Bloomberg: BE’ja pritet ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në fillim të vitit 2023

Lajme

Bloomberg: BE’ja pritet ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në fillim të vitit 2023

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 16:55
Ilustrim

Në dhjetor, Kosova zyrtarisht dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dokumenti i nënshkruar një ditë para nga presidentja Osmani, kryeparlamentari Konjufca dhe kryeministri Kurti iu dërgua BE’së më 15 dhjetor, me besimin e këtij të fundit se Kosova do anëtarësohet brenda 9 vjetësh.

Sipas Bloomberg, aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në BE do të shqyrtohet në fillim të vitit të ardhshëm, pasi Suedia ta marrë nën udhëheqje Presidencën në janar.

Në kushte anonimiteti, një njohës i kësaj çështje i ka thënë Bloomberg-ut se aplikimi duhet shqyrtuar me kujdes, marrë parasysh se është një temë e ndjeshme për shumë shtete anëtare.

Kjo pasi pesë nga 27 shtetet e anëtarësuara në Bashkimin Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Këtu hyn Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.

Anëtarësimi në BE është një proces kompleks që zgjatë me vite.

Çdo vend evropian që pranon të promovojë vlerat e përbashkëta të BE-së – respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit – dhe që plotëson disa kushte, të referuara si “kriteret e Kopenhagës”, ka të drejtë të aplikojë për anëtarësimin, por nuk ka asnjë garanci se ai do ta fitojë ulësen në BE.

Pas aplikimit për anëtarësim janë tre hapa kryesorë.

Statusi i kandidaturës ose kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi.

Jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian – i informuar nga rekomandimi i Komisionit Evropian – për të pranuar zyrtarisht aplikimin e vendit.

Këshilli dhe vendi kandidat duhet të bien dakord për një kornizë për negociatat e anëtarësimit.

Vendet kandidate marrin gjithashtu asistencë financiare dhe teknike gjatë gjithë procesit të anëtarësimit. (Buxheti 2021-2027 i BE-së për ndihmën e para-anëtarësimit është 14.162 miliardë euro).

Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë. Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pesë vjet.

Negociatat e anëtarësimit fillojnë pasi vendi kandidat përshtat ligjet e tij kombëtare për t’u përafruar me rregullat e BE-së, të quajtura acquis. Edhe kjo mund të marrë disa vite kohë. Negociatat përfundojnë zyrtarisht pasi secili nga 35 kapitujt e acquis (të cilët fokusohen në tema si taksat, mjedisi dhe politika e mbrojtjes) të mbyllen unanimisht dhe janë faza më e gjatë e anëtarësimit në BE.

Një traktat aderimi nënshkruhet nga vendi kandidat dhe Bashkimi Evropian (me pëlqimin e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit) dhe më vonë ratifikohet nga kandidati dhe çdo vend i BE-së, kur ai bëhet i detyrueshëm. Vendi tani e tutje konsiderohet një “vend aderues” deri në datën zyrtare të anëtarësimit, kur ai bëhet anëtar i plotë i BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat