Tërnava: Situata në veri konfliktuoze, duhen siguruar pajisjet luftarake e fluturuese

Lajme

Tërnava: Situata në veri konfliktuoze, duhen siguruar pajisjet luftarake e fluturuese

Nga: N.E. Më: 19 dhjetor 2022 Në ora: 12:59
Hajrullah Tërnava

Kanë hyrë në ditën e dhjetë serbët në veri duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Barrikadat janë të vendosura në Rudar, Srbovc, Sllatinë dhe Leshko, në rrugën kryesore Prishtinë – Rashkë. Në Varagë është vendosur një barrikadë nga drejtimi që të çon nga Mitrovica Jugore në Ribariq.

Pavarësisht motit të keq, reshjeve të shiut dhe borës herë pas here, qytetarët natën e kaluar e kanë kaluar në barrikada.

Dyqanet vazhdojnë të jenë të mbyllura, përveç atyre ushqimore dhe të barnave, ndërsa shkollat dhe fakultetet vazhdojnë ta pezullojnë mësimin.

Kjo situatë në anën tjetër ka lënë të bllokuar policët e Kosovës, të cilët nuk kanë komunikim rrugor me policët në pikat kufitare.

Gjersa, situata vazhdon të jetë e njëjtë, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, e quan konfliktuoze, pasi dëshmohet mangësia e teknikave luftarake.

Sipas Tërnavës, Kosova duhet të pajiset me armatim modern, me teknika të përsosura luftarake, fluturuese e helikopterë.

Këto pajisje, sipas Tërnavës, Kosovës i duhen edhe në kohëra të rëndomta dhe njerëzit duhet të mësohen me përdorimin e tyre.

“Situata konfliktuoze e krijuar tani në ato pjesë të veriut, e dëshmon mangësinë e shumë teknikave luftarake dhe të tjera, sikur që është armatimi modern për një shtet si Kosova në formim e sipër, e sidomos tani që praktika po e dëshmon që duhet të kemi edhe fluturake, sikur që janë aeroplanët modern luftarak, e në këtë situatë të tanishme Kosovës i duhen gjithsesi helikopterët, të cilët i mungojnë institucioneve shtetërore, e sidomos si tani policisë dhe ushtrisë. Këto teknika të avancuara duhet të jenë pjesë përbërëse e ushtrisë dhe policisë, edhe në kohëra të rëndomta, sepse me to duhen ata t’i drejtojnë ato teknika, të jenë të stërvitur mirë dhe të gatshëm që t’i përdorin kur të jetë nevoja për ato qëllime që iu imponohen situatave të krijuara, sepse si tani në këto kohëra kemi nevojë për to. Vërehet mungesa e tyre, edhe në kohëra të rëndomta, shtetit i nevojiten këto teknika fluturuese, sepse gjithnjë shteti ballafaqohet me rreziqe të ndryshme, sikur që janë vërshimet, dridhjet e tokës, zjarret e ndryshme që ndodhin si të parapara e që rrezikojnë njerëzit.

Edhe njerëzit që i drejtojnë këto teknika duhet të jenë mirë të stërvitur dhe me aftësitë e tyre të drejtimit për përdorime adekuate, për çfarëdo qëllime që duhet të përdoren”, pohon Tërnava.

Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës të bëjnë çmos që policëve t’i qëndrojnë pranë.

“Këto tetë ditë të barrikadimit në ato pjesë të veriut, si në Bernjak dhe Jarinë, në ato pjesë të izoluara thuaja, gjenden ata policë që në ato kohëra ishin në detyra të tyre dhe tani edhe më tutje gjenden në ato pjesë ku rrugët janë të barrikaduara nga serbët. Prandaj, institucionet e shtetit duhet të bëjnë çmos që atyre policëve t’u qëndrojnë pranë, qoftë drejtpërdrejt nga Policia e Kosovës, apo nga ata të KFOR-it, apo edhe të AKI-së, prandaj sikur e shpjegova që shtetit në këto situata i nevojiten edhe ‘makina’ fluturuese sikur që i ceka më lart. Siguria kryesore në ato pjesë është kompetencë e KFOR-it dhe pa lejen dhe miratimin e tyre nuk mund të përdoren ato fluturake. Qeveria duhet të jetë e angazhuar me strukturat e saj dhe me miqtë e shteteve mike që na kanë ndihmuar të çlirohemi nga armiqtë shekullor dhe të jenë kooperativ mes veti dhe të na qëndrojnë pranë sikur që na ndihmuan të çlirohemi”, shton Tërnava.

Situata e krijuar në veri, na paralajmëron se personaliteti ushtarak dhe policor duhet të jetë mirë i stërvitur dhe i gatshëm ta mbrojë vendin, ka shtuar Tërnava.

“Situata e krijuar në veri na paralajmëron se personeli ushtarak dhe policor duhet të jenë mirë të stërvitur dhe të jenë të gatshëm, nëse iu imponohet në mbrojtje të shtetit të tyre, por shteti duhet t’i mobilizojë edhe forcat tjera rezerva si ushtarake dhe policore për ndihmë që duhet t’iu ofrojnë profesionistëve në detyra, duke u angazhuar të gjithë së bashku qoftë edhe duke i rrezikuar edhe jetërat e tyre në mbrojtje të atdheut të tyre”, thekson Tërnava.

Politika nuk e ka pasur primare blerjen e helikopterëve

Duke parë gjendjen e tillë, ekspertët e sigurisë kanë thënë se duhet të sigurohen teknikat luftarake e fluturuese, të cilat do ta ndihmojnë policinë e FSK-në tani e në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat