Si e shndërroi Vuçiq “dashurinë” ndaj gjermanëve në urrejtje

Lajme

Si e shndërroi Vuçiq “dashurinë” ndaj gjermanëve në urrejtje

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 19:08
Aleksander Vuçiq dhe Olaf Scholz

Aleksandar Vuçiq në shtator të vitit të kaluar, kur Angela Merkel po zhvillonte një vizitë në Beograd në fund të mandatit të saj do të deklaronte se Serbia e Gjermania ishin të lidhura ngushtë si dy shtete. Me një ton vardisës ai kishte deklaruar se mirënjohja te serbët nuk është afatshkurtër dhe se për Angela Merkel edhe kur ajo nuk do të jetë më në detyrë do të flitet gjatë se cfarë ka bërë. Por, Vuçiq dje tregoi se raportet me Berlinin ia ka të rrejshme. Ai goditi shtetin më të fuqishëm në Evropë se po do ta dominojë Ballkanin dhe ambasadorët gjermanë në Kosovë e Serbi.

Një deklaratë e thënë nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, për situatën në veri të vendit ka nxitur retorikën anti-gjermane të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Rohde tha se qeveria e tij qëndron krah qeverisë kosovare dhe drejtoi gishtin kah përgjegjësit e barrikadave që po e bëjnë popullin e tyre të vuajë. Kjo deklaratë e shtyri Vuçiqin ta shpallë atë si përhapës të deklaratave anti-serbe.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se barrikadat në veri të vendit duhet të hiqen deri për Krishtlindje. 

“Z. Rohde është i njohur për deklaratat e tij anti-serbe”, ka thënë Vuçiq.

Ai shkoi edhe më tej sa akuzoi Gjermaninë që po dëshiron të dominojë në Ballkan.

“Përfaqësuesit gjermanë mendojnë se mund të vendosin se çfarë fasule të hahet në Mitrovicë e çfarë në Zubin Potok”, ka thënë Vuçiq, duke u ankuar që Rohde nuk po flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rohde i dha mbështetje Qeverisë së Kosovës për të ulur tensionet në veri të vendit, duke thënë se tash duhet dialog e jo konfrontime.

“Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur. Na duhet dialog dhe jo konfrontime. Qeveria ime qëndron sigurisht me Qeverinë e Kosovës për ta depërshkallëzuar situatën. Ata që janë përgjegjës për barrikadat duhet ta mendojnë mirë që po e bëjnë popullatën e tyre të vuajë”, tha Rohde në KTV.

Për një reagim të tillë të Vuçiqit ndaj shtetit që është donatori më i madh bilateral në Serbi, ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri, tregoi pse ndodhi.

“Vuçiqi u shpreh i mllefosur ndaj Gjermanisë dje, sepse iluzionet e tij për dominimin e Ballkanit përfundimisht u shuan nga Gjermania –  duke qenë se Gjermania vuri në qendër Ballkanin Perëndimor ndërsa rrëzoi  ‘Ballkanin e hapur’”, kishte deklaruar Tahiri.

Por, serbët nuk po i nervozon vetëm ambasadori gjerman në Kosovë. Bashkëkombësja e tij, ambasadorja në Beograd, Anke Konrad, ia solli në mend Serbisë se duhet t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Edhe atë Vuçiq e përmendi me emër nga Baku e Azerbejxhanit ku është duke qëndruar, duke e kritikuar për deklaratat kundër kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë.

Të hënën ajo tha se Berlini pret që Serbia t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë. Për këto kërkesa nga shtetet europiane, udhëheqësit në Serbi janë ankuar për presion të shtuar, derisa janë munduar të arsyetohen se janë shtet i pavarur dhe shikojnë interesat e tyre.

“Ne shpresojmë që Serbia, si një vend kandidat i BE’së, do të bashkohen në sanksionet sikurse të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë bërë, por kjo i mbetet Serbisë që të vendosë”, ka thënë ajo një intervistë për mediumin serb “N1”.

Konrad kishte komentuar edhe kërkesën e Serbisë për kthimin e personelit ushtarak në Kosovë, duke thënë se kjo është e papranueshme për Gjermaninë.

“Nga këndvështrimi ynë, Rezoluta 1244 nuk ofron bazë për kthimin e njësive”, tha ambasadorja gjermane, derisa shtoi se KFOR-i do të formulojë përgjigjet.

Me të marrë mandatin, ambasadorja e re gjermane në Serbi ka përmendur katastrofën humanitare që shkaktoi Serbia në Kosovë dhe kishte folur mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.

“Në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999 po ndodhte një fatkeqësi e tmerrshme humanitare me shkelje masive të të drejtave të njeriut. Pas përpjekjeve të gjata dhe intensive diplomatike, operacioni i NATO-s ishte e vetmja rrugë e mbetur, e justifikuar, pasi komuniteti ndërkombëtar i shteteve kishte shteruar pa sukses të gjitha mjetet në dispozicion për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe për të shmangur një katastrofë humanitare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat