Bërnabiq: Në tavolinë me Cholletin premtimi i SHBA-së se formimi i Asociacionit nis në janar

Lajme

Bërnabiq: Në tavolinë me Cholletin premtimi i SHBA-së se formimi i Asociacionit nis në janar

Më: 11 janar 2023 Në ora: 16:26
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha para vizitës së zyrtarit amerikan, Derek Chollet, se premtimi i SHBA-së se formimi i Asociacionit e komunave me shumicë serbe do të nisë në janar, pritet të jetë “në tavolinën” e bisedimeve.

“Kjo do të ishte shumë mirë, do të ishte zbatim i Marrëveshjes së Brukselit”, tha ajo për televizion serb, Pink.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. Më pas, më 2015, është arritur marrëveshja mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Formimin e Asociacionit e kanë kërkuar edhe SHBA-ja dhe BE-ja. Pavarësisht këtyre kërkesave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Bërnabiq, megjithatë, deklaroi se nuk ka pritshmëri nga vizita e Cholletit në Beograd.

Këshilltari i lartë i DASH-it, Derek Chollet, së bashku me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ka nisur më 11 janar vizitën e tij në Kosovë. Paraprakisht ai ishte në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nesër pritet të shkojë në Serbi.

Siç njoftoi DASH-i, Chollet, do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat