin se do i shërbejnë atdheut e do luftojnë kundër forcave serbe

Varrimi i mësuesit Halit Geci, nga Llausha e Skenderajt, ishte momenti, ku pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendosën të dalin publikisht.

Vrasja e tij nga forcat serbe, më 26 nëntor të 1997, në oborrin e kësaj shkolle, që tash mban emrin e tij, bëri që publikisht, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj e Mujë Krasniqi, të dalin në emër të UÇK-së, e të betohen për mbrojten e atdheut.

Ndonëse kanë kaluar 25 vjet nga kjo ngjarje, të freskta kujtimet e saj i ka ish-pjesëtari i UÇK-së, Shaban Rrecaj, i cili ishte së bashku me Halit Gecin, deri në momentet e fundit të jetës së tij.

“Ka qenë kohë e vrantë e zymte, natyra na tregojke që jemi në rrezik, mbrëmje vonë dëgjuam se ka ndërruar jetë, varrimi tani është bërë me 28, ka pasur pjesëmarrës në atë varrim sa unë nuk mbaj mend, u kanë fshati, shkolla e rrethuar me njerëz…ishte një dhimbje e madhe përcjellja prej shkolle deri të varrezat toka na vijke rëndë…Masi u varros erdhi një veturë, me uniform të UCK-së, edhe dolën aty u betuan para atyre, se do ta marrin hakun dhe nuk do të e lëshojnë këtë tokë kurrë, momentin kur kanë dal kejt duartrokitje, krejt ajo mërzi u kthye në krenari”, ka thënë Rrecaj.

Rrecaj, i cili edhe vetë u plagosë, më 26 nëntor të 1997, thotë se i ndjeri Halit Geci, arsimin e kishte dashur shumë.

“Haliti edhe të gjithë mësimdhënësit kemi pasur oferta me shku jashtë, por, kurrë nuk u kanë i interesum me e lëshu Kosovën, e me i lënë nxënësit”, ka shtuar Rrecaj.

Për dashurinë që kishte për shkollën, në të cilën punoi, rreth 30 vite tregon edhe djali i Halitit, i cili tregon edhe për përshëndetjen e fundit që kishte me babain e tij.

“Ai është përgatitur edhe ka shku për në shkollë, para se me pasë kohën e tij për me dhënë mësim, edhe më ka uruar fat atë ditë, se kam pasur provim në autoshkollë për patent shofer, jemi përshëndetur edhe kur kam dal në rrugë ai ka qenë me kolegë, para derës së shkollës, edhe më ka përshëndetur me dorë, ajo ka qenë përshëndetja e tij e fundit që mua më ka mbetur në kujtes”, ka thënë Lulzim Geci.

Për rëndësinë që ka momenti i daljes së UCK-së, publikisht, flasin edhe ish pjesëtarët e tjerë.

“Ky ka qenë moment shumë i rëndësishëm sepse deri në këtë kohë, përveç asaj pjesës që ka qenë pjesë e strukturës, se UCK-së, njerëzit shumica nuk besonin që ka një informacion ushtarak ka një forcë politike, që ka vendos të ja kthej pushkën Serbisë”, ka thënë Bedri Zyberaj nga Agjencia shtetërore e Arkivit të Kosovës.

Derisa, Mujë Krasniqi, ra heroikisht në vitin 1998, Rexhep Selimi gjendet në Hagë, duke u akuzuar për krime lufte, e Daut Haradinaj, vazhdon të jetë një politikan në Kosovë, ndërsa ka qenë për dy mandate edhe deputet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat