Ministrja serbe e Shëndetësisë viziton Kosovën, premton punësimin e serbëve

Lajme

Ministrja serbe e Shëndetësisë viziton Kosovën, premton punësimin e serbëve

Më: 15 prill 2023 Në ora: 19:25
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiq, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, tha sot se shteti i Serbisë do të vazhdojë të investojë në sistemin shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë dhe ka rikujtuar marrëveshjen nga takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me përfaqësues të serbëve të Kosovës në Rashkë të enjten se rreth njëqind punëtorë të tjerë shëndetësorë do të punësohen në mbarë Kosovën.

Grujiçiq, pas vizitës në spitalin dhe shërbimin e urgjencës në Lapllasellë, në spital dhe në Qendrën Shëndetësore në Graçanicë, vlerësoi se personat të cilët janë të punësuar në sistemin shëndetësor në zonat serbe në Kosovë “me të vërtetë bëjnë çmos për të ofruar të gjithë kujdesin e nevojshëm shëndetësor”.

“Unë jam veçanërisht e kënaqur me spitalin në Pasjan që është ndërtuar. Shteti i Serbisë investon shumë në sistemin shëndetësor në Kosovë”, tha ajo. “Sipas Marrëveshjes së Brukselit, kjo është edhe kompetencë e jona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Grujiçiq.

Ajo shtoi se për spitalin e Graçanicës ishte e qartë se ambientet ishin të vjetra dhe tha se do ta informonte personalisht presidentin serb për situatën këtu.

“Ka kohë që flitet për spitalin e ri në Graçanicë, do të shohim se çfarë dhe si, ku është ndalur puna, sepse është planifikuar për një kohë të gjatë”, tha Grujiçiq, duke theksuar se është veçanërisht e kënaqur me lajme për gjashtë foshnja të lindura së fundmi në maternitetin në Graçanicë.

Paraprakisht, gjatë vizitës së saj në spitalin e Pasjanit, ajo ka paralajmëruar mundësinë e zgjerimit të këtij institucioni duke hapur një sallë të re kirurgjie.

Ministrja serbe Grujiçiq sot në mbrëmje do të marrë pjesë në liturgjinë e mesnatës së Pashkëve në manastirin e Graçanicës, me të cilën do të shërbejë peshkopi i Rashkës së Prizrenit, Teodosije.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat