Çka po thonë në Serbi për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë?

Lajme

Çka po thonë në Serbi për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë?

Më: 10 prill 2023 Në ora: 14:24
Millovan Dreçun, Goran Petronijeviqi, Zoran Zhivanoviqi, Vuk Drashkoviqi

Në Kosovë pak a shumë e dimë se çka po flitet në lidhje me nisjen e gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Por, çka po flitet në Serbi?

Dhe, siç pritej reagimet ishin të shumta e nga kënde të ndryshme. Po i sjellim më poshtë disa prej reagimeve më interesante.

Millovan Dreçuni

Sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për Kosovën në Serbi, Millovan Dreçun, ish-krerët e UÇK-së po akuzoheshin si për faj individual ashtu edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Dhe se... UÇK-ja është para gjyqit!

“Sado që mundohen të thonë se ky nuk është gjykim i UÇK-së, në fakt është gjykim i UÇK-së sepse po flasim për një ndërmarrje të përbashkët kriminale...”- ka thënë Dreçun.

Ai tha se e rëndësishme ishte që aktakuza bazohej te ndalimet e paligjshme.

“Pikërisht këtu është kollaj të bëhet lidhja mes krimeve të kryera dhe kriminelëve,”- shprehu bindjen Dreçun.

Ndër të tjera, shtoi edhe se beson në Gjykatën Speciale se do provohet që janë kryer krime të tmerrshme, dhe e quan UÇK-në organizatë terroriste e kriminale.

“Besoj që do të provohet se janë kryer krime të tmerrshme dhe që kjo organizatë jo vetëm që është terroriste por edhe kriminale, ashtu si i gjithë tregimi i shtetit të vetëquajtur të Kosovës shtrihet mbi këto krime të tmerrshme që janë kryer,”- përfundoi Dreçun.

Goran Petronijeviqi

Petronijeviqi është ish-avokat serb i Hagës dhe kryetar i “Qendrës për Mbrojtjen e Të Drejtës Ndërkombëtare”.

Ai tha se metoda e akuzës është e përbashkët për të katër të akuzuarit, lidhur me kontrollin politik të Kosovës. Por ai u shpreh i pakënaqur që spastrimi kombëtar e etnik i serbëve nuk përmendet askund.

“Spastrimi kombëtar dhe etnik nuk përmendet askund. Pra, nuk ka asnjë substancë që do të zbulonte rolin e vërtetë terrorist dhe kriminal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kosovë dhe Metohi, që para së gjithash i referohet spastrimit etnik dhe vrasjes së serbëve”- tha Petronijeviq.

Ai gjithashtu tha se ky gjyq është i rëndësishëm për Serbinë, vetëm në një aspekt, që barra e përgjegjësisë për vrasjet gjatë luftës të hiqet nga supet e saj.

“E vetmja gjë që mund të jetë domethënëse për Serbinë është që barra e imponuar e përgjegjësisë për shkak të përfshirjes së pretenduar në vrasjet e lartpërmendura të hiqet përfundimisht nga supet e saj. Pra, vetëm nga ky aspekt, ky gjyq është i rëndësishëm për Serbinë,”- shtoi Petronijeviq.

Gjë tjetër që thekson ai, është se sipas tij aktakuza ishte e formuluar gabimisht, dhe se në gjykim duhej të përmendej trafikimi i organeve.

“Tregtia e organeve nuk përmendet askund, ndonëse për këtë ka dëshmi të ndryshme dhe raporte ndërkombëtare. Si përfundim, aktakuza askund nuk thotë se qëllimi kryesor i ndërmarrjes së përbashkët kriminale është spastrimi etnik i Kosovës nga serbët dhe "joshqiptarët". Kjo është një gjë. E dyta është se vrasjet e serbëve ishin të motivuara etnikisht dhe jo politike, siç thuhet në aktakuzë. Dhe së fundi, që askund nuk përmendet trafikimi i organeve,”- tha Petronijeviq.

Zoran Zhivanoviqi

Ndryshe nga pjesa më e madhe e Serbëve që kanë dhënë mendim lidhur me gjykimin në Hagë, avokati Zoran Zhivanoviq, këtë gjykim e ka cilësuar si gjykim ndaj liderëve të UÇK-së, e jo vetë UÇK-së.

‘’Udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen në bazë të ndërmarrjes së bashkët kriminale sepse donin të vendosnin kontroll të plotë mbi Kosovën... Asnjëri prej tyre nuk ishte personalisht i akuzuar për vrasjen e dikujt dhe mbrojtja e tyre është e tillë që ata në fjalën e tyre hyrëse thanë se nuk kontstojnë që janë vrarë njerëz, por se s’janë fajtorë pasi nuk kanë kontrolluar plotësisht UÇK-në,”- tha Zhivanoviq.

Avokati serb u shpreh edhe se në procese të tilla ka “ndikime politike”.

Vuk Drashkoviqi

Për dallim nga të gjitha mendimet e lartëcekura, Drashkoviq tha krejt diçka tjetër lidhur me gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai tha se regjimi serb, u përpoq që krimet e veta t’ia mvishte shqiptarëve.

Drashkoviq përmendi specifikisht rastin famëkeq “Panda” dhe fjalët e Vuçiqit të bëra në vitin 2013 ku e pranonte se ajo nuk ishte bërë nga shqiptarët, sikundër ishte menduar gjatë, por nga vetë serbët.

“Më pas, papritmas, 15 vjet më vonë Aleksandër Vuçiqi njoftoi se masakra nuk ishte bërë nga shqiptarët, apo shërbimet e huaja dhe që Serbia do të shokohej kur ta mësonte të vërtetën!” – përkujton Drashkoviq

Ndër të tjera z. Drashkoviq njofton se si ishte thirrur nga hetues për krime të terrorizmit më 18 dhjetor të vitit 2019.

“Prokurori më tha që Zyra e Prokurorit po kryen hetim kundër terroristëve të panjohur shqiptarë të UÇK-së për krimin në kafenenë Panda...” – vazhdon z. Drashkoviq. E gjithë kjo, përkundër që Vuçiq e kishte pranuar qysh më 2013-n se ajo nuk ishte kryer nga (sic) “terroristët shqiptarë”.- tha Drashkoviq.

Drashkoviq shkruajti se hetimi i “mijëra krimeve” të UDBA-s është i ndaluar sot në Serbi.

“Prokurorët e UDBA-s e kanë gjetur një emër për terroristët e UDBA-s që mbrojnë: kriminelë të panjohur. Ata terroristë “të panjohur” që vranë studentët në Panda.” – përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat