Serbët nga Rudari me listë të kushteve për heqje të barrikadave

Lajme

Serbët nga Rudari me listë të kushteve për heqje të barrikadave

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 19:45
protesta serbe

Është e gjatë kolona e protestuesve që kanë marr rrugën për në Rudar të Zveçanit. Nga Prishtina, Rajoni i Anamoravës por edhe nga qytete jashtë Kosovës.

Me dhjetëra të tillë zbritën nga autobusë me targa të Beogradit dhe Kurshumlisë. Para se të nisë protesta e thirrur nga i ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, protestuesit shpalosën një flamur të Serbisë, derisa në prapavijë dëgjoheshin këngë nacionaliste.

Saktësisht në mesditë, protesta nisi me fjalimin e djalit të ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për vepër terroriste.

“Babai im është arrestuar vetëm pse është serb, vetëm pse e ka dorëzuar uniformën e policisë, babai im është arrestuar vetëm pse jeton këtu”, ka thekuar Predrag Pantiq, djali i ish-policit Dejan Pantiq.

Masës, iu drejtuan edhe ata që ishin deri dje pjesë e sistemit të drejtësisë kosovare, siç ishte rasti i kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, që komentoi ato që pretendon se janë kërkesa të kryeministrit Albin Kurti.

“Kurti po bënë thirrje me i arrestu qytetarët serb, duke i thirrë kriminel. Ai po bënë thirrje që të arrestohen serbët në këtë mënyrë, mirëpo a është kriminel Albin Kurti?”, ka deklaruar Nikola Kabashiq, ish-kryetar në Gjykatën Th. Mitrovicë.

Emrin e Kryeministrit të Kosovës nuk e lëshuan nga goja as përfaqësuesit e Listës Serbe, nga vartësit deri tek kreu.

Dalibor Jevtiq, që vazhdon të mbajë pozitën e kryetarit të komunës së Shtërpcës, tha se sipas tij, janë detyruar t’i ngrenë barrikadat.

“Nuk presim që asnjë nga mesazhet që po dërgojmë sot të dëgjohet nga Kurti dhe ministrat e tij, pres që bashkësia ndërkombëtare duke parë barrikadat dhe numrin e madh të njerëzve në barrikada i zgjon nga gjumi dhe e kuptojnë se nuk është vullneti ynë të kalojmë ditët në barrikada, por është detyrim kur kërcënohemi nga dhuna, eksodi nga institucionet, kur kërcënohemi nga Albin Kurti.  Kështu që ju lutem ndaloni atë para se të jetë tepër vonë”, ka thënë Dalibor Jevtiq, Kryetar i Shtërpcës.

“Arsyeja pse jemi mbledhur në Rudarë te kryqi dhe në kalanë e Zveqanit është t’i dërgojmë porosi Prishtinës dhe mentorëve të tyre se jemi këtu dhe duam paqe, por gjithashtu duam lirinë dhe nuk do dorëzohemi para atyre që duan të marrin çdo gjë që është serbe”, ka sqaruar Goran Rakiq, Kryetar i Listës Serbe.

Ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete paraqiti edhe kushtet për heqje të barrikadave: Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e siç pretebdin “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Kështu u përmbyll protesta që gjatë gjithë kohës situata është monitoruar nga KFOR-i dhe Eulexi.

Tubim është thirrur në kundërshtim të dy deklaratave: asaj të Kurtit se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat, si dhe thirrjen e ambasadorit gjerman në Kosovë që barrikadat të hiqen deri në kohën e Krishtlindjeve, dhe vlerësimin se kërkesa e Beogradit për kthimin e forcave serbe në Kosovë është absurde dhe e papranueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat