Listës Serbe s’i pëlqeu reagimi i ambasadorit Hovenier për plagosjen në veri

Lajme

Listës Serbe s’i pëlqeu reagimi i ambasadorit Hovenier për plagosjen në veri

Më: 11 prill 2023 Në ora: 20:05
Jeff Hovenier dhe Goran Rakiq

Lista Serbe po ndihet thellësisht e shqetësuar se ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, është i shqetësuar.

Përmes një reagimi publik, kjo parti serbe thotë se Hovenieri, “në vend që të dënojë qartë tentativën për vrasjen e Milan Jovanoviqit” mbrëmë në Zveçan, “ai është i shqetësuar!?”.

“Vetëm pasi Lista Srpska reagoi dhe theksoi se Milan Jovanoviq ishte viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të Kurtit, të cilët ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës”, thotë reagimi i Listës Serbe, për të vazhduar, “vonë pasdite, reagoi i shqetësuari zotëri Hovenier dhe e bëri këtë deklaratë të turpshme me të cilën zvogëlon përgjegjësinë e atyre që derdhën gjakun serb, me të cilën ambasadori i shqetësuar shkaktoi shqetësimin e mbarë popullit serb, aq më tepër që po punon për normalizimin e situatës”, thotë Lista Serbe në reagimin publik.

Për më tepër, kjo parti ka shprehur pezmin e saj pse misionet tjera diplomatike në Kosovë nuk po reagojnë për këtë rast, siç kanë reaguar në rastet e djegies së veturave serbe në veri.

“Për kujtim, për shkak të makinës së djegur për çka askujt nuk i është vënë përgjegjësia, kanë reaguar të gjitha ambasadat e Quint-it, misionet dhe organizatat ndërkombëtare, madje disa ambasadorë kanë thirrur Listën Serbe, por kur për të tretën herë qëllohet ndaj serbëve, civilë, e mbrëmë edhe ndaj babait të tre fëmijëve, nuk ka asnjë dënim nga ambasadorët e QUINT-it apo kërkesa për ndalimin e sulmeve ndaj qytetarëve të pafajshëm serbë”, u shpreh partia serbe e Kosovës.

Me këto veprime, Lista Serbe thotë se “për të gjithë qytetarët tanë është e qartë se ambasadorët e QUINT-it po bëjnë të kundërtën e asaj që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve në Kosovë”.

Kujtojmë se dje u raportua për një serb të plagosur në veri të Kosovës. Nga raportimet e para u tha se dyshohet që plagosja ka ardhur nga një zyrtar policor i Kosovës, por që kjo informatë dje u demantuar nga vetë institucioni i Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat